Të hënën e 6 nëntorit, ish-kryeministri Sali Berisha do të duhet të paraqitet në Gjykatën e Posaçme, tek oficerja e SPAK që po e heton për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata, ai duhet të paraqitet përpara autoriteteve dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë dhe pikërisht 6 nëntori është edhe data e parë kur ai do të duhet të paraqitet.
Edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, Berisha herë pas herë ka lënë të kuptohet se nuk do të paraqitet, pasi ai pretendon se vendimi për dhënien e masës shtrënguese detyrim paraqitje dhe pengim i daljes jashtë shtetit janë antikushtetuese, pasi nuk është marrë autorizimi nga Parlamenti.
Por çfarë parashikohet nga ligji nëse Ish-kryeministri Sali Berisha nuk do të paraqite?
Sipas nenit 231 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet kur ka shkelje të masave të sigurimit, gjykata mund të vendosë një masë tjetër me të rëndë.
“Në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”, thuhet në nenin 231 të Kodit të Procedurës Penale.
Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim, në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’ dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi është pas hekurave, pasi gjykata mori masën e ‘arrestit me burg’ ndaj tij, po për këtë çështje.