BallinaOP EDFirmat e Ramës, kambana alarmi të gjëmës!

Firmat e Ramës, kambana alarmi të gjëmës!

spot_img
spot_img

XHEVAT MUSTAFA

Dje, më datë 6 nëntor 2023 në Romë, Kryeministrja e Italisë, Giogia Meloni dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama firmosën disa marrëveshje midis dy vendeve. Natyrisht, ato janë bërë të njohura nëpër mediave italiane dhe shqiptare. Shpejtësia e nënshkrimit, mungesa e diskutimit paraprak në struktura të shoqërisë civile, media, parlament, me specialistë elitarë në fushën e drejtësisë për kushtetutshmërinë mbartin dhe shprehin një dëshmi të freskët se Edi Rama nuk pyet për Parlament, Kushtetutë, pozitë, opozitë, popull, shoqëri civile… Është e pritshme që enveristo-edramistët, që janë ngjirur duke i sharë “fashistë” dhe “zogistë” edhe kundërshtarët e tanishëm, sidomos Berishën dhe disa liderë të tjerë opozitarë, të binden se nga sot e tutje fashizmin dhe Ahmet Zogun, që sipas propagandës komuniste ia shiti Italisë interesat kombëtare shqiptare, i kanë në “gjirin e tyre” apo në “kokën” e tyre. Megjithatë, jo pak, duke pasur si përherë parësore interesat e veta individuale, familjare, biznesore, partiake, klanore, do t’i dalin në mbrojtje dhe do t’i bëjnë avokatin mbrojtës Edi Ramës dhe firmave të tij rrezikmbartëse e gjëmasjellëse, pa harruar edhe autorësinë dhe firmën e tij për “draftin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës”!

Gjithsesi, me shpresë të paktë apo të vakët, na mbetet të urojmë: e ndihmoftë Zoti “popullin e majtë” shqiptar të vijë në vete e të ndërgjegjësohet pa i rënë në kokë ortekët e gjëmës së re nga Edi Rama i zemrës dhe votës, se ka përgjegjësi jo vetëm për pronat personale dhe familjare; për kulla dhe inceneratorë, për komplekse tregtare dhe turistike, por edhe për Shqipëri e komb! Sepse prej afro 79 vjetësh ka qenë dhe është si i përgjumur apo si i droguar nga premtimet dhe shifrat mashtruese, nga paradat, kafetë, teket e rakisë, krikëllat e birrave dhe gotat e verërave me qofte, gjizë apo salcë kosi, me hudhra e qepë të thata apo të njoma sa qelbin gjithë lokalet; nga spektaklet thuajse pornografike dhe tallavatë; nga analistët politikë-papagaj proqeveritarë! Por, historia dhe përjetimi rreth 79- vjeçar na ndihmojnë të gjykojmë me mend në kokë në këmbë në tokë, të bindemi se reflektimi dhe reagimi nga “populli i majtë”, me shumë gjasa do të jenë iluzion dhe shpresë e kotë! Fatkeqësisht “të majtët shqiptarë”, shumë më tepër “internacionalistë proletarë” se sa kombëtarë, kanë afro 79 vjet që kuptojnë vetëm enverisht dhe edramisht! Me firmën e hedhur më 6 nëntor 2023 Edi Rama ridëshmoi për të shumtën herë se në këta 10 vjet si kryeministër ka treguar se në të keq të Shqipërisë, “pa vramendje e keqardhje zemre bën çfarë dëshiron dhe premton”.

Kështu, kur të nisi marrëveshja Rama-Meloni, Shqipëria do të hapë dyert dhe portin e Shëngjinit për dhjetëra-mijëra afrikanë dhe aziatikë, sidomos kurdë, sirianë, libianë, libanezë, tunizianë, marokenë…. Në të njëjtën kohë, po kaq bij e bija të mijëra familjeve shqiptare do të ikin jo pak ngjashëm si palestinezët nga Gaza drejt Italisë, Gjermanisë, Francës, Anglisë, Suedisë…! Marrëveshja e nënshkruar nga Giorgia Meloni dhe Edi Rama, që parasheh dhe mundëson strehimin në Shqipëri të 36-40 mijë refugjatëve në vit nga vendet afrikane dhe të Lindjes së Mesme është gjithashtu një lajm i madh i gëzueshëm për trafikantët shumëkombësh të qenieve njerëzore. Dihet se shumicës do t’u refuzohen kërkesat për azil dhe do t’u bëhen presione për rikthim nëpër vendet nga kanë ardhur.

Tani për tani askush nuk mund të thotë se çfarë do të bëhet me ata persona, të cilëve nuk do iu aprovohet leja e qëndrimit në vendet e Bashkimit Europian. Merret me mend se zgjedhja, zgjidhja, alternativa shpëtimtare… është po aty, ku kanë zbritur dhe janë pritur! Nga Shëngjini deri në kufirin me Malin e Zi, më konkretisht deri në Ulqin, Budva, Dubrovnik… distanca nuk është e madhe! Pra, bëhet më e mundshme dhe më e sigurt që këta njerëz, të cilët kanë kaluar Mesdheun mbi gomone e varka dhe me fatura shumë të larta financiare e në jetë njerëzore familjare, nuk do të kthehen në vendet apo “ferret” e tyre të origjinës. Përkundrazi, ata do të bëhen një burim i madh fitimi për trafikantët, të cilët do t’’ ndihmojnë të çajnë drejt zemrës dhe veriut të Evropës, nëpërmjet rrugëve tokësore drejt BE-së, përmes Malit të Zi, Bosnjës, Kosovës, Serbisë…. Një tjetër rrezik, i cili nuk është paramenduar ose është anashkaluar vullnetshëm nga firmëtari i kësaj marrëveshje, domethënë nga Edi Rama, dora vetë, është vënia në rrezik e sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Dihet që turmat apo ushtritë e refugjatëve nga vendet e Lindjes së Mesme apo të Afrikës Veriore apo edhe nga vende të tjera më poshtë tyre, kanë brenda edhe njerëz nga më të rrezikshmit, persona të lidhur me organizata të ndryshme terroriste.

Shqipëria nuk ka kapacitete dhe as përvojë t’i identifikojë e jo më t’i neutralizojë me kohë e pa arritur të veprojnë. Merret me mend se Meloni, me synimin e lavdërueshëm nga italianët për të mbrojtur Italinë nga rreziqet prej këtyre, ka gjetur njëmendësi dhe gatishmëri tek Edi Rama, për t’i eksportuar të këqijat në Shqipëri, në Shëngjin e Lezhë dhe prej tyre, në Shkodër, Ulqin…! Natyrisht, edhe në Tiranë e Durrës, që nuk janë larg nga Shëngjini… Gjatë 10 viteve të mbretërimit të tij, për hir të plotpushtetizimit dhe qëndrimit sa më gjatë të tij në pushtet, Edi Rama ka bërë shumë marrëveshje problematike e me rrezikshmëri të përjetuar apo të largët, por kjo e dt.6 nëntor 2023, dy ditë para 82- vjetorit të 8 nëntorit 1941, kur u poll “nëna e gjëmave” për Shqipërinë dhe shqiptarët, mund të vlerësohet, të paramendohet apo parashikohet se do të na dalë më e keqja. Fatkeqësisht, po bëhet për ditë e më e qartë se Edi Rama po bën gjithçka që i teket dhe dëshiron me Shqipërinë dhe shqiptarët, sikur t’i kishte pronë stërgjyshore, gjyshore, prindërore, personale…! Se ai u ka rrëmbyer, shpërfytyruar dhe zhvleftësuar gjithçka fituan në këta 32 vjet: demokraci, pluralizëm, zgjedhje të lira e të ndershme, sovranitet dhe integritet shtetëror!

Por, edhe se po i rrezikon vazhdimisht të mbeten edhe pa rini, edhe pa familje, pa të sotme e të ardhme, pa siguri për tokën dhe detin, për shëndetin dhe jetën. Disa qytetarë, kundërshtarë të hapur të Rama-parti-qeverisë, intelektualë të pavarur plotësisht apo me maska pavarësie, të ndërrueshme përditë si ato të COVID 19-s, kanë shpresë se kjo marrëveshje e re e Edi Ramës mund të pritet me reagim qytetar dhe demokratik nga shoqëria civile shqiptare! Uroj ta përjetojmë këtë çudi dhe mrekulli, por personalisht jam skeptik apo mosbesues

Sa nuk na e kanë ndaluar akoma edhe këtë formë lirie, po i lejoj vetes të shprehem me humor dhe popullorçe: shoqëria civile shqiptare, ashtu si shumica e popullit dhe opozita, janë të butë dhe të ëmbël me Rama-parti-qeveri-oligarkinë si kadaif, bakllava, trileçe, sheqerpare! Disa të tjerë, jo krejt pa të drejtë e arsye, fajësojnë partitë kryesore të opozitës për plotpushtetizimin apo diktatorizimin e Edi Ramës, me dëshmi të freskët kulmore marrëveshjen me Melonin më 6 nëntor 2023!

Duke kundërshtuar apo duke u justifikuar, po kaq logjikshëm, mund të mendohet dhe thuhet nga liderë dhe mbështetës të këtyre partive të opozitës: çfarë mund të bëjnë partitë opozitare, në këtë vend e në këto kushte? Rama-qeveria në këta 10 vjet ka eliminuar apo nëpërkëmbur parlamentin dhe Kushtetutën, drejtësinë e pavarur, pozitën, opozitën, pluralizmin, sindikatat, shoqërinë civile, pavarësinë e shumicës së mediave, “popullin sovran”, slogan që në Shqipëri në këta rreth 111 vjet ka qenë dhe ka mbetur një përrallë si ato të 1001 netëve apo të Nastradinit! Kjo marrëveshje shpreh një të vërtetë shqetësuese, kur nuk ka shtet, parlament, pozitë, opozitë, sindikata, shoqëri civile, popull, kur Kushtetuta është vetëm si tekst në letër, kryeministri mendon dhe vepron sikur është sulltan, perandor, mbret… Nga dt.6 nëntor 2023 shumë shqiptarë kanë arsye dhe të drejtë të ulërijnë drejt detit dhe qiellit: bobo, ç’na boni “fashistja” Meloni! Por, edhe: si kemi duruar 10 vjet si kryeministër një njeri si Edi Rama, që na ka përmbyt vetëm me gjame?!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular