Paraditen kësaj të premte ka mbërritur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, (SPAK) Alma Kaçi, e cila u përfshi në një video me Safet Gjicin duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e këtij të fundit, teksa mbante postin e kryetarit të Bashkisë së Kukësit.
Mësohet se Kaçit pritet t’i komunikohet zyrtarisht akuza për korrupsion aktiv.
Ndërkaq, të enjten, SPAK mbylli hetimet për Safet Gjicin dhe Alma Kaçin. SPAK ka dërguar kërkesën për gjykim ndaj ish-kryebashkiakut të Kukësit për veprën penale ‘korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror apo i të zgjedhurve vendor’, ndërsa Kaçi akuzohet për ‘korrupsion aktiv’.
Safet Gjici ra në pranga në qershor të këtij viti, pak javë pasi ishte rizgjedhur në krye të Bashkisë së qytetit verilindor.
Ai shfaqej në disa pamje filmike të regjistruara në zyrën e tij nga shtetësja Alma Kaçi duke kryer veprime të turpshme, ndërsa kjo e fundit i kërkonte ta favorizonte në një projekt për rehabilitimin dhe strehimin e qenve.
Prej kësaj kohe Gjici ndodhet prapa hekurave, ndërsa Kaçi në arrest shtëpie.