BallinaOP EDEdhe një kamp tjetër për të huajt

Edhe një kamp tjetër për të huajt

spot_img
spot_img

PËLLUMB NAKO

Edhe këtë radhë, si shpeshherë të tjera, kryeministri e shijoi pa masë befasinë me të cilën i zuri shqiptarët mbarë lidhur me nënshkrimin e një marrëveshjeje për emigrantët e parregullt me Italinë. Kjo mënyrë veprimi e tij duket sikur jep mesazhin se ai si individ nuk u përket tashmë vetëm shqiptarëve. Ndaj dhe përfitimet e tij politike jo domosdoshmërish i kalojnë edhe vendit. Marrëveshja në fjalë presupozon që procesi i përzgjedhjes së emigrantëve kryesisht afrikanë, të kapur në det nga autoritetet kompetente italiane, të kryhet në Shqipëri. Ata do të qëndrojnë në një kamp në Gjadër deri sa t’u vijë përgjigja për azilin që kërkojnë apo për deportimin dhe është shteti italian që menaxhon gjithçka.

Pavarësisht nga mënyra e veprimit të kryeministrit, ideja e eksteriorizimit të azilit në Evropë ka kohë që diskutohet si një zgjidhje, por që ende nuk ka marrë rrugë në nivel evropian me përjashtim të një marrëveshjeje BE-Turqi. Format e tij janë disa. Bëhet fjalë për projekte ligjore, që synojnë trajtimin e kërkesave për azil jashtë hapësirës Shengen. Këtë ide, Kryeministrja italiane e ka shprehur gjatë fushatës së saj elektorale kur premtoi dërgimin e azilkërkuesve në vende partnere të Afrikës së Veriut si Libia duke i mbajtur aty deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil para se të ridërgohen në Evropë. Kurse përfaqësuesi special i Gjermanisë për migracionin propozon që qendra të tilla të hapen në rrugët migratore në tranzit.

Ndërkohë zgjidhja që ka dhënë Italia nëpërmjet kësaj marrëveshjeje me Shqipërinë është dërgimi ‘hotspots’- et e saj jashtë kufijve të vendit për të bërë përzgjedhjen dhe procesi do të kryhet nga personel italian. Marrëveshja ka ndezur diskutime. Kategorikisht pro dhe kundër. Në fakt në raste të marrëveshjeve të kësaj natyre duhen para edhe aspektet negative, por edhe ato pozitive. Nuk mund të ketë rrezik zero. Për më tepër që për një aktivitet të tillë nuk ka eksperienca, ndaj dhe nëse marrëveshja në vetvete duket e blinduar, nuk duhet paragjykuar në thelb, pavarësisht se implementimi i saj mund të sjell probleme të paparashikuara. Por për këtë duhet pritur. Është koha që e tregon. Nuk duhet harruar gjithashtu fakti që kemi të bëjmë me Italinë, e cila ka një eksperiencë të jashtëzakonshme në menaxhimin e flukseve migratore.

Në komentet plot pasion u fol për sovranitetin, për rreziqet, për pushtimin italian. Kurse kryeministri foli për eksodin e shqiptarëve matanë detit, por në këtë rast nuk kemi të bëjmë me të njëjtën situatë. E megjithatë, nuk duhet harruar fakti që në vitin e vështirë 1997, në Shqipëri mbërriti misioni italian i sigurisë INTERFORZË. 300 karabinierë, policë dhe financierë të Guardia di Finanza të drejtuar nga personalitetet me të shquara të tyre, së bashku me mjetet teknike, zbarkuan në Shqipëri dhe dhanë shpresën e parë që vendi do të ringrihej, siguria do të rivendosej dhe po ashtu, Policia do të rindërtohej.

Me praninë në rrugë, me asistencën ndaj policisë, për një kohë të shkurtër kontributi i misionit bëri që rendi filloi të forcohet. Më pas nuk duhen harruar dhe miliardat e liretave për mjete e teknologji në favor të policisë shqiptare të katandisur në minimumet e saj. Po ashtu në vitin 1998, kur filloi lufta në Kosovë, institucionet shqiptare ende nuk ishin fuqizuar aq sa duhet dhe refugjatët nga Kosova shoqëroheshin nga mjetet dhe personel i karabinierëve dhe i Policisë italiane për t’i siguruar e drejtuar në kampet e ndërtuara me këtë rast në thellësi të vendit. Të armatosur, me uniformat, me mjetet e tyre profesionale ata ishin të pranishëm gjithkund në Shqipëri dhe askush nuk u kujtua për sovranitetin e vendit. Madje, edhe sot brigjet shqiptare ruhen ende nga Guardia di Finanza italiane. Në këtë aspekt, vendimi i qeverisë duket me vend. Por, edhe problemet nuk mund të mos prezantohen.

Në parim, kur qeveria merr një nismë të kësaj natyre, duhet që fillimisht të shohë nëse shkeljet ligjore të ushqyera nga emigracioni i paligjshëm, si dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kontrabandimi, trafikimi, janë konstante, në ngritje apo në rënie. Fenomenet kriminale të lidhura me imigracionin që vjen nga Greqia tregojnë rritje të madhe të këtyre veprave për faktin e kërkesë-ofertës. Po ashtu, edhe numri i veprave penale të kryera nga të huajt në territor ka rritje. Duke qenë se kemi të bëjmë me një ndalim administrativ dhe jo penal të këtyre emigrantëve, ekziston rreziku që ata të largohen dhe këto vepra penale të rriten në numër.

PËRSE EKZISTON RREZIKU I LARGIMIT TË EMIGRANTËVE?

Nga marrëveshja duket se qendra që do të ndërtohet në Gjadër dhe ajo do të shërbejë si vend, ku do të kryhet përzgjedhja e emigrantëve. Kjo, sepse është kontakti i parë i tyre me autoritetet italiane. Në një farë mënyre “kufiri italian”. Pra, të gjithë imigrantëve do t’u kërkohet nëse kërkojnë azil apo jo. Më pas kërkesat e tyre do të shqyrtohen nga autoritetet italiane për një afat ligjor që parashikon ligji i tyre, përfshi këtu edhe kohën e ankimimit të vendimit. Pas këtij procesi, me sa kuptohet nga marrëveshja, ata që e fitojnë azilin, do të kthehen në Itali ku do të pajisen me leje qëndrimi, kurse të tjerët do të rrinë e të deportohen drejt vendeve të tyre.

Ky fakt nuk sqarohet i detajuar. Fryma e marrëveshjes të jep të kuptosh se të gjithë do të largohen dhe asnjë nuk do të mbetet në Shqipëri, por ka mjaft syresh që nuk mund të deportohen, sepse vendi i origjinës nuk i pranon. Do të kthehen në Itali dhe këta? Pra, dalin tri kategori: ata që fitojnë azilin, ata që deportohen dhe ata që as përfitojnë dot azil e pamundur të deportohen. Se sa do jetë numri i tyre, kjo do të shihet në praktikë. Dhe ky grup përbën problemin sepse kemi të bëjmë me individë në gjendje të dëshpëruar që nuk kanë se çfarë të humbasim. Për këtë kategori, ka vende si psh., Franca që është duke riparë ligjin për të huajt dhe projekti ende në diskutim thotë që emigrantët e parregullt, pra kategoria e tretë, do të pajisen me leje qëndrimi provizore dhe me afat 1-vjeçar me kusht që të punojnë në punë të vështira si psh., ndërtimi. Nuk duhet harruar as fakti se Shqipëria ka tashmë disa grupe migrantësh që jetojnë në territorin e saj me statuse të ndryshme. Më specifikisht do të duhej të përmendej grupi i afganëve.

Në tërësi largimi i tyre nga vendet e BE-së drejt Afganistanit nuk është i mundur ndërkohë ekziston edhe një marrëveshja BE-Turqi lidhur me emigracionin. Sipas saj, përveç të tjerave, Turqia pranon emigrantë të parregullt, madje edhe azilkërkues, por me klauzolën e nenit 38 të direktivës evropiane me nr. 2013/32, e cila u lejon vendeve anëtare të BE-së të dërgojnë kërkuesit e azilit në një vend të tretë, ku respektohen të drejtat themelore dhe ku ata kanë një lidhje. Dhe një afgan azilkërkues mund të ketë lidhje me komunitetin e pranishëm në Shqipëri. Megjithatë, pavarësisht këtyre komenteve dhe dilemave, është aplikimi konkret i marrëveshjes ai që do të nxjerrë në pah nëse konkretisht ajo ka defekte dhe krijon probleme për vendin. Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular