BallinaOP EDProkurorët shqiptarë do fillojnë “të vriten”, nëse vrasin frikën!

Prokurorët shqiptarë do fillojnë “të vriten”, nëse vrasin frikën!

Nga Artur Zheji
Nuk është e mundur që as pushteti dhe as shteti, të garantojë paprekshmërinë e Antimafias shqiptare që po fillon të zërë fill. Eksperienca italiane, meksikane apo edhe ajo kolumbiane, na e dëshmojnë këtë. Ata kanë në luftën e tyre pambarim kundër organizatave kriminale: bilance të frikshme ku numërohen qindra prokurorë, ministra apo gjyqtarë dhe policë të vrarë në krye të detyrës dhe në ballë të luftës. Prokurorët tanë të kërcënuar, ata që dimë dhe ata që nuk dimë, sado të mundohet dhe megjithë vullnetin e mirë, nuk i mbron dot as Taulant Balla dhe as policia shqiptare. Nëse nuk ecën më tej siç dhe ka filluar: spastrimi i kupolës së Policisë së shtetit nga ndotja kriminale në radhët e saj. Për hir të vërtetës Taulant Balla po jep shenja të prekshme se ka filluar një kirurgji të brendshme, por, çthurrja e gërshetit krim-politikë, është një operacion 360gradë dhe vetëm në fillimet e veta.

Them në fillimet e veta, sepse “kërcënimet” reale, janë një tregues real se krimi i organizuar është shqetësuar dhe po ndërmerr një reagim energjik me instrumentet e veta: para plus kërcënime direkte. Kjo është edhe Faza më e rrezikshme, ose faza më e suksesshme e aksionit të Krimit, sepse korrupsioni dhe kërcënimi real, janë sigurisht instrumentet më rezultativë në historinë njerëzore. Duke parë ngjarjet e deritashme, Drejtësia ka prekur vetëm nervin e organizatave dhe ende nuk ka prekur Bankat qindramilionaeurshe, investimet përrallore dhe koridoret e lulëzuara të trafikimeve.

Deri atëherë, asnjë prokuror dhe asnjë gjykatës, nuk rrezikon të vritet! Sepse vrasje e tyre, nuk u sjell asnjë përfitim organizatave kriminale. Vrasjet kanë rezultuar gjithmonë “akte dëshpërimi” dhe një hakmarrje e verbër dhe krejt e pakuptimtë dhe aspak fitimprurëse në çështjet e majme të biznesit kriminal. Përkundrazi “Vrasjet” e eksponentëve të drejtësisë, shndërrohen heret a vonë, në një vetëvrasje, për porositësit e tyre.

Kështu ka ndodhur me kapon e kapove, Toto Rina, kur urdhëroi sëbashku më të tjerë, vrasjen e Falkones dhe Beorselinos, duke shënuar fundin e klanit të vet mafioz, që ishte asokohe tmerri i Republikës Italiane. Dhe porosia për vrasjen e tyre, erdhi fill mbas ligjit special antimafia, për sekuestrimin e pronave, aseteve dhe parave kolosale të investuara gjithkund. Dhe sigurisht kur ligji filloi të godasë bankat e krimit, “dhimbja” që u shkaktua ishte e papërballueshme për organizatat dhe i shpallën luftë Shtetit, kur shteti filloi të divorcohet prej tyre! Proces ky, që është në pikëpyetje, përderisa jemi ende në nivelin e kërcënimeve që dalin në media, kërcënime të mediatizuara pra.

 

 

Për Drejtësinë që premton drejtësi, kërcënimi është bashkudhëtar. Porse prokurorët shqiptarë, do fillojnë të vriten nëse vrasin frikën dhe refuzojnë zarfet. Deri atëherë, “Krimi” bën jetë të mirë dhe healthy në Dubai apo Londër, në Shkodër, Tiranë apo Vlorë…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular