Rudi Vata mendon se në të ardhmen Sh qipëria do të jetë një opsion për djalin e tij Roko Vata, edhe pse aktualisht 18-vjeçari përfaqëson Irlandën. Ish-kapiteni i Kombëtares konfirmon se Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka tentuar të kontaktojë apo të marrë informacion zyrtar për Rokon, edhe pse ai nuk kërkon një justifikim për këtë. Madje, i pyetur në një intervistë eksluzive nga “Panorama Sport” në lidhje me deklaratën e fundit të trajnerit të Shpresave, Vata tregon se me Alban Bushin ka qënë shok dhomë në ekipin kombëtar, ndërsa për djalin nuk e ka pyetur ndonjëherë.
Megjithatë, ndër të tjera, Rudi shprehet se djali i tij duhet të punojë fort dhe çdo gjë ta arrijë me meritë të plotë. Ai gjithashtu lë të hapur mundësinë që në të ardhmen, Roko të përfaqësojë Shqipërinë, pasi është detyrë e stafit teknik që të vlerësojë nëse është i vlefshëm për ekipin kombëtar. Vata, që numëron 58 ndeshje me Shqipërinë flet edhe për skuadrën e Silvinjos, frymën që ka sjellë, si edhe çfarë na pret pas kualifikimit, pasi sipas tij është mision i kryer.
Si e sheh Rudi Vata këtë Shqipëri?
Kombëtarja është rritur në të gjitha drejtimet. Me Silvinjon ka treguar forcë karakteri, profesionalizëm, dëshirë dhe gjithçka me këto ndeshjet deri tani. Është një Kombëtare që vetëm po rritet dhe nuk kënaqet, si rallëherë nuk ka vetëkënaqësi, ka pak fjalë dhe shumë rezultat. Duke punuar me këtë lloj mënyrë dhe këtë lloj standarti, njeriu beson te arritje të tjera, përveç këtyrë. Në futboll ka një shprehje në Angli ku thuhet “T’i je i zoti sa ndeshja jote e fundit”. Kështu është edhe Kombëtarja, në ndeshjen e fundit ka fituar dhe ka lënë një shije të mirë te të gjithë.
Çfarë duhet të bëjë Kombëtarja për të ruajtur këtë vazhdimësi dhe këtë ritëm?
Këtu është edhe sekreti që do ta zbulojmë. Sigurisht që trajnerët e rinj janë me energji, janë ambiciozë, e njohin mirë sesi funksionion futbolli, i njohin mirë si janë nivelet e larta, pasi kanë luajtur vetë në karrierën e tyre. Pak a shumë kanë edhe një afërmitet me lojtarët, pasi edhe mosha e tyre nuk është e nivelit të ish-trajnerit Reja që kishte një disbalancim të madh me grupin. Këta kanë krijuar një lloj ansambli, që janë edhe familje, edhe shokë, edhe tolerant dhe kur ndërtohet një atmosferë e tillë, ka lezet të punosh.
A mjafton vetëm kjo atmosferë, ky pasion, për të vijuar me rezultate pozitive pasi në fushë, shohim një Shqipëri që është e dominuar nga rivali, por ka marrë pikët dhe ndeshjet janë zgjidhur me eurogola…
Duhet të kuptojmë që golat e Asanit, Bajramit apo i Asllanit ia kanë rritur shumë prestigjin ekipit tonë kombëtar dhe rezultatet sigurisht që kanë ndikuar. Këto gola kanë qënë spektakolarë dhe në arenën ndërkombëtare Shqipëria nuk i ka realizuar në mënyrë kaq të rregullt, kanë ardhur njëri pas tjetrit dhe mund të themi që është pjesë e fatit, të formës së mirë të futbollistëve, por këto gola i kanë rritur vlerën.
A do të vazhdojmë të shënojmë ne gola të tjerë spektakolarë?
Kjo mbetet për tu parë. Normalisht edhe fati vjen duke punuar, nuk vjen rastësisht, ka një lloj arsyeje dhe një lloj kompesimi. Ka shumë faktorë pozitivë që na kanë çuar te niveli ku jemi. Padyshim edhe cilësitë e një lojtari si Jasir Asani që ky trajner i ka vënë re ato cilësi dhe ai e ka shpërblyer. Por edhe ajo që thoni ju është e vërtetë, ne nuk jemi një Kombëtare që të bëjmë namin, kemi ende rrugë për të bërë.
Për ju, mendoni se kualifikimi është çështje e mbyllur dhe çfarë na pret më pas?
Mendoj se profesionalisht nuk është korrekte për të thënë që jemi kualifikuar, por me logjikë mendoj se është e kryer. Edhe pas saj, nuk mbaron me aq. Mos harrojmë që jemi një shtet i vogël, në të kaluarën kemi parë një Bosnjë që arriti në Botëror dhe sot kemi një Bosnjë të varfër. Futbolli duhet të merret me seriozitet dhe duhet të mos ndalosh së rrituri.
I ka mundësitë Shqipëria për tu rritur edhe më shumë si skuadër?
Po, patjetër që i kemi këto mundësi. Kemi mbërritur në një fazë që futbollistët tanë shumica kanë lindur në vende të huaja, janë edukuar profesionalisht dhe me mentalitet europian, janë korrekt. Në aspektin e rritjes i kemi mundësitë sepse sa më shumë shtohen familjet shqiptare në Europë, aq më shumë pritet të dalin edhe talente, duke pasur mundësinë për të zgjedhur ngado dhe sigurisht me një menaxhim dhe organizim të mirë, mund të marrësh edhe rezultatet e mira.
Një talent shqiptar që ka dalë nga Europa është edhe Broja, si e shihni qasjen e tij në Kombëtare?
Unë jam një tifoz i futbollit që luan Broja, është një talent që Shqipëria e ka të domosdoshëm dhe për ta menaxhuar shumë mirë. Kemi vetëm një të tillë në profilin e tij. A ka gabuar Broja, jam i sigurt që nuk ka djalë të ri apo futbollist që nuk do të gabojë, por gabimet janë për tu riparuar dhe mendoj nëse ai ka gabuar diku, duhet të tërhiqet, nëse dikush tjetër ka gabuar diku, duhet të gjenden mënyrat që të balancohen gjërat dhe të ruajmë frymën e grupit. Dhe nëse funksionojmë si grup, mund të bëjmë gjëra të mëdha.
Djali juaj Roko ka debutuar për ekipin e parë të Sëlltikut dhe aktualisht përfaqëson Irlandën, a ka dërguar Shqipëria një ftesë për të?
Shqipëria as edhe njëherë nuk ka tentuar që ta kontakojë me Rokon. Pse nuk ka tentuar, në çdo këndvështrim mundesh të nxjerrësh një justifikim. Unë nuk jam një person që kërkoj justifikim, as nuk kërkoj simpati, por unë mendoj që i vogël Roko është identifikuar nga Irlanda pasi klubi i tij Sëlltiku që në moshën 7 vjeçare është krijuar nga një irlandez dhe sot pronarët e klubit janë irlandezë. Duke pasur këto lidhje me Irlandën, sigurisht që ata i kanë dhënë mundësinë këtij talenti dhe i ka bërë ftesë që në moshën 14 vjeçare dhe aty ka filluar e gjithë historia. Që në ato momente ka mbetur në shënimet e federatës irlandeze me grupmoshat e tyre.
Por, duke u nisur nga deklarata e fundit e Alban Bushit që thote që shpresoj që në të ardhmen Roko Vata të luajë për Shqipërinë, mund të themi se është një fillim i mbarë?
Unë kam përfaqësuar Kombëtaren që në moshën 14 vjeçare e gjysmë jam ftuar për herë të parë. Kam kaluar të gjitha moshat deri te Kombëtarja A. Edhe për mua ka qënë emocion i vërtetë sepse në kushtet tona ka qënë privilegji më i madh të luajë për atë fanellë. Gjithmonë me meritë, sakrificë dhe shpirt luftarak. Nëse Roko ka për të punuar si unë, që mendoj se i ka mundësitë dhe duhet të meritojë për të mbërritur në nivelet e ekipeve kombëtare, dhe prej momentit që e meriton prej punës që ka bërë, sigurisht që mund të ndodhë edhe ajo që stafi i Shqipërisë mund ta identifikojnë dhe kontaktin e kanë. Unë nuk jam armiku i FSHF-së, por jam miku i futbollit shqiptar. Futbollin e kam dashur më shumë se nënën dhe babën. Nëse stafi teknik mendon se është i vlefshëm dhe nëse e meriton, ma merr mendja që do ta kontaktojnë, por deri në atë kohë ka shumë punë për të bërë, por është në rrugë të mbarë. KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL