Nga Arta Marku
Çfarë është drejtësia? A ekziston? A është ajo një realitet apo më shumë një ëndërr nga ato që treten si vesa me rrezen e parë të diellit?
Çfarë qëndron në thelb të zgjedhjeve që bën ai që quhet njeri i drejtësisë? A është plotësisht i vetëdijshëm për objektivitetin e vendimeve që merr? Apo subjektiviteti është i pashmangshëm?
A është një prokuror një njeri i cili, si çdo njeri në fund të fundit, ka kufizimet e veta? Dikush me brishtësinë tipike njerëzore e për pasojë i cënueshëm? A ka ai dilema e sidomos nga ato të mundimshmet?
Martin Guri, siç krijuesi i tij ka dashur ta shenjojë qysh në emër, është një njeri i fortë. Së paku i tillë është dëshmuar deri në momentin kur brenga e kaplon. Në dorë ka dosjen e një krimineli për të cilin është i bindur se do t’i japë, siç është e drejta, një dënim me burgim të përjetshëm. Çdo krim i kryer prej tij është sakaq i vërtetuar. Pritet veç pretenca e tij si prokuror i çështjes.
Papritmas atë vjen ta takojë një grua. Një grua fatale nga ato që i takon një herë pa mundur t’i harrosh më kurrë edhe kur rrugët e jetës mund të të kenë çuar në një drejtim pa pika përputhjeje.
Gruaja ka një mesazh për prokurorin. Ka një kërcënim. Një kërcënim tejet turbullues, brengosës.
Martin Guri kurrë ndonjëherë nuk ka rënë pre e kërcënimeve. E përpjekjeve për t’u blerë jo se jo: i është përkushtuar drejtësisë. Me gjasë njerëz të tillë ekzistojnë. Por deklarata e gruas është kaq e paimagjinueshme. Mes kriminelit që pret dënimin dhe prokurorit që do ta japë atë dënim, paskësh një lidhje. Më shumë akoma një lidhje nga ato që është e vështirë, ndoshta e pamundur, të shpërfillen. Prokurori e sheh veten në teh të briskut.
Është libri BRENGA E PROKURORIT dhe deri këtu rrëfimi vetëm sa ka filluar. Nga ky moment ngjarjet nuk vijojnë të ecin përpara por në drejtimin e kundërt. Prokurori bën digresione: në një monolog të gjatë ai nis të zbardhë jetën vetjake që nga fëmijëria. Flet për veten dhe personazhet fatet e të cilëve, në një moment a tjetër, janë kryqëzuar me fatin e tij. Mes tyre, në mënyrën më të paimagjinueshme, krimineli. Lidhja është realisht e ndërlikuar…
Në njërën anë një prokuror personifikim i të mirës, i drejtësisë. Përballë tij një kriminel, personifikim i së keqes, i padrejtësisë. Ndeshen. Kujt do t’i takojë fitorja?
BRENGA E PROKURORIT, sado i ngjyer me tiparet e romanit policor, është një rrëfim thellësisht psikologjik. Në pamje të parë duket se paraqet një realitet të njohur sikurse ai i përditshmi. Por e njohura është vetëm sipërfaqja. Nën cipën e saj të hollë ka gjëra mbi të cilat ia vlen reflektimi:
Çfarë është një kriminel?
Pse vret?
A lind njeriu vrasës?
Sa apo si i përcaktojnë rrugët a kthesat e jetës së dikujt, kushtet, rrethanat, vendi a koha në të cilën ai lind e rritet?
Sipas një studimi, “viti i mbrapshtë i Shqipërisë bashkëkohore, 1997-a, ishte inkubatori i krimit. Shumica e të rinjve që ishin bërë kriminelë kishin kaluar fëmijërinë në atë periudhë: çdo natë ata kishin parë nëpër kronika televizive FRYMËZIMINE SË ARDHMES”.
Statistikat i kanë çuar shkrimtarit ujë në burimin e tij duke e ndihmuar të ndërtojë një botë letërsie.
Sigurisht, siç thuhet, letërsia shtron pyetje dhe nuk jep përgjigje.
Ama teksa të përfshin nëpër thellësi zgafellesh, rreket së paku të hedhë dritë në zonat më të errta të tyre duke e nxitur lexuesin në proces reflektimi.
Në zonën e errët është krimineli, por prokurori ka gjithashtu zonat e tij të errta. Kurse shkrimtari endet në terrene që i njeh mirë, i ndihmuar nga përvoja e tij profesionale.
Është Ahmet Prençi, ish shef i policisë shqiptare.
Pas personazheve të tij fshihen modele njerëzish realë. Në ndonjë rast e nga lexues të ndryshëm mund të jetë i mundur edhe identifikimi i personazhit me modelin prej nga është ngjizur. Akoma më shumë, diku diku, vetë shkrimtari i ka qëndruar modelit krejt afër, duke i ruajtur copëza të emrit.
Por jemi gjithsesi në letërsi. Në fund të fundit, pas Martin Gurit mund të jetë çdo prokuror, i çdo vendi e kohe, aq sa pas Marjan Bojës çdo kriminel me tiparet e tij identifikuese.
Askush nuk mund të thotë se përjashtimet nuk ekzistojnë. Se ja për shembull: E.Ç. janë nistoret e emrit të një të dënuari të përjetshëm që disa kohë më parë më pat shkruar një letër nga Burgu i Peqinit, prej nga siç dukej, ndiqte edhe “Bibliotekën”. Brenda një zarfi të verdhë bashkë me letrën kish futut edhe librin e tij me poezi të titulluar “Falmëni”. Hamendësoj se libri me vjersha nuk ështe një kërkesë e njëmendtë për falje më shumë se sa katarsisi i autorit të rreshtave. Në fund të fundit destin tjetër s’ka për të veç burgut të përjetshëm, sepse ka vrarë. Ama poezia dhe letërsia që e zbuloi, as më pak e as më shumë por në bibliotekën e burgut, në mos tjetër duhet t’i kenë shpëtuar shpirtin. Po, si një përjashtim dua ta shoh E.Ç. Si një dëshmi se përjashtimet ekzistojnë, ama çdo herë duke përforcuar rregullin. Kurse BRENGA E PROKURORIT nuk synon të përjashtojë më shumë se sa të përgjithësojë, pavarësisht nga të papriturat shkundëse e ndoshta edhe përjashtuese, që të ofron leximi…