Rreth 110 qytetarë kosovarë janë drejtuar spitalit rajonal të Malishevës për të kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se u helmuan nga ushqimi i konsumuar në një lokal.
Ekipi i emergjencës në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ka pohuar se numri i qytetarëve të helmuar vijon të rritet
“Po vazhdon të rritet numri, deri tani 110 qytetarë janë paraqitur. Kanë të vjella, diarre dhe temperaturë”, konfirmuan për Telegrafin.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi lajmëroi më herët se kanë nisur hetimet për rastin në fjalë dhe lokali është mbyllur përkohësisht.
“Sonte rreth orës 17:30 AUV Zyra Regjionale Prizren është njoftuar nga policia dhe organet komunale se disa pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore me shenja klinike të helmimit me ushqim. Koordinatori bashkë me Inspektorët Sanitarë të AUV-së menjëherë janë përgjigjur dhe kanë dalë në raste bashkë me policinë. Nga pacientët e shtrirë është marrë informata për emrin dhe adresën lokalit gastronomik ku janë shërbyer me ushqime. Ndërsa nga ekipi mjekësore janë marrë të dhënat mbi anamnezën e të shtrirëve, shenjat klinike për dyshimet në helmim”, tha ai.
Sa i përket kushteve të lokalit, Thaçi i përshkruan si jo të duhurat, ndërsa Policia ka arrestuar pronarin.