Zjarri në pikë e grumbullimit të skrapit në Elbasan vijon të jetë aktive. Siç shihet dhe nga pamjet, zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Përveç flakëve të mëdha, një shtëllungë e zezë tymi, ka pushtuar zonën, duke shkaktuar ndotje. Zjarri nisi paraditen e sotme, në orën 11: 15 dhe shkak dyshohet se ishte një shkëndijë e shkaktuar nga fërkimi i mbetjeve metalike. “Rreth orës 11:15, dyshohet se nga një shkëndijë e krijuar si pasojë e fërkimit të mbetjeve metalike, ka rënë zjarr në një pikë për grumbullimin e skrapit, në zonën e ish-kombinatit metalurgjik, në Bradashesh. Nuk ka shtetas të dëmtuar nga flakët
.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe me punonjësit e kompanisë që ka në pronësi pikën për grumbullimin e skrapit, kanë bërë të mundur zhvendosjen e mbetjeve, për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe të tymit.
Grupi hetimor vijon të punojë për të dokumentuar ligjërisht shkakun e zjarrit”, njoftoi policia pas ngjarjes.
Edhe pse kanë kaluar shumë orë nga ngjarja, shuarja e flakëve ka qenë e pamundur.