Të gjitha indikacionet janë se zgjedhjet e 2024-ës në SHBA do të jenë një ripërballje e 2020-ës, por me role të ndryshuara: Donald Trump do të përballet me presidentin, Joe Biden. Ekziston një ndjenjë e përhapur zhgënjimi tek votuesit amerikanë që kanë të njëjtën zgjedhje për të bërë. Edhe sondazhet duket se tregojnë një garë që është “kokë më kokë”.
Por, siç do t’ju thotë çdo historian, çdo gjë mund të ndodhë brenda një viti për të përmbysur garën. Në vitin 1979, një krizë pengjesh i kushtoi rizgjedhjen presidentit Jimmy Carter. Dhe në vitin 2020 një pandemi ndryshoi vendin. Më poshtë vjen një vështrim për 4 surpriza që mund të ndryshojnë rrjedhën e këtyre zgjedhjeve.
Po nëse një kandidat i pavarur ngre krye?
Nëse nuk jeni republikan apo demokrat, shanset tuaja për t’u bërë president i SHBA-së janë më pak se asgjë. Por kandidatët e palëve të treta kanë ndryshuar zgjedhjet në të kaluarën dhe ata mund ta bëjnë këtë përsëri në 2024-ën.
Në vitin 1992, biznesmeni i pasur Ross Perot mori 19% të të gjitha votave të hedhura dhe shpesh thuhet se ishte ai që shkaktoi humbjen e republikanëve. Në vitin 2000, kandidati i Partisë së Gjelbër, Ralph Nader fitoi 97 488 vota në Florida, duke ndihmuar që shteti i lëkundur t’i kalojë George W Bush. Disa thonë se kandidatja e Partisë së Gjelbër, Jill Stein lëndoi gjithashtu Hillary Clinton në 2016-ën.
Këto zgjedhje mund të kenë një shqetësim të ngjashëm. Një politikan i lartë amerikan thotë për BBC se vlerësimet e ulëta për Presidentin Biden dhe kandidatin kryesor republikan Donald Trump mund të hapin derën për më shumë lojtarë dhe një sondazh i fundit i Gallup sugjeron të njëjtën gjë.
Dy kandidatë të pavarur kanë hyrë tashmë në garë. Ata janë aktivisti progresiv Cornel West dhe Robert F. Kennedy Jr, i cili kohët e fundit u largua nga Demokratët. Para se të ndryshonte, sondazhet sugjeronin se ai mund të fitonte mbështetjen e rreth 20% të votuesve demokratë. Tani që ai nuk ka asnjë lidhje partiake, Kennedy, i cili u bën thirrje edhe votuesve me mendime konspirative, mund t’i heqë vota edhe Trump. Këto zgjedhje ka të ngjarë të jenë të ngushta, kështu që edhe disa vota për një kandidat të palës së tretë mund të bëjnë një ndryshim të madh.
Po sikur njëri prej tyre të vdesë para ditës së zgjedhjeve?
Po, e dëgjojmë shpesh këtë. Presidenti Biden dhe ish-Presidenti Trump janë të moshuar. Në ditën e inaugurimit në 2025-ën, Biden do të jetë 82 vjeç, Trump do të jetë 78. Nuk ka indikacione për të menduar se ndonjëri prej tyre është në gjendje të keqe shëndetësore, por ç’ndodh nëse atyre do t’u ndodhte diçka në prag të zgjedhjeve?
Epo, përgjigja varet nga kur.
Nëse ata sëmuren rëndë ose vdesin deri në Ditën e Vitit të Ri 2024, ka shumë mundësi nga të dyja palët të ketë të gatshëm të konkurrojnë. Bëhet më e ndërlikuar kur shtetet finalizojnë fletëvotimet. Nëse më e keqja ndodh në mesin e tetorit 2024, emri i tyre do të ishte ende në fletën e votimit. Sipas kushtetutës amerikane, mund të kandidosh edhe nëse jeni i vdekur, edhe nëse nuk mund të bësh betimin.
Ka ndodhur edhe më parë. Në vitin 2000, Mel Carnahan kandidonte për Senatin e SHBA-së kur humbi jetën në një aksident ajror gjatë rrugës për një takim fushate. Ai u zgjodh pas vdekjes dhe e veja e tij, Jean shërbeu derisa u mbajtën një palë zgjedhje speciale në 2002. Nëse kandidati fitues vdes pas ditës së zgjedhjeve, por përpara inaugurimit, atëherë në vend të tij do të betohet Zëvendës-Presidenti. Ai më pas do të duhet të emërojnë një Zëvendës-President për të zëvendësuar veten i cili do të duhet të miratohet nga Kongresi. Është jashtëzakonisht e ndërlikuar, kështu që le të shpresojmë që të gjithë kandidatët të kenë në shëndet të mirë!
Po sikur një luftë e huaj përshkallëzohet?
Presidenti Biden po kandidon për rizgjedhje i përfshirë nga krizat ndërkombëtare, pushtimi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe ofensiva e Izraelit kundër Hamasit. Për të mos përmendur presionin ushtarak në rritje të vazhdueshme të Kinës në hapësirën ajrore të Tajvanit si një sfond i rrezikshëm. Ekipi i tij është përpjekur të bëjë politikë me këtë, duke e portretizuar atë si një komandant të përgjithshëm të besueshëm dhe që merr nota relativisht të mira në sondazhe për trajtimin e dy luftërave të nxehta. Por tashmë ka tendenca shqetësuese për fushatën e presidentit.
Ka një rënie të mbështetjes nga elektorati vendimtar i votuesve të rinj demokratë, të cilët janë të zemëruar nga mbështetja e fortë e Bidenit ndaj Izraelit teksa viktimat palestineze po rriten. Dhe nëse ndonjë nga këto luftëra përhapet përtej kufijve aktualë, pra nëse Rusia sulmon një vend anëtar të NATO-s ose nëse grupet e armatosura aleate me Iranin i bashkohen luftës së Hamasit kundër Izraelit kjo do të përmbyste llogaritjet dhe do të komplikonte vitin zgjedhor.
A do të tërhiqej SHBA-ja mënjanë aty ku tani është forcë frenuese? A do të dëmtonte kaosi ndërkombëtar perspektivat e Donald Trump? Apo do të merrte Trump një nxitje nga votuesit e ngopur me financime dhe ndoshta duke luftuar përsëri në luftëra të huaja? Shumë faktorë janë jashtë kontrollit, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Nuk është një pozicion i mirë për çdo kandidat presidencial.
Po sikur Donald Trump të shkojë në burg?
Ish-presidenti përballet me 91 akuza penale në 4 procese të veçanta dhe të gjitha gjasat janë që ato të ndodhin vitin e ardhshëm. Dënimet maksimale të mundshme arrijnë në qindra vjet pas hekurave, por pak ekspertë ligjorë mendojnë se kjo është e mundshme, edhe nëse ai dënohet. Avokatët e Trump janë përpjekur shumë, por pa sukses të shtyjnë gjyqet pas zgjedhjeve.
Ata e dinë se fitorja e zgjedhjeve ndoshta do të nënkuptonte një shtyrje prej 4 vjetësh, sepse shumica e opinioneve ligjore përjashtojnë ndjekjen penale të një presidenti në detyrë, përveç shkarkimit nga Kongresi. Nëse ai shkon në burg para zgjedhjeve, nuk ka asgjë për të thënë se nuk mund ta fitojë atë. Të qenit një kriminel i dënuar nuk e pengon atë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale.
100 vjet më parë, një kandidat mblodhi gati 1 milion vota nga pas hekurave. Kjo do të pengonte qartë çdo fushatë, por sondazhet sugjerojnë se shumë votues republikanë nuk do të tërhiqeshin. Nëse ai do të zgjidhej nga burgu, ai mund të ishte në gjendje të falte veten për çdo dënim federal, por nëse ai burgoset në një nga dy çështjet shtetërore, ai nuk do të kishte fuqi të bënte të njëjtën gjë. Kjo ngre mundësinë e çuditshme të ishte president ndërkohë që ishte i burgosur. Këtu jemi në një territor vërtet të paprecedentë, madje edhe truri më i mirë ligjor në vend po kruan kokën. ©BBC