Ai që ishte President i vendit, realisht dhe kryeministër, dhe kryetar i Partisë demokratike, Sali Berisha, kishte thirrur mbledhjen e Këshillit Kombëtar që doli nga Kuvendi i Dytë i PD më 4-5 nëntor 1993.
Salla te zyrat e PD-së. Të zgjedhurit nga Kuvendi dhe kryetarët e PD në rrethe kishin zënë vend.
Sa hypi në karriken e tij në Presidium ai që ishte President i vendit, realisht dhe kryeministër, dhe kryetar i Partisë Demokratike, m’u drejtua me një fjalë që tingëllonte si kërcënim, si heqje veshi, për diçka që duhet t’i kisha shkelur keq në kallo atij Shefit të Madh.
– Këtu është S.B, – bërtiti ai.
U çova, ngrita dorën dhe u ula aty në rreshtin e fundit të sallës.
E gjithë gjindja ktheu kokën nga unë.
– Dëgjo ti SB, ti e ke gabim që thua se Shqipëria kohë pas kohe i ha politikanët e saj. Që thua se Shqipëria i djeg politikanët. E kundërta është realitet. Shqipëria i do dhe i respekton fort politikanët e saj. Kështu është.
Ishte një shfrim dufi fare pa lidhje, një rrufe në të kthjellët. E papriur për mua dhe për sallën që nuk pipëtinte. Intuitivisht ngrita dorën lart pa lëvzur vendit dhe me plot zërin thashë:
– Dakord.
E thashë me zë të plotë që ta dëgjonin të gjithë. Që të mos kishte vazhdim më tej. Se e ndieva që Shefi i Madh, vuri një pikë në fund të fjalës së tij dhe nuk kërkonte shpjegim pas atyre që tha. Ai më kishte hequr vërejtjen publikisht dhe nuk donte përgjigje.
Kur po delnim nga kjo mbledhje, mbledhje rutinë nga ato ku ne të zgjedhurit duhet të miratonim shabllon çka kishte vendosur Shefi i Madh, te dera u përballa me dy nga më të zgjuarit e sallës: me deputetin dhe gazetarin M. Ç., me ministrin G.R.. Ata me një grimasë të qeshur në fytyrë, me humor e cinizëm bashkë m’u zgërdhinë dashamirësisht. Më thanë:
– Dëgjove ti, SB, mos ha m…të thuash që Shqipëria i djeg politikanët. Shqipëria i ka xhan politikanët, i do aq shumë, sa kryeminisrat, shumica kanë vdekur në emigracion, në burg a me nga një plumb mbas veshit. Vëre vath në vesh…
Nuk mora vesh ata “horrat” ishin me mua a me Shefin e Madh që vetë fliste e vetë dëgjonte nuk kërkonte kundërshtime.
U hapa rrugën. Ata më shkelnin me djallëzi syrin. Ma bënin me dorë… pafshim… pafshim.
Qënkam katandisur si nxënësi më i keq i klasës, po mendoja.
Vallë ku i kishte mbetur qejfi Shefit të Madh…? Shqipëria i ha politikanët… Ndërkohë Presidenti Alia ishte në burg, kryeministri Çarçani po në burg. E Hoxhën e kishim nxjerrë nga varri. Kryeministri Nano te qelitë e 313-ës, po bëhej gati të shkonte në Bënçë.
Nuk kishin qenë politikanë këta? Ç’ herezi kisha shqiptuar unë?
Por me Shefin e Madh nuk flitej. Azem Hajdari, ndjesë pastë, me ironi e pezm Shefit të Madh i thoshte “Mareshalli”. Në një takim me tre katër deputetë (Gëzim Luli, Menduh Dërguti, Gjika e nuk di kush tjetër) më 1994 ai parashikoi: Mareshalli do të na shkatërrojë ne si grup parlamentar, do shkatërrojë Shqipërinë, në fund do të shkatërrojë dhe PD.
Azemit i doli profecia. Ne atëherë nuk i mernim për të vërteta këto thënie të Azemit. I merrnim si shfryrje të mllefit, të rivalitetit për lidërship midis Azemit dhe Shefit të Madh. Azemi e Shefi ishin në një lidhje fatale dashuri-urrejtje. Ku nuk dihej kush ishte më e helmëta, dashuria a urrejtja. Ne atëherë mendonim se ky Azemi që shfryn me këto fjalë, mundet e donte më shumë nga ne Shefin e Madh. Nuk dihet se ç’qejfmbetje e çastit kshte ndodhur mes tyre. Azemi ishte natyrë emotive, me dhe pa autoritet, një si lloj Kasandre e marrë që nuk i merreshin seriozisht profecitë. Ne të tjerët, turbull, jo aq logjikshëm, ne, shumica e grupit parlamentar të PD, ende besonim te Shefi i Madh.
Fakt ishte se autoritarizmi i Shefit të Madh, sa vinte po bëhej shtypës. E ndiente veten të pakundërshtueshëm. Ata që kishin qenë komunistë, që kishin pasur jetë partie më parë, e mernin këtë lloj sjelljeje si diçka normale. Në politikë kështu funksionojnë gjërat. Shefi i Madh është i pakundërshtueshëm, duhet t’i bndesh verbërisht. Politika, pushteti nuk e donin individin e pavarur, individualitetin. Madje ishte kundër tij, e rrafshonin. Këtë mësim e merrje me kohë. Si praktikë pune, e merrje si helmin ai që thith duhanin. Do të mbijetosh në politikë? Përthithu nën hirin e një të përditshmeje gri, e cila më së shumti kërkon pjesëmarrjen tënde memece. Nuk duhet të kërcesh përpjetë, ti duhet të përshtatesh.
Në këtë raport të ruajtjes së individualitetit dhe të përshtatjejes, pa humbur çdo vulë tënden, mbase gdhenden profilet e politikanëve në agoranë e politikës. Po kjo donte përvojë dhe prirje. Ne ishim fillestarë më 1992.
Të vijmë te ajo që kish ndodhur, te ajo që e kisha bërë keq, që kisha folur pa lejën e Shefit të Madh, me fjalë që atij nuk i kishin ardhur sipas oreksit.
Kisha folur publikisht në Kuvendin e Dytë të PD, më 1993.
Fjala ime kishte tri -katër kolona:
E para, jemi një parti që duhet të farkëtojmë një shkollë të politikanëve profesionistë. Një detyrë historike. Kisinger në librin “Diplomacia” thotë se në politikën e lartë të Gjermanisë të gjysmës së parë të shekullit XX mungoi klasa e politikanëve profesionistë. Kjo në politikën e një shteti të madh si Gjermania, kishte sjellë atë që ky vend u la në duart e aveturierëve politikë që plasën dy luftëra botërore nga të cilat Gjermania u gjymtua, doli e ndarë mëdysh. Klasa e politikanëve të përgjegjshëm dhe profesionistë është mendimi, truri, pasuria e një vendi.
Ata ndërtojnë politikat e sigurisë, të mirëqenies, të progresit.
Shqipëria që kur është krijuar si shtet, i ka humbur elitat politike në çdo 20 vjet. Në Shqipëri quhet fatkeqësi të merresh me politikë. Politika të ha.
Përmenda në fjalën time fatkeqësitë e Ismail Qemal bej Vlorës, të Nolit, të mbretit Zog etj
E dyta, ne vijmë nga komunizmi. Si shoqëri duhet të ndahemi nga trashëgimia e tij. Prerë, ligjshmërisht. Të ndahemi patjetër me ish bashkëpunëtorët e Sigurimit. Që mund t’I kemi midis nesh. Jo vetëm si PD, por duhet të bëjmë atë që bëri Gjermania dhe vendet e tjera ish-komuniste, që i hapën dosjet, arkivat e komunizmit.
E treta, si parti e djathtë ne dhe nga pjesëmarrja e kësaj salle ku jemi mbledhur, dëshmohet që jemi parti e fukarenjeve. Duhet të krijojmë klasën e re të pronarëve; duhet të jetë një klasë biznemenësh nga ata që quhen borgjezi kombëtare. Një klasë e ligjshme, profesioniste e biznesit. Jo biznes i miqve dhe i shokëve apo biznes i lidhur me botën e krimit.
E katërta, jetojmë një botë intelektuale të trashëguar nga komunizmi. Shkollat, historia jonë, letërsia, mendimi, deri gramatikat, fjalorët gjuhësorë janë të gjitha të përpunuara nga mendimi marksist, enverist. 50 vjet njerëzit u përpunuan me libra, me shtyp, me institucione që të mendojnë si majtistë. Ka pasur institute, akademi universitete që e kanë bërë këtë punë. Këtu del një punë shumë e madhe për të dalë nga ky lloj të menduari. Nga interpretimi filozofik majtist i jetës, i shoqërisë, i fakteve të gjalla të jetës së individit, apo fakteve, të ngjarave të mëdha të shkuara në histori
Komunizmi bashkë me politikanët, pronarët zhduku dhe intelektualët e mëparshëm. Më 1960 u deklarua nga komunizmi se në Shqipëri u krijua klasa e kuadrove, domethënë ajka e elitës së mendimit. Nga 1945 -a ishin dërguar për studime në shkollat e larta të Lindjes mijëra studentë. Më të shkëlqyerit prej yre hodhën themelet e jetës intelektuale të vendit, institutet, akademitë… erdhën shkrimtarët, mjekët, ekonomistët, filozofët, shkencëtarët, kompozitorët, kineastët,… Jeta intelektuale filloi nga e para.
Si do të bëhet me të ardhmen e jetës sonë intelektuale? Ndërrimet e thyerjet këtu janë katastrofale. Kjo jetë është paralizuar. Ekzistonte një model…tani nuk kemi asgjë si projekt. Sa njerëz duhet të dërgojmë jashtë për studime, ç’kualifikime na duhen për këta njerëz që erdhën nga e djeshmja? Janë një pasuri e trashëguar këtu brenda nesh?
Jo të gjitha ç’thashë, ishin ide të detajuara hollësisht. Mbase nuk ishte vendi t’i shkoqisja shterueshëm teza të tilla. Më tepër i ngrita si shqetësime të miat intelektuale, jo si ide të përpunuara, të shtjelluara politikisht.
Në Kunvend dhe nga ata që i quaja burra me mend e me përgjegjësi, dëgjova tipa që i serviloseshin shkoqur Shefit të Madh. Politika ashtu si dje nën diktaturë, dhe tani pëlqente ata që përkëdhelnin ëmbël veshin e shefave. Dëgjoje dhe fjalime kallpe si ato të kongreseve të PPSH. Ndotësira, por ata që drejtonin punët, i aprovonin, salla buçiste, duartrokiste…
Me fjalën time kishte sjellë një lëndë pak ndryshe. Prapë salla më duartrokiti. Madje fort.
Në një pushim, më takoi dr. Ibrahim Rugova, Presidenti i Kosovës. Një figurë disi enigmatike, por ne deputetët e PD e adhuronim Rugovën. Në atë sallë plot zallahi e zjarrmi politike Ai ishte i ftohtë dhe brenda vetes, brenda natyrës së tij meditative, nga pak të tërhequr.
U ndala me shumë respekt. Takohesha me të për herë të parë. Kur jepja mësim në Universitetin e Gjirokastrës, kisha mbajtur dy-tri tema leksionesh mbi librin e Rugovës për Pjetër Bogdanin.
Rugova më përshëndeti për fjalën time aty në Kuvend. Më kishte lexuar dhe si poet. Ai të fliste në një mënyrë të tillë që nuk linte dyshim se po të bënte një kompliment ashtu rastësisht, se po thoshte fjalë sa për me la gojën.
Këtë përshtypje të mirë ai ia kishte shprehur edhe dr. Berishës në fund të ditës, në darkën që ishte shtruar për nder të tij, darkë ku mernin pjesë dhe disa deputetë, kolegët tanë. Njëri nga këta deputetë, Izet SH. më pat thënë se Berisha e kundërshtoi hapur Rugovën. I tha:
Ai, ai SB është poet, SB nuk është politikan. Rugova qetë e kishte rithënë mendimin e tij se e kishte pëlqyer fjalën e time mbajtur në Kuvend. Prapë Berisha kishte shpërthyer në një mospëlqim të prerë.
Pse Berisha reagonte me kaq mëri? Isha një deputet dhe aq. Pa ndonjë përgjejësi.
Berishës i kishin djegur idetë.
I kishte djegur keq ideja se Shqipëria i ha politikanët e saj. Kjo ishte histori… dhe unë kisha dashur që të mos përsëritet.
I kishte djegur dhe diçka tjetër që nuk e tha hapur. Nuk i kishte pëlqyer ideja e ndarjes së shoqërisë nga komunizmi, e ndarjes së politikës nga ish-spiunët. Berisha ishte me parrullën: të gjthë bashkëfajtorë dhe të gjithë bashkëvuajtës. Nuk isha bashkëfajtor.
Nuk i kishte pëlqyer as ideja që të krijonim një klasë të përgjegjshme të politikanëve me integritet dhe të shkolluar në shkolla e në mendim politik perëndimor. Berisha kishte mendimin se ai ishte alfa dhe omega e të gjithave. Nuk kishte nevojë Shqipëria për burra të tjerë.
Duhet të ulnim kokat para tij.
Dhe ja: ai po e hapte mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të PD të vitit 1993 me një furi fjalësh kërcënuese e të shqiptuara pa logjikë. Me një inat që nuk ishte zbutur edhe se kishin kaluar dy a tri javë që nga Kuvendi.
Ai po kërkonte bindje të verbër.
Por, ja, kanë kaluar shumë e shumë vjet. Berisha dhe familja e tij mund të kenë fundin politik më famëkeq ne historine e politikes shqiptare. Nga DASH akuzohet si hajdut dhe si pengues i demokracisë.
Si shumë u zgjat politika jonë për të arritur te një fund i tillë poshtëruse për Berishët.
Atëherë, më 1993, para kohe, e paskam paralajmëruar Berishën për këto që me pas i erdhën mbrapa koke. Për këto e për shumë gjëra.
Zyrtarisht “non grata” nga DASH, zyrtarisht i akuzuar penalisht dhe nga SPAK, mbase Beishës duhet t’ia kujtoj paralajmërimin tim ogurzi se Shqipëria i ha politikanët që duan t’i imponohen arbitrarisht.
Këtë paralajmërim atëherë e kisha shqiptuar intuitivisht, pa të keq . Po, kështu ishte: një paralajmërim prej poeti, siç ia tha ai Rugovës. Jo prej politikani.