Marrëveshja me Italinë për të kthyer Shqipërinë vend pritës për emigrantët, PD kërkesë urgjente për interpelancë me Ramën
Partia Demokratike ka kërkuar në mënyrë urgjente një interpelancë me kryeministrin Rama për të dhënë sqarime lidhur me marrëveshjen e firmosur sot me homologen italiane, Meloni, për të kthyer Shqipërinë vend pritës për emigrantët.
Kërkesa për të thirrur kryeministrin në seancë plenare për të dhënë sqarime, është depozituar nga nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku.
Në këtë kërkesë, PD kërkon që qeveria shqiptare të japë sqarime lidhur me këtë marrëveshje pasi nuk ka asnjë transparencë nga pala shqiptare, ndërsa pala italiane i ka bërë jehonë këtij pakti me qeverinë tonë.
Marrëveshja u njoftua nga kryeministrja italiane, ndërsa pala shqiptare deri tani asnjë njoftim.
Kryeministrja Meloni shpjegoi se është rënë dakord, që të përdoren disa zona të Shqipërisë si vend pritës të refugjatëve, për të bërë të mundur seleksionimin e tyre, në mënyrë që të vendoset nëse ata kanë të drejtë të përfitojnë azil, ose jo.
Sipas medias italiane, kjo bazë pritëse, mësohet se do të jetë Shëngjini, ku përgjatë një viti mund të mbërrijnë deri në 36 mijë emigrantë, siç edhe ka deklaruar kryeministrja italiane.