Mediat në Ekuador kanë zbuluar lidhjet e “mbretit” të kokainës, Dritan Rexhepi i arrestuar në Stamboll, me politikën ekuadoriane.
Në fillim të vitit 2023, audiot dhe informacionet e rrjedhura nga media “La Posta”, nxorën në sy të publikut Dritan Rexhepin ose Dritan Gjikën.
“Raportet nga Operacioni León de Troya tregonin, ndër të tjera, se Rexhepi mbante një marrëdhënie biznesi me Rubén Cherres.
Midis tyre ata themeluan të paktën 13 kompani, shumica e tyre të lidhura me kompanitë e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme.
Vëzhgimi i policisë brenda operacionit zbuloi takime dhe biseda të panumërta mes Cherres, Rexhepit apo Gjikës dhe individëve që ishin pjesë e asaj që njihej si mafia shqiptare”, shkruan gazeta ekuadoriane “El Universo”.
Marrëdhëniet e zbuluara të biznesit mes Cherres, Rexhepit dhe mafies shqiptare tërhoqën vëmendjen jo vetëm sepse ishin biznese që me sa duket kishin të bënin me krijimin e kompanive frontale për transportin e drogës nga Ekuadori në Evropë dhe pastrim parash, por edhe për miqësinë e ngushtë të Cherres dhe Danilo Carrera, kunati i presidentit të Republikës, Guillermo Las
“Raportet e policisë tregojnë se karteli i udhëhequr nga Rexhepi transportonte ngarkesa të panumërta miliona dollarëshe droge nga vendet e Amerikës së Jugut në Evropë. Besohet se shqiptari, gjatë kohës që ishte i ndaluar në Ekuador, ka vazhduar të drejtojë dërgesën e drogës, ndërsa aktiviteti është shtuar kur ai ishte jashtë burgut dhe jashtë kontrollit të sistemit të drejtësisë ekuadoriane”, shkruan ndër të tjera gazeta.
Dritan Rexhepi ishte në kërkim ndërkombëtar pasi kishte dënime për vrasje me dashje, trafik droge, rrëmbim, falsifikim dokumentesh udhëtimi, armësh dhe municioni. Para se të mbërrinte në Ekuador, shqiptari është arratisur tashmë nga burgjet në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë. Hetimi gazetaresk i quajtur “Kumbari i Madh” u cilësua nga Prokuroria si rasti Encuentro.