Me një stadium plot do të luhet ndeshja e ardhshme kualifikuese e Shqipërisë, transferta ndaj Moldavisë, e cila është e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2024 që do të zhvillohet në datën 17 nëntor. Të gjitha biletat për këtë ndeshje janë shitur më shumë se dy javë përpara zhvillimit të saj.
Njoftimi është bërë nga Federata e Futbollit të Moldavisë, e cila ka publikuar edhe çmimet për këtë takim. Bileta më e lirë ka pasur një çmim prej 30 eurosh, ndërsa më e shtrenjta arrin në 120 euro.
Po ashtu, sipas sektorëve, në shitje ka pasur edhe bileta me çmimin 40, 60 apo 80 euro. Ky interes i lartë vjen për shkak se moldavët ndodhen më pranë se kurrë arritjes së një kualifikimi në Europian dhe ndeshjen me Shqipërinë e shohin shumë të rëndësishme.
Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Zimbru Kishinjau” me një kapacitet prej 10.500 vendesh. Sa u përket tifozëve shqiptarë, patjetër që në një ndeshje, e cila mund të vulosë kualifikimin teksa mjafton një pikë, do të ketë rreth 700-750 tifozë shqiptarë të pranishëm në shkallët e stadiumit. PANORAMASPORT.AL