Një përpjekje e fundit për zgjerimin e BE-së

0
303
A large European Union flag lies at the centre of Schuman square, outside the European Commission headquarters, on the eve of Europe Day, commemorating the declaration made by Robert Schuman in 1950, in Brussels, Belgium, May 8, 2021. REUTERS/Yves Herman - RC2PBN902QIB
BE-ja më në fund po përgatitet për zgjerim. Kalimi nga 27 në 36 anëtarë do të kërkojë reforma të mëdha, shkruan The Economist

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka shkaktuar një sërë riorganizimesh gjeopolitike, nga Kina në Indi. Shumë prej tyre ka të ngjarë të jenë kalimtare. Por një rend i ri europian, që tani po shqyrtohet nga BE-ja, mund të jetë i qëndrueshëm.

Rreth 2,000 km larg vijës së frontit, në Bruksel, lufta e ka shtyrë Bashkimin Europian të marrë parasysh si mundësi pranimin e vendeve të reja në bllok, për herë të parë në më shumë se një dekadë dhe blloku ka marrë hapa për të kryer atë që me shumë gjasa, do të jetë zgjerimi i fundit i madh.

27 udhëheqësit kombëtarë të BE-së u takuan në qytetin spanjoll Granada për të përcaktuar një rrugë drejt këtij zgjerimi dhe për të shqyrtuar si do të funksiononte një bashkim i ri. Rruga drejt anëtarësimit në BE për nëntë shtete të reja – duke përfshirë Serbinë,

Shqipërinë dhe katër të tjera në Ballkanin Perëndimor, si dhe Ukrainën, Moldavinë dhe ndoshta Gjeorgjinë, do të jetë e vështirë.

Që këto shtete të bashkohen me bllokun më të madh ekonomik në botë (me një madhësi të ngjashme me Amerikën), ato duhet të ndërmarrin reforma të thella që deri tani i kanë shmangur ose që janë të vështira për t’u realizuar nga vende si Ukraina, nën pushtimin rus.

Nga këndvështrimi i BE-së, kalimi nga një bllok me 27 anëtarë, në një me 36, do të jetë i mundur vetëm nëse rishqyrtohet funksionimi i tij i brendshëm.

Kjo do të përfshijë ndryshimin e baraspeshës së fuqisë midis institucioneve qendrore të bllokut dhe kryeqyteteve kombëtare, për shembull, duke bërë që blloku të mos mbetet më peng i tekave të një shteti të vetëm. Riorganizime të tilla të brendshme mund të nxisin lehtësisht diskutime nëpër samite, që janë një ndodhi e shpeshtë në BE.

 

 

Askush nuk pret që ky proces të jetë i shpejtë apo i lehtë: viti 2030, që është caktuar si një datë paraprake për hyrjen e aplikantëve dhe për përgatitjen e BE-së është ambicioz dhe ndoshta një afat i parealizueshëm.

Sidoqoftë, vetë fakti që hyrja e më shumë shteteve në bllok është në rendin e ditës është diçka mbresëlënëse, duke pasur parasysh se entuziazmi për të ardhur të rinj ishte zbehur në vitet e fundit.

Në vitet e hershme të krijimit, zgjerimi përparoi dhe blloku që filloi me vetëm gjashtë anëtarë themelues, u zgjerua në 28 shtete anëtare (para se Britania të largohej).

Por në vitin 2013, kur Kroacia u lejua të hynte në BE, procesi dukej se ngeci; që atëherë, askush nuk është bashkuar. Përpara Kroacisë, ishin anëtarësuar Bullgaria dhe Rumania, në vitin 2007.

Një arsye për këtë, ishte “lodhja nga zgjerimi” i anëtarëve të vjetër të bllokut, me në krye Francën, e cila kishte filluar të shqetësohej se zgjerimi i BE-së po ndodhte në kurriz të thellimit të integrimit të bllokut.

Edhe shtete të tjera u pajtuan me të, veçanërisht pas sjelljes së disa prej vendeve të reja anëtare, si ato të ish-bllokut sovjetik, që ishin lejuar të anëtarësoheshin në vitin 2004.

Hungaria dhe Polonia ndonjëherë janë drejtuar nga qeveri të korruptuara dhe janë akuzuar për shkelje të vlerave themelore të BE-së, për sa i përket sundimit të ligjit.

Për pjesën më të madhe të viteve 2010, BE-ja u përfshi nga kriza e Eurozonës dhe nuk kishte ndër mend të merrej me sfida të reja. Ndërsa Ukraina, nga ana tjetër, nuk u anëtarësua sepse ishte shumë e madhe, shumë e varfër, shumë e korruptuar dhe shumë agrare për të hyrë në një klub që i llaston fermerët e tij me subvencione të shumta.

 

Zgjerimi dikur drejtohej nga shpresa; tani nxitet nga frika

Lufta në Ukrainë e ka ndryshuar llogaritjen. “Zgjerimi dikur drejtohej nga shpresa; tani nxitet nga frika”, shprehet një diplomat nga një vend kandidat.

Të lodhur nga premtimet për anëtarësim, disa vende ballkanike kanë kërkuar mbështetje nga aktorë të tjerë të mëdhenj, si Rusia, Turqia dhe Kina, të cilët e kanë mbushur rajonin me ndihma dhe investime.

Kjo dikur ishte thjesht e bezdisshme për BE-në. Tani është një dukuri e patolerueshme në oborrin e saj të pasmë.

 

 

Për sa i përket Ukrainës, që tani është kandidatja më e madhe (shih grafikun), zyrtarët nga vendet e BE-së janë të shqetësuar se mbajtja jashtë e një fqinji me shumë burra të regjur nga lufta, mund të jetë një shkak për debate të ardhshme.

BE-ja gjithsesi është zotuar për rindërtimin e vendit. Kostot e pranimit të Ukrainës dhe shteteve të tjera në bllok, do të jenë të rënda, sepse këto vende janë ende të varfra, të korruptuara dhe agrare, në shkallë të ndryshme. Megjithatë, ndoshta do të ishte edhe më e kushtueshme nëse ato do të mbaheshin jashtë.

Franca duket se e ka vënë re këtë realitet të ri. Në maj të vitit 2022, presidenti Emmanuel Macron u shfaq pesimist për mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës, duke thënë se do të duheshin “disa dekada”; edhe më parë, ai kishte treguar të njëjtin pesimizëm për shanset e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit.

Ndërsa tani, Franca ka filluar të mbështesë idenë e zgjerimit. Anëtarët e tjerë të BE-së kanë qenë gjithmonë më përkrahës ndaj kësaj ideje: marrëveshja e koalicionit qeverisës të Gjermanisë, e themeluar në vitin 2021, ka deklaruar se vendi është i hapur për anëtarësimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Europa Qendrore gjithashtu dëshiron që Ukraina dhe vende të tjera të bashkohen, për arsye sigurie. Ky është një nivel i madh pajtimi për një bllok si BE-ja, ku ka vazhdimisht shumë mosmarrëveshje.

 

Pengesat në rrugën e anëtarësimit

Në rrugën e anëtarësimit të nëntë anëtarëve të rinj, qëndrojnë dy pengesa të mëdha. E para ka të bëjë me shtetet kandidate. E dyta lidhet me gatishmërinë e bllokut për ndryshim.

Fillojmë me kandidatët. Thënë qartë, ka një arsye të mirë pse Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe vende të tjera nuk janë tashmë në BE. Asnjë prej këtyre shteteve nuk qeveriset mirë. Të gjithë vuajnë nga një përzierje e autokracisë, korrupsionit dhe sundimit të dobët të ligjit.

Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina kanë trupa ruse në territorin e tyre. BE-ja krenohet si një “projekt paqeje”, megjithatë tensionet e zjarrta vazhdojnë midis Serbisë dhe Kosovës, duke përfshirë përleshje të armatosura.

Serbia nuk ka pranuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Presidenti Aleksandër Vuçiç, në fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, sulmoi Perëndimin, duke bërë ankesat e përhershme. Nga ana tjetër, Kosova nuk njihet si shtet nga pesë anëtarë të BE-së.

Bosnja është ende e përçarë nga tensionet etnike që shpërbënë Jugosllavinë në vitet 1990. Mali i Zi, dikur një kandidat kryesor për anëtarësim në BE, ka pasur një qeveri të përkohshme për më shumë se një vit.

Edhe kur udhëheqës pro BE-së duket se po ndërmarrin reforma të dobishme, si Maia Sandu në Moldavi ose Edi Rama në Shqipëri, ekziston frika se fituesi i zgjedhjeve të ardhshme nuk do të jetë i përshtatshëm për t’u ulur në tryezën e lartë të Këshillit Europian.

E njëjta gjë është e vërtetë për Ukrainën dhe kushdo që mund të pasojë Volodymyr Zelensky-n. Ekipet e zyrtarëve të BE-së që kanë vizituar Kievin janë habitur nga përpjekjet që po bën vendi për të plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për përparimin në anëtarësim.

Por, kush do të jetë presidenti i Ukrainës në vitin 2030 apo 2035?

 

 

Problemi i Ballkanit

Pengesat mund të duken si të pakapërcyeshme, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, të cilit i është premtuar anëtarësimi në BE si një shpërblim për reformat, që nga viti 2003. Por optimistët e zgjerimit, që tani po shtohen në të gjithë BE-në, mendojnë se nevojitet thjesht një dinamikë e re.

Deri tani, vendet kandidate kishin pasur ndjesinë se, edhe nëse reformoheshin, dyert e bllokut do të mbeteshin të mbyllura. Kjo krijoi një rreth vicioz cinizmi: ata filluan të shtireshin sikur po bënin reforma dhe BE-ja shtirej sikur i dëshironte si anëtarë.

Tashmë, sinjalet nga Brukseli kanë ndryshuar. “BE-ja është gati. BE-ja e ka seriozisht këtë herë”, thotë Miroslav Lajcak, përfaqësuesi i bllokut për Ballkanin Perëndimor. Ai shton një paralajmërim: “Por unë mendoj se rajoni ende nuk është i bindur për këtë”.

Tani për tani, ka pak shenja se po kapërcehen mosbesimi dhe dëshpërimi që kanë karakterizuar prej kohësh marrëdhëniet e Ballkanit me BE-në.

Dy gjëra po bëhen për të thyer këtë cikël. E para është një marrëveshje e re në Bruksel që vendet kandidate të ndiejnë përfitimet e BE-së, përpara se të marrin anëtarësimin e plotë. Qëllimi është të sigurohen kthime të menjëhershme për reformat dhe jo të premtohet një fitim i madh, por i largët, vetëm pasi të sigurohet anëtarësimi.

Përveç pjesëmarrjes në politikat e BE-së, si ndërlidhjet energjetike ose shkëmbimet studentore, vendet kandidate do të marrin para, një mënyrë e nderuar për të nxitur reformat.

Nga ana tjetër, BE-ja po bën përpjekje të vështira për të treguar se blloku po riorganizohet për t’u përgatitur për një zgjerim të mundshëm. Tashmë, tema kryesore në Bruksel është “aftësia përthithëse”, për t’u siguruar që një bashkim prej 27 anëtarësh, të mos shembet nën peshën e vet, kur të rritet në 36 anëtarë.

Zgjerimi jo vetëm që do të ndryshonte formën e BE-së, por edhe funksionimin e saj të brendshëm.

Diskutimet janë në një fazë fillestare dhe do të zgjasin me vite. Por duhet të ndodhin dy ndryshime të mëdha. I pari ka të bëjë me buxhetin e BE-së. Blloku zakonisht shpenzon vetëm rreth 1.2% të PBB-së totale të anëtarëve të tij, pra rreth 1.8 trilionë euro (1.9 trilionë dollarë) gjatë ciklit buxhetor shtatëvjeçar.

Kjo mjafton për të krijuar fitues dhe humbës dhe më shumë diskutime në samite.

Politika e përbashkët bujqësore mbulon rreth një të tretën e buxhetit të bllokut, si dhe fondet e “kohezionit” dhe të ndihmës rajonale që shkojnë në shtetet dhe rajonet më të varfra. Sipas rregullave të tanishme, fonde të tilla do të merreshin nga të ardhurit e rinj, veçanërisht nga Ukraina dhe fermat e saj të mëdha.

Rezultati do të ishte i zymtë: 18 anëtarë të BE-së tani marrin më shumë para sesa investojnë, duke përfshirë të gjithë Europën Qendrore. Nëse politikat e tanishme nuk rishikohen, me shumë gjasa, të gjithë anëtarët e tanishëm do të bëheshin kontribuues neto.

Zakonisht, edhe ndryshimet më të vogla në subvencionet bujqësore kanë bërë që fermerët të marshojnë me traktorët e tyre nëpër Bruksel, duke hedhur në rrugë plehra organike në shenjë proteste.

Ndryshime më radikale mund të jenë politikisht të papëlqyera nga disa vende. Polonia, dikur aleati më i palëkundur i Ukrainës brenda BE-së, kohët e fundit bllokoi importet e drithërave nga fqinji, duke tensionuar marrëdhëniet me qeverinë në Kiev.

Sfida tjetër e madhe është përshtatja e rregullave themelore të BE-së për sa i përket mënyrës si merren vendimet. Këtu grindja do të jetë edhe më përçarëse. Disa çështje janë të lehta për t’u trajtuar: tani për tani, Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i bllokut në Bruksel, përbëhet nga një i emëruar nga çdo vend.

Në një bashkim prej 36 anëtarësh, disa vendeve (më të vogla) mund t’u duhet të heqin dorë nga e drejta për të pasur një komisioner.

Një ndryshim më i debatueshëm, por i domosdoshëm, do të ishte që më shumë vendime të merreshin me votim me shumicë, ku vendet e mëdha kanë më shumë peshë se ato të vogla. Tani, disa pjesë të rëndësishme të politikëbërjes, duke përfshirë politikën e jashtme, sanksionet ekonomike, çështjet e policisë dhe taksat, duhet të miratohen njëzëri nga të 27 shtetet anëtare.

Franca dhe Gjermania dëshirojnë që më shumë vendime të mos ndalen dot me veto, nga vetëm një ose dy shtete rebele. Por shumë shtete të vogla mendojnë se veto të tilla ruajnë sovranitetin e tyre. Dhe pjesa më e madhe e Europës Qendrore nuk u zë besë vendimeve të hartuara në Paris dhe Berlin, në emër të tyre.

Prandaj ka pasur shumë debat. Një grup ekspertësh të komisionuar nga qeveritë e Francës dhe Gjermanisë, ka propozuar krijimin e një strukture “me shumë nivele” për Europën, ku më shumë projekte (si euro) mund të miratohen vetëm nga disa shtete anëtare. Të tjerë duan ta bëjnë më të lehtë ndëshkimin e qeverive që shkelin normat demokratike, si Hungaria, për shembull duke pezulluar të drejtat e votës për çështjet e BE-së.

Shumica e propozimeve me siguri do të bien ndesh me kundërshtime dhe kërkesa për përshtatje. Shumë shtete anëtare, përfshirë Poloninë, mendojnë se i gjithë debati rreth reformave të BE-së ka për synim që ta bëjë më të vështirë, jo më të lehtë, hyrjen e anëtarëve të rinj.

Frikëra të tilla theksohen kur ata që duan shumë ndryshime, thonë se procesi duhet të përfshijë një reformë të traktateve të BE-së, një ushtrim i rëndë që u tentua për herë të fundit në vitet 2000.

Tema se kur dhe si do të ndodhë zgjerimi do të mbizotërojë në debatin politik europian për vite me radhë. Destinacioni përfundimtar mbetet i paqartë. Por fakti që perspektiva e një BE-je më të madhe, më në fund po merret seriozisht, është një shenjë se lufta në Ukrainë ka bërë jehonë përtej vijave të frontit. Monitor

Përktheu: Lira Muça