Dinamikat e zhvillimeve të viteve të fundit ku në horizont është shfaqur projekti për terminalin e gazit të lëngshëm në Vlorë si dhe nisja e projektit të gazifikimit nga Korça kanë bërë që qeveria të rishikojë projektet prioritare të zhvillimit.
Këto të fundit janë përcaktuar më herët në dokumentet e rëndësishme që shoqërojnë masterplanin për gazifikimin të 2016-ës. Pjesë e gjithë kësaj tabloje është edhe gazsjellësi Trans Adriatik ku disa ndryshime të bëra në një vendim të fundit të qeverisë prekin edhe këtë aspekt.
Konkretisht një vendim i datës 4 tetor i qeverisë si fillim ka hequr një fjali lidhur me detyrimin e TAP ag për të ndërtuar një pikë dalje në Shqipëri me një kapacitet minimal prej 0.3 bmk/vit dhe ka shtuar që pika e daljes në Fier është me dy drejtime.
Paragrafi i ndryshuar në masterplan për identifikimin e projekteve prioritare parashikon që ““Shoqëria TAP AG do të ndërtojë dhe do të operojë gazsjellësin TAP. Shqipëria, Greqia dhe Italia kanë nënshkruar një marrëveshje ndërqeveritare për TAP-in. Në bazë të vendimit të përbashkët të enteve rregullatore të energjisë të Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë, më qershor 2013, TAP AG është e detyruar të ndërtojë të paktën një pikë daljeje me dy drejtime (bidireksionale) në Shqipëri (që gjendet në Fier), me një kapacitet prej 2-10 mmk/ditë (0,73-3,65 bmk/vit). Përveç Fierit, një pikë e dytë daljeje është në diskutim në zonën e Kuçovës.”.
Dyfishohet presioni maksimal i lejuar
Vendimi i qeverisë ka ndryshuar edhe presionin maksimal të lejuar sa i takon sistemit të transmetimit të gazit në vendin tonë duke e dyfishuar atë. Më herët në dokument nënvizohej se presioni Maksimal i Lejuar ishte 82 bar, për seksionet e IAP dhe 50 bar për pjesën tjetër të sistemit të transmetimit në Shqipëri po kështu 50 bar, për sistemin e transmetimit në Shqipëri kur IAP nuk ekziston.
Me ndryshimin e bërë në këtë pikë presioni maksimal i lejuar është 82 bar, për seksionet e IAP dhe deri në 100 bar për pjesën tjetër të sistemit të transmetimit në Shqipëri dhe deri në 100 bar, për sistemin e transmetimit në Shqipëri kur IAP nuk ekziston.
Ndryshimi i projekteve afatshkurtër dhe afatmesëm
Qeveria ka ndryshuar gjithashtu projektet prioritare që do të shihen në terma afatshkurtër dhe ato në afatmesëm. Në dokumentin e mëparshëm përcaktohej se në terma afatshkurtër parashikohen zhvillimi i gazsjellësit TAP – TEC-i i Vlorës, dhe nëse është e mundur, zhvillimi i sistemit të shpërndarjes së gazit në qytetin e Vlorës. Së dyti zhvillimi i sistemit të transmetimit për të furnizuar konsumatorët spirancë në Fier dhe Ballsh dhe nëse është e mundur zhvillimi i sistemeve lokale të shpërndarjes së gazit në zonat e Fierit dhe Ballshit.
Tashmë kësaj i është shtuar edhe një tjetër prioritet që në vendimin e qeverisë specifikohet me zhvillimi i pikës së daljes dhe rrjetit të shpërndarjes Bashkia Korçë.
Në terma afatmesëm dokumenti parashikon zhvillim të sistemit të transmetimit për të furnizuar kryesisht zonat industriale në Elbasan, si dhe zhvillimi i hapësirave të depozitimit të gazit në Dumre. Po kështu zhvillimi i sistemit të transmetimit për furnizimin e konsumatorëve industrialë dhe komercialë në zonën e Durrësit dhe të Tiranës. Tashmë këtij grupi i është shtuar edhe prioriteti për zhvillimi i rrjetit të shpërndarjes së gazit të lëngshëm natyror./Monitor