Udhëheqësit Perëndimorë kanë dënuar sulmin në shkallë të gjerë të Hamasit ndaj Izraelit të shtunën.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga ato që ajo i cilësoi si, “sulme të pamëshirshme”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se i dënonte ashpër “sulmet terroriste” dhe shprehu solidaritet ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz u shpreh i tronditur nga sulmet dhe tha se Gjermania qëndron në krah të Izraelit.
Ndërkohë, Britania e Madhe tha se e dënonte atë që e cilësoi si sulm të tmerrshëm. Ministri i Jashtëm. James Cleverly, tha se Britania do ta mbështesë gjithmonë të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.
Shtëpia e Bardhë tha se i dënonte sulmet e Hamasit dhe se qëndronte në krah të qeverisë dhe popullit të Izraelit. “Nuk ka asnjë justifikim për terrorizmin”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se Pentagoni do të veprojë për t’i siguruar Izraelit gjithçka që i nevojitet për t’u mbrojtur.
Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk u shpreh i tronditur nga sulmi dhe bëri thirrje për ndërprerjen e menjëherëshme të dhunës duke u kërkuar të gjitha palëve dhe aktorëve kyç në rajon që të ulin tensionet dhe të shmangin gjakderdhjen.
Arabia Saudite bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të mbrojnë civilët.
Në një deklaratë të ministrisë së jashtme thuhet se “Arabia Saudite përsërit paralajmërimet e saj për rrezikun e përshkallëzimit të situatës si pasojë e pushtimit të vazhdueshëm, palestinezëve u janë mohuar të drejat e tyre dhe janë përballur me një sistem të vazhdueshëm provokimesh nga Izraeli”.
Arabia Saudite ka mbështetur prej një kohe të gjatë palestinezët dhe ka bërë thirrje për zbatimin e një zgjidhjeje me dy shtete bazuar në kufijtë e vitit 1967 të Izraelit, ku Izraeli Lindor të jetë kryqyteti palestinez./VOA