Gazetari Arbër Hitaj ishte këtë të mërkurë në “Now me Erla Mëhillin”, për të folur rreth shkuarjes në SPAK të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit është pyetur nga hetuesit e SPAK lidhur me aferën e CEZ-DIA, në cilësinë e personit që ka dijeni.
Hitaj tha se për këtë rast është marrë në pyetje edhe këshilltari i Ilir Metës, Ilir Kulla, por kjo gjë mbetet ende e pakonfirmuar nga SPAK.
“Flitet që një ditë më parë ka qenë edhe një nga këshilltarët e zotit Meta, pikërisht për këtë çështje. Ilir Kulla. Por këto janë informacione që ne mund t’i verifikojmë 100%, sepse SPAK nuk është si ish-prokuroritë e tjera që ta japë informacionin si e do ti. SPAK të jep informacionin si do SPAK dhe në rastin konkret jemi te pyetja e personave që kanë dijeni. Kjo nuk do të thotë që zoti Meta është i akuzuar”,-tha gazetari.
Dosja CEZ-DIA për të cilën është thirrur në SPAK, Ilir Meta është një nga më të vjetra në Prokurorinë e Posaçme dhe e udhëheq vetë kreu i SPAK Altin Dumani.