BallinaEkonomi“Mjetet elektrike, ndërtimi dhe klinikat mjekësore po mbështesin rritjen e tregut të...

“Mjetet elektrike, ndërtimi dhe klinikat mjekësore po mbështesin rritjen e tregut të qirasë financiare”

spot_img
spot_img
Intervistë me Elion Martini, Drejtor i Departamentit të Shitjes dhe Suportit të Qirasë Financiare në Credins Bank
Tregu i leasing-ut ka pasur një rritje të konsiderueshme, pavarësisht rritjes së normave të interesit. Elion Martini, Drejtor i Departamentit të Shitjes dhe Suportit të Qirasë Financiare në Credins Bank, thotë se kjo rritje është mbështetur në kërkesën e lartë nga disa sektorë të ekonomisë, duke përfshirë turizmin, ndërtimin, shërbimet mjekësore, por edhe nga kërkesa në rritje për automjete elektrike. Aktualisht, qiraja financiare në Shqipëri përdoret kryesisht për mjete të lëvizshme, siç janë dhe makineri e pajisje, ndërsa z. Martini mendon se tregu ka potenciale të mëtejshme rritjeje në sistemet fotovoltaike dhe në rinovimin e linjave të prodhimit të bizneseve.

 Si ka qenë ecuria e tregut të qirasë financiare vitin e kaluar dhe në pjesën e deritanishme të këtij viti?

I gjithë tregu i qirasë financiare ka pasur rritje të konsiderueshme, sidomos në 6-mujorin e dytë 2022 dhe vitit 2023, edhe pse normat e interesit janë rritur.

Viti 2022 ka pasur rritje mesatare teprice me 16%.

Kurse 6-mujori i parë 2023, ka pasur rritje 13% krahasuar me vitin 2022. Kjo ka ardhur si rezultat i disa faktorëve:

– Zhvillimi i turizmit ka ndikuar në nevojën e rritjes së kompanive të qirave operacionale të mjeteve, të cilat janë financuar për të rritur portofolin e mjeteve të tyre.

– Rritja dhe zhvillimi i mëtejshëm i sektorit të ndërtimit ka sjellë rritje në financimet leasing që lidhen me këtë sektor, si dhe mjete personale.

– Rritja e kërkesave për mjete elektrike (e ardhmja dhe ulja e kostove të mirëmbajtjes), ka sjellë rritjen e financimit për këto mjete (taksi, mjete për qiradhënie si dhe mjete personale).

– Rritja e standardit për klinikat (mjekësore dhe dentare) ka ndikuar në rritjen e financimeve për rinovimin e pajisjeve të tyre.

Si është ndikuar tregu i leasing-ut nga inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit?

Ndikimi i inflacionit në tregun e leasing-ut, si dhe në atë të kredisë konvencionale apo në tërësi në ekonomi është i ndryshueshëm dhe varion nga vendi në vend, si dhe nga sektori në sektor.

Për sa i përket tregut leasing-ut në Shqipëri, disa nga arsyet e ndikimit kanë qenë:

-Kostot e normës së interesit, ku inflacioni ka ndikuar në normat e interesit. Në një ekonomi me inflacion të lartë, normat e interesit rriten për të kompensuar humbjen e vlerës së parave. Kjo ka sjellë që të rritet edhe kostoja e leasing-ut për klientët.

-Çmimet e mallrave dhe shërbimeve, ku inflacioni mund të rrisë çmimet e mallrave dhe shërbimeve, duke përfshirë çmimet e automjeteve të leasing-ut. Kjo gjithashtu çon në rritjen e kostos së leasing-ut për klientët.

-Në disa raste, inflacioni mund të ndikojë në vlerën relative të pagesës së leasing-ut krahasuar me vlerën e një makine të re.

Në një periudhë me inflacion, pagesa fikse e leasing-ut mund të duket më e ulët në krahasim me rritjen e çmimit të një makine të re.

Në vitet e fundit, Shqipëria po shënon rritje rekord të numrit të turistëve të huaj. A ka sjellë rritja e turizmit efekte pozitive në tregun e qirasë financiare?

Rritja e turizmit ka pasur efekte pozitive në tregun e leasing-ut të makinave, veçanërisht atë të leasing-ut operacional, duke ndikuar në kërkesën e operatorëve turistikë për asete të reja.

Për të përballuar rritjen e kërkesës në periudhat e larta të turizmit, kompanitë e leasing-ut operacional mund të zgjerojnë flotën e tyre të makinave.

Kjo do të ndihmojë në rritjen e kapacitetit dhe në gjetjen e më shumë klientëve.

Për kompanitë e leasing-ut të makinave, turizmi mund të jetë një mundësi për të rritur fitimet dhe për të zhvilluar biznesin.

Megjithatë është e rëndësishme të kuptohet se tregu i leasing-ut është i ndikuar nga shumë faktorë, përfshirë këtu kërkesën vendase, ekonominë globale, apo edhe turizmin, i cili është vetëm njëri prej tyre.

Vërehet rritje e interesit të bizneseve për të investuar në impiantet e energjisë fotovoltaike. Çfarë roli po luan qiraja financiare në këtë treg dhe a përbën financimi i këtyre impianteve një segment të rëndësishëm në biznesin tuaj?

Rritja e inflacionit pati ndikim dhe në rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Duke pasur parasysh gjithashtu që ka shumë kompani (kryesisht prodhuese dhe përpunuese) që harxhojnë një vlerë të konsiderueshme në faturë energjie, e cila reflekton drejtpërdrejt në rritjen e kostove të kompanisë, është shtuar interesi për të investuar në impiantet e energjisë fotovoltaike.

Megjithëse kërkesa është në rritje, këto lloj investimesh janë në fazat e para të tyre, gjithashtu edhe financimi i këtyre sistemeve.

Fokusi i Leasing-ut në të ardhmen do të jetë gjithashtu i drejtuar drejt këtij lloj financimi, si një produkt i domosdoshëm dhe “eko-miqësor” për mjedisin dhe rezervat natyrore të Shqipërisë.

Për çfarë qëllimesh dhe produktesh po përdoret qiraja financiare në Shqipëri?

Qiraja financiare në Shqipëri po përdoret kryesisht për mjete të lëvizshme (siç janë mjetet motorike, mjetet ujore) dhe pajisje.

Qëllimet kryesore janë qiraja operacionale, taksitë, pajisjet dentare dhe mjekësore.

Cilat janë avantazhet tuaja konkurruese në raport me produktet e kredisë bankare?

Leasing-u financiar është i ngjashëm me kredinë bankare, por ka disa ndryshime në strukturë nga kredia.

Një financim me leasing është më elastik se kredia, duke qenë së është një financim mbi sendin objekt të kontratës, i cili shërben si garanci e vetme në marrëdhënien juridike të krijuar midis palëve.

Kur kemi të bëjmë me sende me treg dytësor të qëndrueshëm, shoqëria e leasing-ut, brenda normave të lejuara të menaxhimit të rrezikut, tregohet “më tolerante” sesa në rastin e kredisë, pikërisht për faktin që sendi është në emër të qiradhënësit.

Mundësia e rishitjes është e lartë, si dhe procedurat e rimarrjes lehtësojnë angazhimin e qiradhënësit.

Në leasing, vetë parapagimi mbi vlerën e sendit, si dhe vendosja e vlerës së mbetur në fund të financimit, bëjnë që struktura e financimit të përshtatet më shumë se kredia, kjo sipas nevojave dhe aftësisë paguese të klientit.

Në fund të periudhës së financimit, klienti ka mundësinë e ushtrimit ose jo të së drejtës së blerjes së sendit, që në ndryshim nga kredia, i lehtëson atij menaxhimin e mjeteve në fund të periudhës së një projekti të caktuar.

Financimi leasing i jep mundësinë klientit që, duke qëndruar brenda strukturës leasing, të rinovojë teknologjinë në mënyrë periodike.

Në cilat produkte apo segmente të tregut shihni potenciale të zhvillimit të mëtejshëm të qirasë financiare në Shqipëri?

Potencialet janë gjithmonë e më tepër në fushën e qirave operacionale, në sektorin e financimeve “eko-miqësor”, ashtu sikurse janë mjetet elektrike, sistemet fotovoltaike, si dhe të rinovimit të linjave të prodhimit. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular