BallinaKulture“Mëkati...” i shkrimtarit Luan Rama

“Mëkati…” i shkrimtarit Luan Rama

spot_img
spot_img
Nga Arben Çejku
Romani “Mëkati i Justinës” i shkrimtarit Luam Rama, botim i “Onufri”-t, është një prurje me shumë vlera për letërsinë shqiptare dhe për prozën tone modern në veçanti. Tashmë, duhet marrë në konsideratë fakti se një pjesë e madhe e krijuesve tanë jetojnë jashtë vendit dhe letërsia e tyre, e konsideruar si letërsia e diasporës (emigraionit), ka nevojë të trajtohet me më shumë vëmendje dhe të promovohet me më shumë dashamirësi. Kjo gjeneratë shkrimtarësh, artistësh (dhe sportistësh) me jetën dhe veprat e tyre po shërbejnë pa kushte si “ambasadorët” më të mirë të kombit, pa mandatet zyrtare që zakonisht jep Ministria e Jashtme. Një shembull tipik, me këtë rast është Luan Rama, i cili ka shërbyer si ambasador “zyrtar” i Shqipërisë në Paris për një mandat 4-vjeçar, por kontributi që po jep Luani si shkrimtar dhe “diplomat” i artit shqiptar në Francë është disafish më i madh se zanati burokratik që ushtroi për pak vite. Janë edhe shumë të tjerë shkrimtarë – diplomatë, që nuk jetojnë në Paris, si Besnik Mustafaj, Ylljet Aliçkaj etj, të cilët po ashtu shkëlqejnë me letërsinë e tyre, duke e tejkaluar burokracinë e zanatit të diplomatit…
Luan Rama, na befasoi me romanin “Mëkati i Justinës”, i cili është mirëpritur nga lexuesit dhe kritika. Si çdo vepër, edhe ky roman, mund të lexohet dhe vlerësohet nga disa këndvështrime dhe është kënaqësia e shkrimtarit që të ndjekë komentet e lexuesve për të parë se, sa ja ka arritur qëllimit kryesor me romanin e tij.
Një pjesë e madhe e lexuesve gjejnë tek ky roman rrëfimin e një historie dramatike të fatit të një nuseje të re në malësinë shqiptare të shekullit XIX, të ndërthurur edhe me disa digresione të historive “mbathëse”, të cilat krijojnë një mjedis idilik post-mesjetar të jetës shqiptare nën sundimin otoman.
Justina është një nuse e re dhe e përkryer nga çdo anë që ta shohësh; qoftë si bukuri e jashtëzakonshme femërore, qoftë si bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar, qoftë për besimin e pastër kristian, qoftë edhe për prejardhjen fisnike nga një derë luftëtarësh që vdesin nga plagët në luftën për liri. Por ajo është “bukuria që vret”, sepse ndjell syrin e pangopur të shumë burrave, por sidomos syrin dinak të priftit të fshatit, të cilin e ndjekin mëkatet që në fillimet e shërbesës ndaj kishës.. Aty shihet se si “fjala e Zotit” (Prifti dom Gjosh) dhe bukuria e Justinës (e cila mban në gji syrin e Shën Merisë), kanë hyrë në një betejë për jetë a vdekje dhe dramaciteti që sa vjen e rritet gjatë rrëfimit në roman, falë mjeshtrisë artistike të autorit, rrokulliset si lëmsh zjarri që as lexuesi nuk dëshiron ta mbajë në dorë.. Prifti synon të shtjerë në dorë bukurinë e Justinës dhe kur kjo e refuzon, ai nxjerr nga sënduku i ndryshkur armët e vjetra të inkuizicionit, duke arritur deri aty sa edhe eklipsin e diellit, ta ofrojë si shfaqje të ndëshkimit hyjnor për të gjithë besimtarët e kishës së tij. “Kjo nuk është punë e Zotit. Kjo është punë e djallit! Zoti nuk ua fsheh diellin besnikëve të vet!”- u thotë dom Gjoshi besmitarëve të tij të shushatur në oborrin e kishës. Me këtë retorikë dhe stilin e tij të shpifjeve, ai arrin t’u krijojë bindjen banorëve të fshatit Qershizë se, çdo ngjarje dramatike, çdo klithmë shpendi, çdo viktimë sëmundjeje dhe çdo fatkeqësi familjare kudo që ndodh, ka një lidhje me “zgjimin e djallit nga Justina”, e cila për dom Gjoshin është një magjistare, një “shtrigë e keqe”, që tërheq mbi veten dhe fshatin e saj rrufetë e ndëshkimit hyjnor..
Më në fund, turma e manipuluar nga retorika e dom Gjoshit, e çon Justinën drejt kryqit, drejt vdekjes me zjarr, ndërsa Justina nuk ka asnjë fuqi të mbinatyrshme për t’u përballur me turmën e egërsuar. Fjala dhe betimi mbi të vërtetën, nuk vlen dhe, madje, as syri i Shën Mërisë, që e mbante në gji nuk e ndihmoi dot. E lidhur pas një druri, ajo u dogj si shumë e shumë “shtriga” të periudhës së Inkuizicionit. Familja iu shkatërrua dhe kulla e Franit u rrënua, duke lënë pas një grumbull gurësh dhe jehonën e historisë së “shtrigës” së bukur.
Pasi përjeton pas një leximi intensive të romanit këtë histori tragjike, duke lënë anash emocionet që të shkaktojnë vuajtjet e Justinës dhe gjithë dramaciteti në vepër, natyrshëm kërkon të zbulosh mesazhet politiko-shoqërore të romanit, pishtarin e tij filozofik, të fshehur pas portretit të bukur të Justinës, pas perdes së përgjakur të fatit të saj. Dhe unë mendoj se, përtej historisë së një nuseje të re diku në alpet shqiptare, përtej arrogancës dhe mëkatit të fshehtë të një prifti mëkatar, autori kërkon të na tërheqë vëmendjen diku tjetër – tek rreziku dhe pasojat e manipulimit të turmës dje, sot dhe nesër!
Manipulimi i turmës dhe keqpërdorimi i saj nga individë apo institucione politiko-fetare, nga grupe të caktuara mendimi apo interesi, sot është po aq ulëritës sa ç’ishte në fshatin Qershizë të Shqipërisë veriore në shekullin XVIII – XIX. Dom Gjoshi, me marifetet e tij, me “fjalën e Zotit” në majë të gjuhës, me retorikën e tij djallëzore, me zgjuarsinë dhe eksperiencën që kishte, mundi që brenda një kohe shumë të shkurtër të kryqzojë dhe djegë me zjarr një nga njerëzit më të ndershëm dhe më të urtë të atij fshati – Justinën e bukur, e cila guxoi t’i thoshte “jo” joshjes seksuale të një mëkatari me bibël në dorë. Justina u dogj, sepse nuk u nënshtrua përballë priftit! (Sa shumë të tjera para saj mund të ishin nënshtruar duke fjetur me priftin mëkatar?)
Pyetja për reflektim shtrohet; në djegien dhe shkatërrimin e jetës së Justinës dhe familjes së saj, a ka ndonjë faj turma, apo të gjitha janë fajet e dom Gjoshit? A duhej që turma të ishte aq e nështruar përballë oratorisë dinake të priftit të saj? Pse turma u bë agresive edhe ndaj Pjetrit (një zë i arsyeshëm që kërkoi shpëtimin e Justinës)?
Ftesa e guximshme filozofike e autorit na drejtohet pikërisht neve, njerëzve të thjeshtë, që në një moment apo vend të caktuar përbëjmë turmën. Është një ftesë për ndërgjegjësimin tonë të brendshëm, për vlerën e lirisë individuale, të cilën po e mpijmë çdo ditë brenda vetes. Konsipracionistët thanë me të madhe se, edhe mbyllja masive nga pandemia e Covid-19, ishte një lloj nënshtrimi masiv përballë një manipulimi politiko-mjeksor. Ky mund të konsiderohet si kulmi i “manipulimit modern” dhe nënshtrimit të turmave, por a nuk kemi ne në përditshmërinë tonë turma masive (politikisht e fetarisht të indoktrinuara) që ulin kokën para “dom Gjoshëve” të tyre dallkaukë e të korruptuar, që duke folur çdo ditë për lirinë e demokracinë, i përdhosin pikërisht vlerat e lirisë dhe demokracisë? A nuk kemi ne ende turma që manipulohen me një fjalë goje, të dëgjuar në ekranet televizive apo në rrjetet sociale, të cilat të sulen pa mëshirë me fjalën e fundit? A nuk kemi ne mes nesh ishuj turmash të manipluara dhe të indoktrinuara, të cilat e kanë mendjen tek reagimi radikal, tek dhuna, tek përjashtimi shoqëror dhe goditja e më të dobtiti, e atij që është pakicë si numër ose si mendim? Sot nuk arrijnë të vendosin njerëz në kryq dhe as t’i djegin ato, por që i vrasin me plumbin e fjalës pa pikë mëshire, këtë e bëjnë.
Ftesa e hapur e Luan Ramës për ne që përbëjmë turmën është: Mos u manipuloni, por gjykoni para se të veproni! Mos e braktisni lirinë tuaj dhe identitetin që keni, mos ja dorëzoni pa kushte dikujt tjetër, që flet në emrin tuaj dhe përfiton për interesat e veta! Po ashtu, mesazhi i këtij romani është fshikullues dhe konkret edhe për vetë shoqërinë tonë, e cila në përditshmërinë e një dëshpërimi dhe zhgënjimi nga tranzicioni 30-vjeçar, pret “ushqim” nga ato soj “dom Gjoshësh”, që prej disa dekadash manipulojnë duke vënë njërën dorë mbi librin e shenjtë e dorën tjetër mbi pasurinë e popullit!
Ky roman nuk është një klithmë për dhimbjen e një vajze të bukur shqiptare të shekullit XIX, që ra viktimë e manipulimit të turmës prej një prifti batakçi, por është një thirrje e qartë për brezin e sotëm, i cili po rritet pa përgjegjshmërinë e nevojshme kolektive dhe falë individualitetit të izoluar (pasojë e teklonoligjisë digjitale) mund të bie pre e manipulimit dhe veprimeve të gabuara, siç bënë dikur banorët e fshatit Qershizë, që dogjën të gjallë një bukuroshe të pafajshme.
Përsa i përket vlerës artistike të romanit, mund të vë theksin tek stili i veçantë, ku gjithë narracioni është shkruar në formën e një proze poetike me një ritëm të brendshëm unik, dekoruar me figura të gjetura stilistike. Edhe pse e vendosur në skenën e zymtë të shumë kohëve më parë, edhe pse e zhvilluar në një mjedisshoqëror dramatik, narrativa e romanit, ecën lirshëm dhe me zhdërvjelltësi, falë aftësisë së autorit për të ruajtur ritmin e brendshëm të rrëfimit. Frazat, shpesh janë të shkurtra dhe tingëllojnë si një tekst drame apo skenari të një filmi që po shikon faqe pas faqeje, por ato gjithnjë janë plot jetë dhe krahasimet, figurat stilistike, detajet historike, elementët e tjerë si përdorimi i mitologjisë dhe mistikës, e bëjnë unik tekstin e këtij romani dramatik.
Duke ndërkallur si “rastësisht” në këtë roman, shënimet e konsujve, udhëtarëve, dijetarëve dhe albanologëve francezë, Luan Rama, e parathotë në një farë mënyre qëllimin e tij, që këtë roman ta botojë edhe në frëngjisht. Nëse merr pak distancë si lexues, e kupton se shkrimi i këtij romani është bërë në atë mënyrë që ai të mos flasë vetëm shqip, por edhe frëngjisht apo në gjuhë të tjera. Duke marrë shkas nga një histori e kaluar në kohë dhe e izoluar në gjeografi, autori arrin ta universalizojë mesazhin e tij për zgjimin e shoqërisë moderne për rivlerësimin e lirisë individuale përballë manipulimit kolektiv!
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular