BallinaOP EDOpozita në Peshore e një Gjyqi

Opozita në Peshore e një Gjyqi

spot_img
spot_img
Nga Fatbardh Kadilli
Hetimi mbi Berishën dhe familjarët e tij është ngjarja më e rëndësishme pas reformës në drejtësi. Kjo ngjarje është guri i provës për Drejtësinë e reformuar. Kjo ngjarje është guri i provës edhe për opozitën. Kjo ngjarje do të jetë përcaktuese për zhvillimet e demokracisë shqiptare. Kjo ngjarje nuk mund dhe nuk duhet të mbivendoset nga guerriljet shterpë në parlament apo media.
Që Drejtësia e reformuar ka guxuar të hetojë Berishën dhe familjarët është në vete një lajm i mirë. Na dëshmon se nuk ka të paprekshëm përballë ligjit. Por, drejtësia e reformuar duhet të na dëshmojë më shumë se kaq. Duhet të na dëshmojë që është shkëputur nga tradita e keqe e institucioneve të mëparshme. Duhet të na povojë se drejtësia nuk negocion me pushtetin, se është profesionale dhe se kujdeset për liritë dhe dinjitetin e personove që heton.
Nga ana tjetër, opozita duhet të dëshmojë që ka zotësinë dhe kurajon të çlirohet nga akuzat për korrupsion, që e do vërtet pastrimin e politikës e në rradhë të parë të vetes. Kështu,
opozita ka shansin e madh të bëhet e dobishme për qytetarët duke mbështetur pa hezitim institucionet e drejtësisë. Qytetarëve më përpara politikës i duhet drejtësia, më përpara fatit dhe karrierës politike të Berishës dhe 30 petritave të tij u duhet drejtësia. Në fakt, qëndrimet e Berishës dhe mbështetësve të tij rithemelues po e kthejnë këtë ngjarje në një traumë që do ketë pasoja për mbarë opozitën. Skenat e fundit në sallën apo në gardhin e parlamentit nuk kanë lidhje me politikën. Ende disa nuk e kuptojnë se ka ca gjëra që thjeshtë nuk mund t’i bësh. Mungesa e skrupujve nuk është virtut, është ves.
Berisha, bashkë me ata që nguten t’i dëshmojnë gatishmëri dhe besnikëri të verbër, kokëfortësi, po vazhdon të jetë një gur në qafën e opozitës. Ai nuk respekton institucionet, kushtetutën. Morali i tij është t’i japë vetes të drejtën, ta ndaj ai se çfarë është e ligjshme dhe çfarë e paligjshme, se çfarë është kushtetuese dhe jo kushtetuese. Është ai që cakton kush është i korruptuar dhe kush jo, kur është Ok të bësh kulla, vila dhe kur jo. Ky moral i Berishës dhe petritave të tij është shndërruar në gurin në qafën e gjithë opozitës, dhe nuk e le atë të ngrejë kokën e të arrijë të shohë shqiptarët në sy. Kjo nuk lidhet vetëm me Rithemelimin. Ata me vetëdije kanë zgjedhur shpresën për karierë nën çatinë e rrënuar të Berishës. Kjo lidhet edhe me ata që qëndrojnë në heshtje duke shpresuar se gështenjat nga zjarri do tua nxjerrë dikush tjetër. Kjo lidhet dhe me ata që ndihen të turpëruar nga ajo çfarë ndodh me opozitën sot, por ende nuk gjejnë kurajon të flasin me zë të qartë dhe të bëjnë aktet e duhura politike. Kjo lidhet me çdo opozitar. Këtu qëndron thelbi i dëmit që shkakton Berisha dhe ndjekësit e tij.
Berisha ka tre momente fatale në dhjetë vjetët e fundit që ka dëmtuar me vetëdije opozitën. E para, kur humbi turpshëm si kryeministër, dha dorëheqje formale, por nuk hoqi dorë nga kontrolli absolut i partisë dhe aksionit të saj politik. Nuk la asnjë hapsirë që të krijohej një opozitë e re e shkëputur nga e shkuara prej të cilës u ndëshkuam me 1 milion vota. E dyta, kur u shpall “non-grata” nga SHBA dhe MB nuk e kurseu PD, por e futi në një krizë të thellë dhe sot Partia është e ndarë, e radikalizuar e personalizuar, e tribalizuar dhe aspak politike. E treta është tani, kur refuzon të bëjë betejën ligjore dhe përdor flamurin e PD për të mbrojtur veten dhe familjarët. Të shkoj të ballafaqohet në gjykata dhe të mos keqpërdor flamurin dhe logon e PD. Tek ai flamur kam pjesën time edhe unë. Ka pjesën e vet çdo demokrat. Ai flamur është ngritur mbi moralin e martirëve që u sakrifikuan për demokraci dhe për drejtësi. Rithemelimi ka shumë arsye të protestoj, por po protestoj për të mbrojtur Berishën nga hetimi ka shkatëruar çdo shans të jetë opozitë. Çdokush që e pason do të jetë vetëm një badigard me uniformë politike. Sot, çdokush që e ndjen veten opozitar ka shansin të ndahet nga e shkuara e saj e kompromentuar dhe të ndërtoj një moral të ri, të kundërt nga morali që mbart dhe shpërfaq Berisha tash e 3 dekada.
Shqiptarët janë vjedhur nga politika në këto 33 vjet. Shqiptarëve nuk iu mjafton më demokracia formale ku luajnë politikash dy skuadrat, PD dhe PS me rezervat, një herë në pushtet dhe një herë në opozitë. Demokracia me këtë lojē luftash ka pësuar shumë deformime dhe ka shkarë në rregjim në kurriz të shqiptarëve sepse nuk ka pasur drejtësi. Të pushtetshmit nuk janë ballafaquar me drejtësinë për gjëmat e tyre. Nje kod pushtash pushtetarë ka krijuar modelin që akuzojnë sikur do t’i nxjerrim ujë të zi kundërshtarit, por nuk e çojmë para drejtësisë. Pse? Sepse mbrojnë veten, për ditën kur nuk do të jenë më në pushtet. Pushtetarëve nuk i duhet drejtësia. Ju dhimset vetja, ndaj shpëtojnë kundërshtarët. Kush përpiqet ta mbrojë Berishën duke e quajtur hetimin ndaj tij si sulm të Ramës është tmerrësisht larg të vërtetës. I fundit që do donte dënimin e Berishës për korrupsion është Rama. Se kjo do të vendoste një precedent nga i cili nuk do shpëtonte dot ai vetë. Mbrojtja e Berishës është interesi jetik i Ramës.
Është Rama, i interesuar që ta mbajë në politikë, t’ia vadis bahçen e pushtetit të tij mbi opozitën dhe në këtë bahçe herë pas here mbijnë kulla, apo resorte. Nuk ka fyerje më të madhe për ne që kemi vuajtur në diktaturë se sa kur dëgjojmë Berishën dhe papagallë pa tru që thonë Rama e ka kthyer në diktaturë. Në diktaturë familjen time e morrën nga pallati dhe e çuan në bodrum. Ndërsa në “diktaturën” e Ramës familjarët e Berishës ndërtojnë kulla. Nuk ka fyerje më të madhe që i bëhet demokratëve se sa kur i akuzon Berisha dhe papagallët pa tru se shitën votën tek Rama, kur familjarët e tij në pushtetin e Ramës e kanë zgjatur pa fund listën e pronave. Akuzon shkodranët, ata të Kamzës dhe shqiptarët e varfër se u shitën, kur familjarët u tij u bënë milionerë. Kaq mjafton për të kuptuar se nuk kemi të bëjmë me ndonjë opozitar, por me aksioner në minorancë në tortën e madhe të Shqipërisë.
Vetëm një opozitë e vërtetë dhe e çliruar nga ky kod pushtash mund të bëhet zëdhënësja e nevojës së shqiptarëve për drejtësinë. Shqiptarët presin një opozitë me ide të reja politike, me integritet, me njerëz të pastër dhe profesionistë që e duan Shqipërinë. Një opozitë që i jep përgjigje nevojave të shqiptarëve për drejtësi, për liri, për më shumë shanse, për progres dhe begatim. Një opozitë njëqind për qind e ndryshme nga pushteti mund të shndërrohet në shpresë për shqiptarët. I vetmi aleat i opozitës është drejtësia e re. E vetmja mundësi për shqiptarët që të jetojnë me dinjitet në këtë vend është drejtësia mbi pushtetin dhe pushtetarët. Opozita që të ketë sukses përball pushtetit ka vetëm dy mjete: pastërtinë morale dhe të jetë krejt e ndryshme nga pushteti. Ndaj kush është opozitar dhe nuk ka mëkate për të larë duhet të mbështesë drejtësinë, duhet ta trimërojë drejtësinë dhe ta ushqej me moral.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular