BallinaOP EDAbdulla Diku: A bëhet Shqipëria?

Abdulla Diku: A bëhet Shqipëria?

spot_img
spot_img
Abdulla Diku
Për shkak të t’kurrjes dhe shkatërrimit të pashembullt të opozitës, duket se është krijuar mjedisi i përshtatshëm për forca të reja politike, si asnjëherë më parë.
Një opozitë e cila po han dhe lufton veten më shumë (ndryshe nga misioni i sajë) se sa të formulojë dhe udhëheqë kauza politike, me interes kombëtar, duket se nuk ngjall shpresë më.
Zgjidhja për vulën dhe organizimi i opozitës do marrë vite kohë dhe do sabotohet pafund sa herë që zgjidhja do jetë (është në fakt) afër.
Ndaj, ka shumë arsye për të kthyer sytë nga lëvizje të reja politike e pse jo, edhe për të besuar fort tek ato.
Një nga këto lëvizje është ajo e drejtuar nga Adriatik Lapaj e që ka dhe një titull me përmbajte fryme dhe optimizmi “Shqipëria bëhet”.
Nuk njoh nga afër asnjë nga personazhet drejtuese të kësaj lëvizje. Ndaj po them atë që shoh apo gjykoj nga jashtë. Paksa më shumë njoh Adriatikun. Kemi rastisur në 2-3 emisione televizive për të diskutuar mbi HEC-et dhe angazhimin qytetar për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve për burimet ujore në ato raste.
Në fakt, në Shqipëri ka fare pak juristë mjedisorë të cilët kanë qenë pjesë e mbrojtjes së kauzave qytetare kundër marrjes së burimeve ujore prej kompanive dhe bizneseve të fuqishme e të dhunshme të HEC-eve. Ka fare pak avokatë që kanë marrë përsipër të mbrojnë edhe pa pagesë çështje të rëndësishme për komunitetet rurale dhe të pamundura.
Adriatiku, me profesionin e avokatit ka mbrojtur me suskes kauza të tilla. E theksoj se fare pak avokatë të tillë në Shqipëri kanë marrë përsipër dhe udhëhequr proçese gjyqësore ku e drejta qytetare ka fituar mbi babëzinë e “bizneseve”. Po ashtu, në media, Adriatiku ka qenë vazhdimisht një zë i fuqishëm në mbrojtje të komuniteteve. Edhe në rastin e aksioneve të ndërmarra për pastrimin e bregdetit në Sarandë apo gjelbërimin e qytetit atje, sensi pozitiv i angazhimit për një mjedis të pastër dhe të mirë publike janë shembuj të veçantë dhe mjaft të mirë për të cilët kemi shumë nevojë sot.
Tashmë e mira publike është tërësisht e lënë pas dore, jo paqëllim, duke e ekspozuar atë ndaj grabitjes së dhunshme të “bizneseve”, në bashkëpunim të ngushtë me politikën.
Si i tillë, Adriatiku ka treguar që jo vetëm është një profesionist i mirë, por ka punuar e vazhdon të punojë edhe për të mirën publike, atë të mirë e cila grabitet dhe sulmohet vazhdimisht e me të gjitha mënyrat.
Një fakt tjetër i rëndësishëm është ai që drejtuesit e lëvizjes “Shqipëria bëhet” nuk kanë qenë pjesë e politikës aktive. Si të tillë besoj se janë krejtësisht të pa infektuar me “sëmundjen kronike” të politikanëve aktualë, ku mendja dhe dora e tyre rrin vetëm te xhepi i qytetarëve dhe e mira publike.
Personalisht besoj se i duhet dhënë hapsira e nevojshme dhe besuar tek lëvizje të tilla. Ka plot njerëz që edhe janë pesimistë ndaj sajë. Besoj se, nëse demokracia do të funksionojë brenda lëvizjes, atëherë ka plot arsye për të besuar edhe më shumë. Nëse shohim partitë ekzistuese politike, shohim se nuk ka aspak demokraci brenda tyre. Kryetari vendos për gjithçka; për vendimet dhe qëndrimet e partisë, strukturat drejtuese, vendimet dhe qëndrimet në parlament etj. Praktikisht tek partitë ekzistues kemi kryetarin mbi partinë dhe partinë/partitë mbi Shqipërinë. Ndërkohë që duhet të jetë krejtësisht e kundërta.
Prandaj them që për mbijetesën dhe suskesin e lëvizjes psh. “Shqipëria bëhet”, jetike është demokracia e brendëshme. Shpresoj që të jetë shembull i mirë për të gjitha partitë politike e më tej për Shqipërinë.
Siç theksova më siper, miedisi politik sot në vend është tejet acid dhe me organizata politike më shumë të tipit monist se sa demokratik, jep shpresë për lëvizjen e re politike “Shqipëria bëhet”, e për pasojë jep shpresë edhe për vetë Shqipërinë, aty ku demokracia ka mbetur në tranzicion prej më shumë se tre dekadash.
Praktiksht sot duhej të ishim vend anëtar i BE-së sepse kishim dhe kemi gjithçka, përveçse një politikë të përgjegjëshme.
Këtë vit ka patur shumë vizitorë nga jashtë. Edhe më shumë do ketë, me siguri. Kryesisht vijnë prej peizazhit dhe klimës së mrekullueshme.
Një koleg nga Irlanda, i mahnitur prej klimës dhe peizazheve fantastike që kishte parë këto ditë në Shqipëri, më thotë – si ka mundësi që janë kaq të jashtëzakonshme këtu?!
I thash se janë të tilla, sepse janë të vetmet gjëra që nuk varen nga politika jonë…
Na duhet pra një lëvizje politie e re, me fytyra të reja, ide të reja e energji të re. Një politikë që duke u kombinuar me atë që na ka dhuruar Zoti (klimën, tokën dhe peizazhin) ta verë Shqipërinë mbi gjithëçka, jo nën këmbët e partive e interesave personale.
Çdo lëvizje e re politike e cila është jashtë formatit të sotëm politik, duhet inkurajuar. E kam fjalën edhe për Arlind Qorin apo avoktin Altin Goxhaj etj etj. me lëvizjet e tyre.
Ndryshe do vazhdojmë të shohim e dëgjojmë “derrat e panginjun” aktualë, si produkte politike të tranzicionit më të pashembullt në botë.
Besoj shumë se Shqipëria do bëhet nga rinjtë që e duan vendin, ndryshe e sëmurë do mbetet përgjithmonë.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular