Nga Erl Kodra
Imagjinoni një skenar të tillë; Sali Berisha dorëzon mandatin e deputetit të Partisë Demokratike në shtator të vitit 2013. Ose Sali Berisha nuk kandidon më si deputet i Partisë Demokratike në vitin 2017. Ose Sali Berisha nuk kandidon për deputet në zgjedhjet e vitit 2021. Ose Sali Berisha tërhiqet nga politika pas shpalljes non-grata nga Departamenti i Shtetit. Ose Sali Berisha pranon në heshtje largimin nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Ose Sali Berisha nuk e fillon fare Foltoren, dhe nuk mbledh fare Kuvendin në Air Albania. Ose Sali Berisha nuk sulmon Partinë Demokratike më 8 Janar. Ose Sali Berisha nuk bën aleancë me Ilir Metën në zgjedhjet e 14 Majit, dhe për hirë të demokratëve, pranon të dalë me kandidat të përbashkët konsensual si për kryetarë bashkishë, ashtu edhe për këshillat bashkiakë.
Imagjinoni sikur nesër Sali Berisha, pasi thërret një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, deklaron se tërhiqet nga Partia Demokratike, duke u bërë thirrje demokratëve të bashkohen dhe të kujdesen për fatin e vendit, dhe jo fatin e tij. Pastaj merr gjërat personale, përshëndetet me demokratët, dhe ikën nga politika.
E imagjinoni se sa do të lartësohej figura e Tij? E merrni me mend se çfarë energjie do të shpërthente në popullin opozitar, se si këtij burri do t’i faleshin të gjitha dhe gjithçka?