Nga Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Institutit të Bashkive
Projektbuxheti 2024 për 61 bashkitë dhe 12 Qarqet parashikohen rritje të ndjeshme sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Një buxheti është i mirë kur shpërndahet drejtë, në mënyrë efikase, kur përmbush nevojat e qytetarëve për të financuar shërbimet thelbësore, kur promovon e siguron stabilitetin dhe rritjen ekonomike.
Një buxhet projektohet në sasinë dhe me cilësinë për t’ju përgjigjur nevojave të grupeve të ndryshme të qytetarëve, komunitete lokale, që të krijojnë stabilitet demografik, vende pune, siguri dhe mirëqenie sociale.
Për vitin 2024 shpenzimet për pushtetin vendore parashikohen të jenë 71 miliardë lekë, ose 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qendrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë.
Por nëse bëjmë një krahasim me vitin 2023 buxheti është rritur me 5.5 miliardë lekë. Natyrisht është lajm i mirë për njësitë e qeverisjes vendore, por mbi të gjitha lajmi akoma më i mire nëse këto burime financiare përkthehen në përmirësim të jetesës së qytetarëve.
Por ajo që nuk duhet të harrojë qeveria në shpërndarjen e buxhetit për bashkitë janë disa fakte:
1- Nevojat reale që kanë vërtet të gjitha bashkitë, sidomos bashkitë e vogla, të mesme, rurale dhe malore me potenciale të ulëta të të ardhurave të tyre.
2- Bashkitë kanë 42 funksione, përgjegjësi dhe kompetenca që, për t’i realizuar me një standard sado minimal, kërkojnë një buxhet arsyeshëm më të madh.
3-Buxheti nuk prezanton një qasje strategjike ndaj sektorëve me rëndësi ekonomike dhe të shërbimeve.
Këtu i referohem disa sektorëve që mbeten problematikë në këto 30 vite, si: shërbimi i menaxhimit të mbetjeve dhe ekonomia qarkulluese; furnizimi me ujë dhe kanalizimi (49% te aksioneve) që kanë bashkitë në 15 Shoqëritë e ujësjellësve dhe kanalizimeve; zhvillimi i sektorit bujqësorë i cili është pjesë përbërëse e shërbimit dhe ekonomisë në 61 bashki pas ndarjes territoriale; infrastruktura rurale etj.
Nga ana tjetër ajo që vitet re në këtë draft është fakti që buxheti ndjek linja klasike. Ai nuk konsideron (së paku se gjejmë të artikuluar deri tani) apo merr në konsideratë dy dimensione që gjithmonë vlerësohen dhe parashikohen nga institucionet politikëbërëse qendrore dhe lokale në vende të zhvilluara, si:
Së pari, ka të bëje me planifikim buxhetor për rreziqet natyrore dhe ndryshimet klimatike dhe se dyti buxhet për t’ju përgjigjur krizave rajonale dhe globale në aspekte të ndryshme. Kjo për faktin se kemi një ndërlidhje të natyrshme, si pasojë e efekteve të evropianizimit dhe globalizimit dhe aftësia për t’u ndikuar në nivel kombëtar dhe lokal ka relevancë të konsiderueshme.
Së dyti, projektbuxheti parashikon në total 71 miliard lekë shpenzime vendore. Këtu sërish pritet rritje me gati 10% që do të vijë nga ecuria buxhetore e të 61 bashkive. Edhe pse është parashikim do të ishte mirë nëse do të arrihej. Por nëse i referohemi të dhënave që mbyllin vitin 2022, apo fakteve të deritanishme të 2023, ka hapësirë për mosbesim.
Kjo së paku kur i referohesh nivelit të taksës së pasurisë që për vitin 2022, ku sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë u arkëtuan vetëm 0.32% e PBB-së, (52 milionë euro) por dhe të ardhurave të tjera të munguara nga pafuqia dhe kapacitetet administrative apo vullnetet politike për të zgjeruar bazën e taksave dhe tarifave.
Por shanset për një buxhet të zgjuar të mirë planifikuar, fleksibël, praktik edhe brenda këtij potenciali financiarë ekzistojnë kur plotësohen disa premisa nga bashkitë:
Së pari kur bëjnë një planifikim financiarë real për buxhetimit të suksesshëm.
Së dyti kur mbajnë shpenzime të përditshme dhe administrative të balancuara me nevojën për të shpërndarë shërbime dhe jo për të konsumuar burimet.
Së treti kur ulin shpenzimet e panevojshme dhe kontrollojnë borxhin dhe e reduktojnë atë. Së fundmi nuk pretendohet se buxheti i një shteti i cilit do qoftë ai, të sigurojë “ngopje” me mjete financiare për çdo institucion, sektor apo shërbim.
Por realiteti, nevoja dhe emergjenca që kanë sot bashkitë për shërbime publike dhe zhvillim ekonomik, kërkon një buxhet arsyeshëm më të madh. Kjo rritje duhet të vijë nga transferta e pakushtëzuar për bashkitë që duhet të arrijë nga 1% që është sot në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo do t’ju sigurojë bashkive pavarësi dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Monitor