PROFIL/Gentian Shero, njihuni me ultrasin e Kombëtares, një humanist dhe histori suksesi në Itali

0
2869

Nga Mina HYSA
Historitë e suksesit ndër shqiptarë, brenda vendit apo në diasporë janë të shumta, por jo shpesh ndodh që veç spikatjes individuale të kenë dhe përkushtimin për të dhënë më të mirën edhe për kolektiven. Zakonisht shqiptarët kanë dhënë më të mirën nga vetja duke qenë histori individuale dhe bërë krenar komunitetin shqiptarë aty ku punojnë dhe jetojnë, por të paktë janë ata që kanë kontribuar për bashkëatdhetarët, gjuhën shqipe dhe gjithçka shqiptare.
Rasti që do të sjellim sot në startneës.al, është realisht një personazh shumë kompleks tek i cili gjen vetitë më të mira, gjen shumë shqiptari për atë çfarë ai jep nga vetja. Ndonëse prej 30 vitesh punon dhe jeton në vendin fqinj në Itali, veç halleve dhe punëve të tij ndër vite prej mbërritjes atje, ka mundur që përmes sakrificash të ngrihet fuqishëm dhe shpejt dhe sot të jetë një histori e vërtetë suksesi. Kjo nuk i ka mjaftuar që të krenohet dhe rehatohet, por të jetë realist dhe i thjesht ndaj ka vendosur që të kontribuojë për bashkëatdhetarët përmes formave të ndryshme për të iu qenë në ndihmë. Ai ka përçuar në Itali vetitë të mira shqiptare; të qenit punëtor, besnik, i ndershëm, zbatues i rregullt i ligjeve dhe kontribues real sot në buxhetin e vendit fqinj përmes taksave që paguan si biznes, por pa lënë pas dore as mbështetjen e aktiviteteve të shqiptarëve që lidhen me artin, kulturën, arsimin dhe sportin. E ka mundësuar nga dëshira, ndjenja patriotike që e kaplon, e ka ngacmuar e brendshmja që të ndajë diçka dhe nga e vetja për të ndihmuar aktivitete që “flasin” shqip.
E ka bërë pa iu dridhur qerpiku, e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë i bindur që po bën më të mirën dhe se kjo do të iu shërbejë brezave për të përçuar më tej shqipen në Itali dhe pse jo, ky rast të merret si shembull në të tjera rajone në vendin fqinj nga shqiptarët.
Quhet Gentian Shero, lindur dhe rritur në Kavajë, familjar shembullor, baba i katër fëmijeve të mrekullueshëm. Genti vjen nga një qytet me një popull punëtor, liridashës, e këtë e tregoi më së miri duke u ngritur i pari ndaj regjimit diktatorial për të këputur zinxhirët e skllavërisë.
Në vitin 1993 do të largohej nga shtëpia për në Itali në kërkim të një jete më të mirë, atje ku e priste asgjëja, por që kishte më shumë shanse. Ikjen e kishte të pashmangshme në situatën që gjendej Shqipëria në ato vite. Mosha 20-vjeçare do ta gjente në Itali, por emigracionin e kishte provuar në moshën 19-vjeçare ku në vitin 1992 kishte emigruar në Greqi. Në Itali do të vendosej në Bolzano në prill të vitit 1993 duke u përballur me sakrifica të mëdha. Në asnjë moment Gentian Shero nuk do të dekurajohej nga pengesat që jeta i nxirrte përpara dhe do të niste punë murator në një firmë ndërtimi. Lodhej, por kurrë nuk ankohej, punonte duke dhënë por dhe marrë më të mirën në atë profesion e në kohë rekord statusi i Gentian Sheros do të ndryshonte. Pas 6 vitesh, nga një punëtor, Gentiani do të kthehej në sipërmarrës. Në vitin 1999 Genti do të guxonte duke ngritur një biznes modest ndërtimi me të cilin vazhdon dhe sot duke qenë realisht një histori suksesi. Në vitin 2001 u largua për në TRENTO ku sot jeton dhe punon. Largimi që në moshë të re nga Shqipëria do të bënte që Gentiani të kishte nevojë ta ndjente më afër shqipen, shikonte që kjo ishte e nevojshme edhe për bashkëatdhetarët e tij ndaj në vitin 2017 bashkë me disa djem, miq të tij që menaxhojnë biznese të ndryshme në Trento vendosën të krijojnë shoqatën “Nënë Tereza”. Qëllimi ishte i qartë; ruajtja e gjuhës dhe kulturën tonë duke organizuar e mundësuar falas mësimin e gjuhës shqipe.
Për startnews.al, Gentian Shero thotë që: -“Viti i parë në TRENTO filloi me 30 nxënës. Në vitin e dytë shoqata “Nënë Tereza” uli në bankat e shkollës mbi 250 fëmijë në Trentino Alto Adige. Bolzano, Merano, Bressanone, Mezzolombardo, Levico Tn dhe Trento.
As sfida e vështirë e Covid 19 nuk do ta ndalonte Gentianin dhe miqtë e tij të realizonin atë që donin. Ndonëse mësimi u ndërpre me prezencë fizike të nxënësve, vazhdoi online në Bolzano dhe menjëherë pas mbarimit të pandemisë mësimi vazhdoi në prezencë në TRENTO dhe BOLZANO”. Gentian Shero me emocion falënderon mësueset për punën e palodhur që po bëjnë pasi e gjitha është vullnetare, e me dhimbjen që e ndjen dhe sot thotë që në periudhën e Covid 19 humbën një pjesë kryesore të shoqatës, Artur Lleshin nga një infarkt dhe për të kujtuar emrin dhe veprën shkolla shqipe në TRENTO mori emrin e tij. “Këtë vit në Bolzano dhe Trento kemi mbi 100 nxënës. Nga fillimi i aktivitetit të shoqatës “Nënë Tereza” në 2017 e deri tani janë ulur në bankat e shkollës shqipe mbi 1000 fëmijë në Trentino Alto Adige”- thotë Gentian Shero.
Pjesë e shoqatës “Nënë Tereza” është dhe grupi i valleve që përfaqëson shoqatën në aktivitete të ndryshme edhe jashtë Trentos, madje kanë ardhur në aktivitete edhe në Tiranë. Shoqata organizon kurse falas vallesh. Gentiani ka mbështetur mjaft aktivitete të tjera kulturore ku spikat organizimi plot vlera “AtMëMëDhe~ Albamia” në Trento Itali, ku morën pjesë me shumë përkushtim, emocione edhe Grupi”Vëllezërit Arbëreshë” Kalabri,  gazetari Marin Mema dhe kapiteni legjendar i Kombëtares së Shqipërisë Lorik Cana, aktorët Dardana Berdyna , Artan Bushi, si dhe pianistja dhe artistja e talentuar shqiptare me banim në Zvicër Ermira Lefort etj.
Protagonizmi pozitiv i Gentian Sheros nuk do të mungonte as dhe në një nga rastet më të rënda që pati vendi ynë ai i tërmetit. Angazhimi i Gentit do të ishte i menjëhershëm duke e treguar shpirtin human duke sjellë kontenier me ushqime në Shqipëri dhe veshmbathje për familjet e prekura nga tërmeti si dhe ndërtuar një shtëpi të arreduar një familje në Budulli në Bubq (Fushë-Krujë) me një invalid.
Gentian Shero më 12 tetor do të jetë në stadiumin “Air Albania” në zonën ultrase si një tifoz i zjarrtë i Kombëtares Shqiptare në Futboll e cila është më afër se kurrë për të na përfaqësuar krenarisht në “Euro 2024” në Gjermani. Eshtë pikërisht kjo krenari shqiptare që ka shoqëruar edhe Gentianin i cili nuk i është ndarë përfaqësueses sonë këmba-këmbës kudo ku ajo ka luajtur, në ka fituar apo humbur, zemra e Gentian Sheros ka rrahur shqip nën emocionet e ndeshjes. Genti së bashku me familjen e ka ndjekur Shqipërinë edhe në ndeshjet eleminatore të “Euro 2016”.
“Tifozat Kuq e Zi më bënë të njoh Pina degli Albanesi në Palermo në mars të vitit 2017, luhej ndeshja Itali – Shqipëri, datë që ndikoi shumë tek unë, duke më bërë të kuptoja rëndësinë e madhe që ka ruajtja e gjuhës shqipe. Kam ndjekur edhe tani të gjitha trasfertat e Kombëtares duke shkuar edhe në Ishujt Faroe (ishin vetëm 9 tifozë kuq e zi). Çdo trasfertë mblidhemi nga shumë skaje të botës, është një diçka e papërshkrueshme atë që përjetoj kur nisemi për kombëtaren” -thotë Gentian Shero i cili sot do të jetë në Tiranë për të shijuar superfidën Shqipëri-Çeki e vlefshme për “Euro 2024”.
Për tu vlerësuar është fakti që prej 3 vitesh Gentian Shero drejton edhe skuadrën Kuq e Zi në Trento “Iliria 🇦🇱”. Skuadra luan në kategorinë e dytë në TRENTO dhe është e regjistruar në Federatën e Futbollit të Italisë.