BallinaOP EDPD nuk është “kor” i Berishës

PD nuk është “kor” i Berishës

spot_img
spot_img

NDUE DEDAJ

Një çështje në Prokurori është krejt problemi yt individual, pavarësisht retorikës politike me të cilën kërkon ta veshësh, duke shkuar deri aty sa ta quash SPAK-un “organizatë kriminale”! Njihet tashmë kjo mënyrë mbrojtjeje e Berishës, duke sulmuar e akuzuar të tjerët pa kurrfarë principi si kriminelë (individë, institucione, qeveri etj.), mirëpo deputetët e opozitës ç’kusur kanë që duhet t’i dalin në krah atij në rastin e akuzës për korrupsion pasiv? Është tjetër që forumet politike të opozitës të mblidhen për të demaskuar aferat e njëpasnjëshme të qeverisë dhe tjetër t’i gjendesh dikujt, për një akuzë vetjake, që atij i bëhet nga drejtësia, qoftë dhe e padrejtë.

Sa njerëz me pushtet apo pa pushtet janë akuzuar për korrupsion dhe më pas kanë marrë pafajësinë! Përfshi edhe ish–kryeministrin Fatos Nano. Prandaj janë disa shkallë gjykimi. Bile deri në Strasburg. Më e pakta, njerëzit pranë liderit të PD-së duhet të shprehën pa paragjykim: “Doktor, të duam shumë, po drejtësia të bëjë punën e saj”, siç thonë në të gjitha rastet e tjera.

Thellë-thellë, Berisha nuk ka nevojë për mëshirë, por për të drejtën. Dhe në këtë rast atë nuk ia sjell partia, sado të përbetohet se ai nuk ka gisht në përfitimet e dhëndrit nga privatizimi i kompleksit sportiv “Partizani”. Nuk i bëjmë moral askujt, por dinjiteti i një ish-shtetari të lartë e do të përballet me ligjin pa hedhur tymuese dhe shpulla në Kuvend. Nuk e meritojnë shqiptarët këtë agresivitet nga foltorja e demokracisë, e cila nuk është foltorja e partisë, as e njërës e as e tjetrës.

Deputetët tanë mjeranë kanë tridhjetë vjet që thyejnë karriget e Kuvendit dhe ne jemi këtu se këtu, në “parahistorinë” parlamentare. Berisha të shkojë për vete në gjykatë, sipas masës që i është caktuar, “detyrim paraqitje” dhe pastaj të flasë gjithë ditën për inceneratorët e qeverisë së Ramës! Vetëm atëherë është i besueshëm. Po, zotërinj, përderisa vetë po shkoj para ligjit, kam gjithë të drejtën ta kërkoj këtë dhe për qeverinë e korruptuar dhe ta vërë me shpatulla për muri Kuvendin e telekomanduar nga Kryeministri, që të miratojë jo 8 komisione hetimore, por dhe 18 po të jetë nevoja. Është thënë që në kohen kur Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, se ai duhej të përballej i vetëm me atë situatë të re për të, pa përfshirë partinë e demokratëve, çka ai nuk e bëri.

Nuk po e bën as tani, kur ashtë akuzuar për krijim favoresh në sajë të pushtetit që ka pasur. Ai deklaron se “nuk ka asgjë personale në qëndrimet e mia” (!), gjë që as vetë nuk e beson. Nuk mund të jetë çdo gjë vetëm sociale, kombëtare, “për qytetarët” e të tjera slogane. Gjëja personale nuk është e përjashtuar nga askush dhe për asgjë. Sado që krahasimet çalojnë, shumë mote më parë, ndodhi diku një ngjarje e shëmtuar dhe të “zotët” e së keqes deshën ta ndanin fajin përgjysmë me “katundin”, por u ngritën pleqtë (burrat e dheut) dhe i vunë pikat mbi “i”, kjo është përgjegjësia juaj dhe nuk mund ta përgjysmoni me askënd. Kaq e thjeshtë është! Kori politik i rrjeteve sociale për hir të së vërtetës nuk i bën asnjë nder Doktorit. Nuk ia lehtëson pozitën.

PD nuk mund të jetë një “repart i gatshëm” për të dalë në shesh për fatin e tij dhe të familjes së tij. Nuk mund të përzihen gjërat. Me SPAK ka punë vetëm qytetari Berisha, kurse me opozitëbërjen, të gjithë demokratët dhe ne qytetarët e tjerë. Kakofonia politike në këtë rast nuk ngjit as te militantët. Kemi vite e vite që themi për organet e drejtësisë se janë nën “pushtetin” e udhëheqësit të radhës, çka ka qenë e vërtetë jo pak, por sa i përket Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mund të jemi më të kursyer në deklarata, pasi dihet se investim i kujt është.

Institucionet amerikane ka vite që kanë kërkuar të ndëshkohen “peshqit e mëdhenj”, kurse ne vazhdonim të merreshim me “cironkat”. Kur e panë se ne nuk e bënim dot vetë, nxiten dhe mbështeten drejtpërdrejt reformën në drejtësi, që solli Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme, për të mos pasur më pushtetarë të paprekshëm nga ligji. Ka një paradoks mes kërkesës së SHBAve për të dënuar të korruptuarit e Shqipërisë (dhe të gjithë rajonit) dhe mburrjes së qeveritarëve tanë të djeshëm e të sotëm për ndershmëri proverbiale!? Në këtë qasje, nuk dimë nëse kreu i selisë blu ka të njëjtin etiketim (“organizatë kriminale”) për SPAK edhe kur portën e tij e kalojnë ministra dhe kryebashkiakë socialistë!? Ana tjetër e problemit e presupozon, por dhe e tejkalon Berishën. Ajo e mitizimit të figurave politike dhe jo vetëm.

Ne nuk rrojmë dot pa mite të gjalla. Dje mitizuam jo vetëm diktatorin e pesëdhjetë vjetëve, paçka modestisë së shtirur të tij, po gjer individë të thjeshtë, që ranë në krye të detyrës në punë të ndryshme. Burgu e mitizoi dhe ish-liderin socialist. Vetë togfjalëshi “lideri historik” është shfaqje e kësaj mendësie provinciale. Është vonë që Berisha të mitizohet për shkak të një përballje me drejtësinë. Duhet thënë se miti i tij tashmë ka rënë. Kjo nuk do të thotë se ai është i fajshëm. Nëse është i tillë e vendos gjykata, ama shqiptarët nuk vënë më dorën në zjarr se doktori çdo gjë mund ta ketë, por me korrupsionin nuk ka punë, ai vetëm kafe dhe ujë pinë. Kurse një “akuzë” për Berishën është e provuar e stërprovuar, gjuha e tij e shthurur ndaj kundërshtarëve politikë, ambasadorëve e gjer prokurorëve, duke u tallur e vënë etiketa personave dhe institucioneve prej 30 vjetësh, çka nuk ia kanë kursyer as vetë atij. Shqiptarëve iu kujtohen etiketimet e tipit “Mark Avdia” apo “Doktor Rrumpalla”.

Kjo i bën aq më shumë qesharakë sot përdoruesit e kësaj gjuhe batutash të rëndomta, që nuk i shkojnë as zhargonit të rrugës. Edhe shefi aktual i së majtës, është thënë sa herë, se dëshiron të shfaqet si një lider ballkanik!? Me gjithë dëshirën e mirë të tij, si dhe të mbështetësve nga selia rozë, shqiptarët vetëm njëherë kanë pasur një strateg të rangut europian, në shekullin XV. Prandaj, le të heqim dorë nga mitet dhe butaforitë njëherë e mirë! Nga të gjithë krahët e politikës. Nuk bëhesh lider europian, se pret në rresht me regji, në derën e shtëpisë tënde, si në një “spektakël” mikpritjeje, liderët Bashkimit Europian. Si ata bëhesh vetëm kur e çon vendin drejt Europës me investime serioze, luftë kundër “kap ç’të kapësh” e sidomos duke i krijuar të gjitha lehtësitë e duhura opozitës, që të bëjë detyrën e saj politike, institucionale dhe atdhetare.

Mitet? Sa më parë të bien mitet bashkëkohore dhe legjendat urbane, aq më shpejt shqiptarët do të shkojnë në Europë, pa pushtetarët e korruptuar të asnjë ngjyre e zgjyre! Mos të krijojmë drama të paqena politike. Na mjafton kjo që kemi, që nuk po arrijmë të bëjmë rotacionin politik! Kësaj si i bëhet? Ky është problemi i shqiptarëve dhe i demokracisë. Të gjithë e dinë dhe e thonë, me zë e nën zë, se me këtë opozitë të shkalafitur nuk ka dritë në fund të tunelit.

Bisedat sporadike të Bashës me nga katër-pesë vetë andej– këndej, nëpër qytete dhe katunde, nuk prodhojnë kurrfarë opozite për sot e nesër, për të ardhur e djathta në pushtet. Shqiptarëve iu duhet ta bëjnë zgjidhjen, në radhë të parë duke i lënë në shejtninë e vet mitet politike, liderit historikë, ata që realisht nuk e bëjnë më ndryshimin e domosdoshëm, rotacionin e pushtetit! Kur zgjedhjet e përgjithshme i kemi jo “vite dritë” larg, por veç dy vite kalendarike. A është kjo deviza e demokratëve, do të thoshim të përbashkuar, apo minikonferencat e shtypit për hallin e doktorit.

Aksioni opozitar nuk besojmë se ka lidhje me kapërcimin e kangjellave të Kuvendit, si dikur opozita e majtë ato të KQZ-së. Kapërcimi tjegull më tjegull e duke hyrë nëpër dritare zor se mund të quhet betejë parlamentare! Përfaqësuesit e popullit janë tjetër gjë nga ata që shohim. Ashtu siç nuk është Garda ajo që mund ta vendosë “rendin” në Kuvend, as diktati në emër të pushtetit të pakufizuar të kreut të qeverisë. Çfarë të qajë “vajtimorja” më parë nga marrëzitë e politikës shterpë, që prodhon vetëm konflikte të panevojshme dhe absurditet? A ka zgjidhje? Zgjidhja është vetëm një, opozita. Se si do t’ia zërë ajo fillin kësaj punës së rotacionit, vetëm ajo duhet ta dijë…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular