BallinaOP EDAnaliza e The Economist: Pse diamantet po humbasin vlerën?

Analiza e The Economist: Pse diamantet po humbasin vlerën?

spot_img
spot_img

Diamanti vazhdon të jetë i pëlqyer për t’u vënë si unazë në gisht ose për t’u varur si gjerdan.

Vlera e tij e saktë, varet nga fakti se sa mirë është prerë guri, çfarë ngjyre ka, sa i madh është (e matur me “karat”) dhe nëse ka të meta.

Një diamant cilësor duhet të jetë sa më i qartë, sa më i rëndë, pa ngjyrë dhe i prerë në mënyrë të përsosur, shkruan The Economist.

Ndërsa për një investitor, diamanti, përveçse është i bukur për t’u parë, historikisht ka mundësuar edhe një kthim të mirë fitimesh nga investimi.

Duke pasur parasysh pasiguritë e tregut dhe shumëllojshmërinë e gurëve të çmuar që janë sot në dispozicion, të dhënat e çmimeve afatgjata janë të pakta.

Por një punim nga Luc Renneboog në Universitetin Tilburg, botuar në vitin 2015, analizoi me mijëra ankande çdo vit, duke zbuluar se kthimi mesatar i fitimeve nga diamantet midis viteve 1999 dhe 2012, rivalizonte ato të aksioneve dhe pronave.

Mbajtësit e diamanteve do të kishin pasur një fitim prej rreth 8% në vit.

Megjithatë, kohët e fundit, këto kthime të qëndrueshme i kanë lënë vendin paqëndrueshmërisë së madhe.

Sipas agjencisë së lajmeve Bloomberg, një konsorcium që ka monopolizuar prej kohësh furnizimin me diamante, i quajtur De Beers, ka ulur me 40% çmimin e gurëve të paprerë të madhësisë dy deri në katër karat.

Kjo është një kategori e njohur sepse diamantet e këtyre përmasave vendosen në unazat e fejesës. Më 13 shtator, kompania njoftoi se do të riniste fushatën e saj të famshme të reklamimit “një diamant është përgjithmonë”, në përpjekjen për të rritur kërkesën.

Kthimet e qëndrueshme të fitimeve në të kaluarën u shkaktuan pjesërisht nga kërkesa e mirë.

Ashtu si me rastin e investimit për arin, një tjetër gur i rrallë dhe i çmuar, logjika për mbajtjen e diamanteve është se kërkesa për to duhet të rritet gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike.

Në të njëjtën kohë, përdorimi kryesor i diamanteve është në bizhuteri, çka do të thotë se çmimet kanë prirjen të ecin mirë, edhe gjatë periudhave të mira ekonomike.

Por faktori më i rëndësishëm ishte furnizimi monopolist. Për më shumë se një shekull, kompania De Beers ka arritur të mbizotërojë në prodhimin e gurëve të çmuar.

Kjo strukturë tregu lehtësoi rritjen e qëndrueshme të çmimeve në dy mënyra, siç ka vënë në dukje zoti Renneboog.

Së pari, duke grumbulluar furnizimet me diamante, De Beers krijoi mungesë.

Së dyti, firma ndali përpjekjet e rivalëve. Por ndërsa në vitin 1980, De Beers kontrollonte rreth 80% të furnizimit global të diamanteve, që atëherë pjesa e saj është ngrënë nga konkurrentët, si rivali rus Alrosa. Tani kompania prodhon vetëm një të tretën e furnizimit.

Një problem tjetër lidhet me laboratorët. Në vend që të gërmojnë nga toka, ata po krijojnë gurë të çmuar artificialë, të cilët prodhohen duke ushtruar trysni ndaj karbonit. Të dy janë identikë, nëse shihen me sy të lirë.

Gurë të tillë kanë qenë të disponueshëm që nga vitet 1980, por deri në vitin 2018, përbënin një pjesë të vogël të tregut, me vetëm disa pikë përqindje. Në vitet që pasuan, kanë hyrë në treg më shumë bizhuteri të prodhuara në laborator dhe pjesa e tyre e tregut është rritur në rreth një të dhjetën.

De Beers mund ta ketë shpejtuar pa dashje këtë tranzicion. Kompania filloi të shesë diamante të prodhuara në laborator me çmime të ulëta në vitin 2018, kur gurë të tillë arritën në rreth 80% të çmimit të atyre të nxjerrë nga toka.

Qëllimi ishte të bëhej dallimi midis dy llojeve të gurëve të çmuar, në mënyrë që të ulej pëlqimi për gurët e prodhuar në laborator. The Clear Cut, furnizues i unazave të fejesës me seli në Nju Jork, ka ndjekur taktika reklamimi për të vënë në dukje të njëjtën gjë.

Ai u ofron klientëve që blejnë një unazë me vlerë 10,000 dollarë ose më shumë, një alternativë falas të prodhuar në laborator, e cila mund të përdoret si një “unazë udhëtimi”, kur klientët vizitojnë vende të pasigurta.

Shumë gurë të prodhuar në laborator, tani arrijnë në vetëm 20-30% të çmimit të gurëve të ngjashëm të nxjerrë nga toka.

Kompania De Beers argumenton se, megjithëse po rritet oferta e gurëve të çmuar të prodhuar në laborator, hendeku i çmimeve midis dy llojeve të gurëve do të vazhdojë të zgjerohet, duke i bërë versionet artificiale jotërheqëse për raste të rëndësishme.

Megjithatë, nëse marrim parasysh lëvizjet e fundit të çmimeve, duket se këto taktika kanë dhënë efektin e kundërt dhe së bashku me gurët e prodhuar në laborator, po bien njëkohësisht edhe çmimet e diamanteve të nxjerra nga toka.

Natyrisht që kjo mund të mos jetë e gjitha pasojë e një ndryshimi strukturor në treg.

Çiftet amerikane qëndrojnë të lidhur për rreth tre vjet përpara se të fejohen dhe në vitin 2020, për shkak të virusit Covid-19, shumë pak njerëz kishin mundësinë për të dalë e për të takuar partnerë të mundshëm. Këtë vit, priten të fejohen një numër jashtëzakonisht i vogël njerëzish.

Por kompania e gjithëfuqishme e diamanteve do të kishte qenë në gjendje ta zbuste këtë ndikim, duke ulur furnizimin. Ulja e çmimeve është një tregues i qartë se ka rënë fuqia e tregut.

Ky është një lajm i mirë për ata që duan të propozojnë për martesë ose që duan të blejnë një xhingël të re. Por nuk është një lajm i mirë për ata që kishin menduar të investonin në gurë të çmuar./ Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular