Rafael Duamena është ndarë nga jeta në mënyrë tragjike pasi pësoi kolaps në fushën e lojës. Një tragjedi deri diku e paralajmëruar për futbollistin, i cili 6 vite më parë ishte diagnostikuar me probleme në zemër kur dështoi në testet mjekësore të Brajton.
Duamena luante te Zyrihu dhe shkoi në gusht të vitit 2017 të bënte testet te Brajton për t’u transferuar atje. Por gjatë testëve, atij iu bë e ditur se i kishte dështuar ato. Sipas “Neue Zürcher Zeitung”, një skaner tregoi se ai kishe një aritmi kardiake që shkaktohej nga një mbresë e dukshme në zemër dhe klubi anglez hoqi dorë prej tij.
Aritmia kardiake është kur rrahjet e zemrës funksionojnë në mënyrë të çrregullt dhe këto mund të shkaktojnë probleme të vazhdueshme. Në disa raste, një gjendje e tillë rregullohet me ndërhyrje kirurgjikale, mjekime apo edhe pajisje që vendosen në zemër (defibrilatorët).
Zyrihu e ktheu përsëri në fushë pasi mori dritën e gjelbër nga mjekët në një klinikë zvicerane dhe më pas e shiti te Levante, ku Duamena nuk u përball me kundërshtinë e mjekëve, derisa u huazua te Zaragoza. Atje mjekët e klubit i bënë të qartë se duhej të vinte defibrilator në zemër nëse dëshironte të luante me këtë klub, gjë që ai e bëri dhe më pas pësoi dy herë kolaps, një herë te klubi spanjoll dhe një herë në Austri.
Më pas ai vendos të hiqte pajisjen, i bindur se ishte ajo që ia shkaktonte kolapsin, ndonëse rregullonte aritminë kardiake. Një veprim që do rezultonte fatal sot në stadiumin e Rrogozhinës, ku pas pasojave të kolapsit në fushë, zemra e tij pushoi përgjithmonë.
PANORAMASPORT.AL