BallinaKryesoreINTERVISTA/Kreu i PD Krujë Sabah Sheta: Ja pse mbështeta Bashën, qëndrimi ndaj...

INTERVISTA/Kreu i PD Krujë Sabah Sheta: Ja pse mbështeta Bashën, qëndrimi ndaj grupit “Bardhi” dhe apeli që kam  

Partia Demokratike e Shqipërisë prej 9 shtatorit të vitit 2021 ishte në një konflikt të brendshëm për shkak të vendimit të Lulzim Bashës për të pezulluar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar. Ishte ky një vendim i kushtëzuar nga vendimi i DASH pas shpalljes non grata dhe nga ky moment mes demokratësh pati dallime dhe kushtëzime sa i përket bashkëpunimit me z.Berisha. Për fat të keq demokratët, flas militantët kaluan deri në përplasje që as me të Rilindjes nuk iu kishte ndodhur duke fyer njëri-tjetrin, kur deri më 9 shtator ishin bashkërrugëtarë në beteja ndaj PS.
Sabah Sheta, kryetar i degës së PD Krujë ndoqi linjën euroatlantike duke qenë krah vendimit të Lulzim Bashës dhe vazhdon të besojë edhe sot që një konflikt me SHBA nuk e mundëson ardhjen e PD në pushtet. Zoti Sheta ka ditur që në bazë mes demokratëve të jetë mjaft bashkëpunues, e ka treguar këtë mësë miri është gjatë këtyre viteve të drejtimit të opozitës lokale. Ka shtrirë dorën e bashkëpunimit dhe përgjatë konfiktit që nuk prodhoi asgjë, kur edhe pse ishte ndër kandiatët e parë për bashkinë Krujë nga PD dhe me xhentilesën që e karakterizon i hapi rrugën kandidatit të Rithemelimit, por rezultati sërish ishte katastrofik sepse bashkimi i demokratëve nuk është pazëll, por bashkim idesh dhe kontributesh reale pa sforco dhe jo sepse këtë e kërkon lidershipi, apo ish-lidershipi!
Zoti Sheta, prej 3 vitesh është shef i opozitës në Krujë, por një qëndrestar i vjetër demokrat që ka dhënë më të mirën që PD të shkojë drejt pushtetit si forcë fituese dhe e besueshme edhe për bashkëqytetarët e tij. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të viti 2021 ishte spektakolar në Krujë dhe për këtë ka një meritë të veçantë. Në një intervistë për startnews.al z.Sheta flet përse vendosi të mbështes Lulzim Bashën, flet për grupin “Bardhi” dhe ka një apel!
Zoti Sheta, si kryetar i degës së PD Krujë a keni një koment për krizën që kaloi PD nga 9 shtatori 2021 dhe përse vendosët të ishin krah Lulzim Bashës?
Për mua Partia Demokratike nuk duhej ta kalonte këtë krizë artificiale dhe nuk kishte asnjë arsye që demokratët të futeshin në këtë përplasje që të çon asgjëkundi! Jemi mbi 2 vjet e 1 muaj nga ajo ditë dhe a ka mundësi të më thotë dikush se çfarë prodhoi të mirë një sherrnajë brenda nesh?! A iu hoq non grata z.Berisha, a fitoi opozitarizmi?! Personalisht si demokrat dhe drejtues politik kam mbështetur vendimin e kryetarit të PD Lulzim Basha i bindur që forca jonë politike nuk mund të vij në pushtet pa mbështetjen e SHBA, aleatit tonë strategjik që i detyrohemi dhe për ekzistencën si shtet dhe komb! Asgjë personale me z.Berisha, por ama, ai nuk duhej t’i fuste demokratët në këtë konfikt të brendshëm sepse sado që ne t’i japim mbështetje nuk e kemi të mundur t’i zgjidhjn problemin që ka me DASH! Në këto rrethana do të kishte qenë me e udhës që z.Berisha të mos e përfshinte PD në konflikt me SHBA siç dhe pati premtuar (por nuk e mbajti premtimin) dhe të shihnim dhe realisht si do të shkonte situata e mbështetjes ndaj nesh!
Unë kam qenë krah Lulzim Bashës krejt natyrshëm në mbështetje të këtij vendimi, i bindur që as ai, as ne, as demokratët nuk kanë gjë personale me ish-liderin historik, por sepse në konflikt me amerikanët nuk vijmë ne pushtet. Deklarata e ish-ambasadores amerikane Yuri Kim: – “Distancojuni nga non grata ose do të hani bar, në fakt në muajt në vijim u bë realitet”! Prova më e fortë ishin zgjedhjet bashkiake të 14 majit kur opozita e z.Berisha, z.Meta dhe turrës së partive të tjera që iu bashkëngjitën morën një humbje dërrmuese. Ky është fakti, fjalët i merr era. Ndaj çdo opozitar t’i bashkohet PD, lë pas mëritë dhe punojnë që krah Lulzim Bashës, me mbështetjen perëndimore të vijmë në pushtet si një alternativë e besueshme qeverisëse pa mbartje të së shkuarës. Personalisht e kam dhënë shembullin se si nuk duhet dëmtuar kauza opozitare ndaj dhe sot e bëj këtë kërkesë.
Zoti Sheta, me tërheqjen e z.Basha, PD gati në 1 vit e gjysëm ishte inaktive në organizimin e strukturave dhe madje në zgjedhjet e 14 majit nga drejtues të PD pati thirje madje dhe votim në kryesi për të mbështetur kandidatët e Rithemelimit. Së fundmi një pjesë e këtyre ish-drejtuesve është distancuar nga z.Basha dhe nuk iu njeh zgjedhjet për kryetar të PD, nuk njohin Kuvendin dhe Këshillin Kombëtar?
Absurdi tek disa individë nuk njeh kufinj. Kanë absulutisht përgjegjësi për gjendjen ku ndodhet PD dhe na dalin si engjëj të zgjidhjes së krizës. A mund të na thonë ne demokratëve të bazës se çfarë opozite prodhuan këta individë dhe çfarë bënë për të forcuar më tej PD. Përkundrazi e lanë në agoni nuk punuan asnjë ditë për të forcuar më tej strukturat dhe siç duket kjo paska qenë e qëllimshme. Sa i përket zgjedhjeve të 14 majit kërkesa paska qenë e qëllimshme dhe kjo vërtetohet në qëndrimet e tyre pas zgjedhjeve. Në emër të maksimalizimit të votës opozitare iu bë thirrje kandidatëve të Rithemelimit të vinin nën logon PD dhe nuk pranuan dhe madje disa kandidatë, njëri prej të cilëve isha dhe unë hapëm rrugën për të mos qenë pengesë në atë që pretendohej fitore e kauzës opozitare e cila nuk u mundësua! Pastaj qëndrimi i drejtuesve të PD, siç ishte rasti i z.Bardhi që mburret që ka votuar kandidatin e Partisë së Lirisë është një qëndrim antipartiak. Sa i përket pretendimit se nuk njihen zgjedhjet në PD, ky nuk është gjë tjetër veçse një qëndrim personal i disa individëve të cilëve demokratët nuk i ndoqën pas. I gënjeu mendja se ishin lidership, por kur e panë që nuk kanë mbështetje në strukturë ishte vonë për ta, ndaj dhe iu bashkuan z.Berisha për një mandat deputeti!
Në fakt njëri prej kundështarëve të zgjedhjeve në parti që nuk njeh forumet, por dhe mori një pjesë deputetësh demokratë (që njihet grupi Bardhi), për t’i bashkuar me Rithemelimin është Gazment Bardhi. Ai thotë që ka një vendim të Këshillit Kombëtar të 27 korrikut që nuk e njeh zgjedhjen e Lulzim Bashës e mandej forumeve, Këshill Kombëtar dhe Kryesi? Cili është komenti juaj?
Ky nuk është gjë tjetër veçse një qëndrim i një individi, i ish-sekretarit të përgjithshëm të PD, por që asnjë forum nuk e ndoqi pas, as Kryesia, as Këshillit Kombëtar, jo e jo Kolegji i Kryetarëve.
Për kë vendim të Këshilli Kombëtar flet z.Bardhi, të atij këshilli ku nuk pamë foto, video apo listë anëtarësh si transparencë për publikun! Sa i përket deputetëve të “Grupit Bardhi” siç duke ata paskan qenë të qartë, pjesë e një skeme më herët për të qenë gati dhe iu bashkënjgitur grupit të deputetëve që mbështesin z.Berisha ose siç i quani ju ndryshe Rithemelimin. Për mua PD është një! Institucionet e PD kanë funksionuar dhe jemi drejt përfundimit të zgjedhjeve dhe në degë dhe më pas organizimin për caktimin e kandidatëve për deputetë si dhe punën intensive për të fituar zgjedhjet e vitit 2025. Duhet të shkojmë para shqiptarëve me karta të pastra për të iu kërkuar votën, duhet të kemi një program të qartë, të jemi të besushëm që ata të na rikthejnë në pushtet. Nëse ne do iu shkojmë me ata që qeverisën deri në 2013 dhe na larguan me 1 milionë vota, kjo do të thotë se po tallemi me qytetarët dhe ata janë aq të zgjuar sa të mos e pranojnë një gjë të tillë.
Si qytetar, shefi i opozitës në Krujë, si e shihni gjendjen në të cilët ndodhet Shqipëria sot? Cila duhet të jetë obligimi i PD në këtë situatë dhe nëse do të keni një apel  kujt do të ia drejtoni?
Situata në Shqipëri është në pikën kritike. Njerëzit largohen çdo ditë, shihet kjo dhe në territorin e  Bashkisë Krujë dhe kjo ndodh nga korrupsni galopant që ka përfshirë institucionet shtetërore në nivel qendror dhe lokal dhe mosllogaridhënia ndaj ndaj qytetarëve!
Ndaj së pari është detyrë e jona si PD që veç denoncimeve, të jemi të qartë dhe të drejtëpërdrejtë ndaj qytetarëve në atë model qeverisje që do të ofrojmë nëse do na besojnë votën. Një gjë e tillë mundësohet me personalitete të reja të fushave të ndryshme që duhet të ofrojmë në parti, njerëz profesionist, të pakorruptuar, që janë të mirëshkolluar brenda dhe jashtë vendit dhe që kanë dëshirë të japin kontributin e tyre për forcimin dhe ringritjen e fuqishme të PD sot dhe Shqipërisë nesër. Kjo është përgjegjësia jonë. Nesë do të shkohet para shqiptarëve me karta të djegura sigurisht që mazhoranca do të jetë e avantazhuar dhe për format që përdorë në procese zgjedhore për të marr votën. Kur në të krijojmë besimin, shqiptarët nuk do të joshen më nga metodat aspak demokratike të Rilindjes dhe as do të ndikohen nga presoni i tyre. Apeli që kam është që; çdo opozitar, çdo qytetar im pangazhuar, çdo i majtë i pakënaqur nga mënyra se si po drejton Edi Rama t’i bashkohen PD dhe Lulzim Bashës si garanci për një qeverisje ndryshe, me mentalitet perëndimor që do të mundësojë integrimin e Shqipërisë në BE fal mbështetjes së familjes së madhe europiane si dhe aleatëve tanë SHBA dhe Britani e Madhe.
Intervistoi: MIna HYSA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular