Nga Marash Mirashi
Sapo kam lexuar romanin e fundit, “Brenga e prokurorit”, të mikut tim shkrimtar, Ahmet Prençi.
Në këtë turbulencë të përgjithshme të shoqërisë, ku leximi gjendet nga fundi i listës së gjërave të rëndësishme, ndihesh sikur po lexon diku në një cep, nën bezdinë e erës. Kohët e fundit kam lexuar gjithsesi, prozë shqipe, kryesisht të miqve të mi, disa prej të cilëve i kam “braktisur” diku tek faqja 13 apo 14, pasi nuk i kanë kënaqur estetikisht shijet e mia, por me romanin “Brenga e Prokurorit”, më ka ndodhur e njëjta gjë si me romanin “Anja”; të dy i kam lexuar shumë shpejt, me një frymë, me atë ndjesinë e ankthit, që autori e ka përcjellë mjeshtërisht përmes tekstit.
Shkrimtari ia ka aritur që një temë e cila prej 33 vitesh qarkullon gojë më gojë, në mënyra të ndryshme, në një perceptim mbarësocial për drejtësinë, ta shndërrojë në një vepër letrare. Mënyra sesi autori e ka shkruar romanin, i përqaset më së shumti përvojave të tij jetësore, profesionale dhe letrare. Ky roman, ka në qendër një prokuror, i cili gjendet në vorbull. Një personazh i paharruar, të cilin Ahmeti e ka ndërtuar për lexuesin me shije të hollë, një personazh të cilit autori i ka ngarkuar mbi shpinë, gjëra nga më të çuditshmet. Autori e njeh mirë strukturën romanore, ka një stil vetanak, mjaft ekspresiv, leksik të zgjedhur, durim në skalitjen e personazheve dhe harmoni të rrëfyeri. A është prokurori Martin Guri, një fiction? Ç’ rendësi ka!Këtu jemi në letërsi! Urime mik Prenci Ahmet , në të tjerë libra.