A është thirrur Kryemadhi në SPAK? Përgjigjet Meta: Është denoncuesja kryesore e aferës së inceneratorëve, habitem sesi…

0
654

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se bashkëshortja e tij, njëherësh dhe deputetja e PL, është denoncuesja kryesore e aferës së inceneratorëve dhe shumë çështjeve të tjera, ndërsa thekson se është normale dhe e pritshme thirrja e saj në SPAK

Meta shprehet se ajo çfarë i bën habi është sesi SPAK regjistron aq shpejt kallëzime që dërgohen nga persona me të shkuar kriminale, ndërsa nuk ka një përgjigje për kallëzime me fakte dhe prova që çohen nga persona me autoritet publik.

“Ka me dhjetëra procedime të rreme, kallëzues të rremë dhe mos harroni se Kryemadhi është denoncuesja kryesore e aferës se inceneratorëve dhe shumë çështjeve të tjerave. Kështu që kjo është normale dhe e pritshme për të çfokusuar opinionin nga aferat që po ndodhin dhe që janë flagrante. Habitem me sa shpejtësi regjistrohen kallëzime që çohen nga persona të dënuar në të kaluarën, ndërkohë nuk ka përgjigje për shumë kallëzime me fakte dhe prova nga njerëz me autoritet publik”, tha kreu i PL, në një intervistë për “Syri TV”.

Në lidhje me pyetjen e beson te puna e SPAK, Meta tha: “Kur kam folur për SPAK kam dashur të jem i kujdesshëm sepse aty ka dhe prokurorë që përpiqen të bëjnë punën e tyre me integritet, duke rrezikuar veten dhe familjen e tyre sepse ndjekin çështje që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, por pa asnjë diskutim që SPAK është në një presion dhe diktat politik, përderisa kryeministri nuk thirret asnjëherë. Ose thirret natën, pa lajmëruar njeri.”