E moshuara, Kaleme Dardha, e cila u dhunua nga dy fqinjët e saj, vetëm tre ditë më parë në fshatin Shën e Premte, në Divjakë ka treguar tmerrin e përshkuar.
Në dëshminë e saj, e moshuara e cila jetonte e vetme tregon se “në mesnatë dikush hyri në banesën e saj dhe e goditi.”
“Personi që hyri ishte me kapuç”, shton ajo.
Ndërsa sa i përket të dhënave të tjera, 81-vjeçarja thotë se grabitësi nuk i tha asgjë, por vetëm e torturoi.
“Unë isha vetëm, fillikat në shtëpi. Ishte ora 12:30. Dola në banjë dhe kur u ktheva do hyja te dhoma e gjumit, dera e jashtme hapur. Thashë ka fryrë erë dhe është hapur dera, e mbylla. Pasi u ktheva për të hyrë në dhomë, ai nga mbrapa, më kapi nga mbrapa, më vuri pas pllakës, përmbys. Pastaj torturë. Nuk më tha asgjë. Ishte me kapuç. Më vuri gjunjët te mesi, më kapi qafën ma përdrodhi. Hej Zot i madh. Isha vetëm në shtëpi. Më kapi në gojë me gishta, unë e kafshova dhe si duket i dhembi dhe më lëshoi, gjaku shkoi rrëke. Kur e kafshova më lëshoi dhe doli jashtë. Thashë o Zot i madh çfarë ju kam bërë, por torturë e madhe. Nuk kanë marrë gjë në shtëpi, vetëm vëthët dhe unazat që kisha vënë. Pasi iku ai, po më shkonte gjaku, mora leckën për të larë gjakun e lajmërova komshinjtë me telefon. Erdhën komshinjtë më gjetën të larë në gjak. Kam vuajtur të zezën e ullinjve. E quajta veten të vdekur. Pastaj më çuan në spital. A bëhet kjo gjë, duke ndenjur në shtëpi, një plakë 82 vjeçe të dhunohet?!”, ka rrëfyer e moshuara.
Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen është vënë në pranga 25-vjeçari me iniciale A. B., dhe 19-vjeçari me iniciale G. K., të dy banues në fshatin Shën e Premte.
Nga veprimet ka rezultuar po ashtu se dy të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë 2 javëve të fundit, kanë vjedhur pajisje elektroshtëpiake dhe pije alkoolike, në 4 banesa të tjera, në të njëjtin fshat, pronarët e të cilave aktualisht janë jashtë shtetit.
Ndërkohë u sekuestruan bizhuteritë e floririt, pajisje elektroshtëpiake dhe produkte të tjera, të vjedhura nga këta shtetas.