Të dyshuarit akuzohen për trafikim të paligjshëm të substancave narkotike, prodhim, trafik dhe mbajtje të paligjshme të drogës, pastrim parash dhe armëmbajtje pa leje. Mes të arrestuarve është edhe shqiptari 30-vjeçar, Klisman Curraj, i identifikuar nga mediat italiane.
Hetimet u kryen nëpërmjet përdorimit jo vetëm të veprimtarive të policisë gjyqësore si përgjimet telefonike, analiza e të dhënave telefonike, por edhe ekzaminimi i përmbajtjes së mesazheve të shkëmbyera në platformën e koduar “Sky Ecc”.
Pika e nisjes në hetimin e drejtuar nga Drejtoria Antimafia e Qarkut, ishte arrestimi i kryer në Francë më 26 tetor 2019, i një 47-vjeçari nga Torre Canne,Massimo Duca, i arrestuar me 75 kilogramë kokainë me destinacion Italinë dhe 865 mijë euro.
Rrjeti organizonte transportin kryesisht nga toka falë makinave të modifikuara siç ndodhi në episodin në Francë. Sakaq, në total, në operacion u sekuestruan 127 kilogramë kokainë dhe 142 kilogramë kanabis si dhe 1.3 milionë euro.