BallinaKulture"Shtetari dhe shkrimtari", Besnik Bakiu analizon krijmtarinë dhe personalitetin e Ahmet Prençit

“Shtetari dhe shkrimtari”, Besnik Bakiu analizon krijmtarinë dhe personalitetin e Ahmet Prençit

spot_img
spot_img

Nga Besnik Bakiu
Para disa kohësh isha i ftuar në promovimin e librit të Ahmet Prençit “Brenga e Prokurorit”. Interesi ishte i madh, salla ishte e tejmbushur me njerëz të profesioneve, krahinave dhe përkatësive politike nga më të ndryshmet. Kishin ardhur kolegë dhe ish-kolegë, personalitete të politikës dhe organeve të larta shtetërore e publike, organeve të drejtësisë, gazetarë, miq dhe të afërm të autorit, madje ishin prezent pothuajse gjithë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion me në krye drejtuesin e saj Altin Dumani.
Personalisht nuk u çudita nga numri i madh i pjesëmarrësve dhe as nga larmishmëria e tyre, se dhe vetë autori Ahmet Prençi është një personazh i veçantë, suprizues dhe shumë dimesional. Mjafton që të evidentojmë faktin që ka qënë drejtues i lartë i disa agjencive ligjzbatuese si me të djathtën, ashtu dhe me të majtën. Me të drejtë Ahmeti ka deklaruar se: “Karrierën time e kam bërë pa u shkëputur asnjë moment nga veprimtaria ime shtetërore, jam bërë disa herë drejtues i institucioneve; jo nga radhët e partisë, jo nga kontributi si militant, anëtar partie, komisioner apo sponsorizues partish e fushatash zgjedhore… Asnjëherë nuk kam kërkuar që të kem një pozicion drejtuesi askund… Kam synuar të bëj më të mirën e mundshme në respekt të ligjit, të etikës, në respekt të autoriteteve që më kanë besuar e vlerësuar”. Edhe kur Ahmeti tentoj të shërbente në politikë, e “internuan” nga fundi i listave duke parpëlqyer si gjithmonë “dallkaukët”, “dallaverexhinjtë“ e “çakenjtë”.
Në ato momente mu kujtua promovimi i librit të tij të parë me poezi “Udhë në pasqyrë”, ku së bashku me personalitetet e shquara të letërsisë dhe artit Besnik Mustafaj, Bujar Asqeriu, Xhevahir Zeneli, etj organizuam ceremoninë e këtij promovimi. Në atë promovim unë përmenda faktin që nuk është hera e parë që Policia Shqiptare është drejtuar nga një poet dhe shkrimtar. Para Ahmetit është veprimtari i shquar të çështjes kombëtare pas pavarësisë, Hil Mosit, i cili ka drejtuar Policinë Shqiptare, kur në vitin e mbrapshtë 1914 mori përsipër postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Sigurisë së Shqipërisë.
Duke mosbesuar në rastësinë, u thellova në këtë ngjashmëri të këtyre “poetëve me revole” dhe zbulova ngjashmëri të tjera, të cilat po i rendis më poshtë:
Të dy kanë qenë Drejtor të Policisë në Shkodër: Hil Mosi në vitet 1916-1918 dhe Ahmet Prençi në vitet 2005-2007.
Të dy kanë kryer detyra të ndryshme në administratën shtetërore: Hil Mosi ka qenë prefekt i Korçës, senator dhe deputet, sekretar i Këshillit Kombëtar, ministër i Punëve Botore dhe ministër i Arsimit, zv/ministër i Punëve të Jashtme, etj.
Ahmet Prençi, ka kryer detyra të ndryshme si hetues, OPGJ dhe drejtues i Policisë Hetimore; specialist dhe drejtues në njësitë e luftës kundër krimit ekonomik e financiar; drejtues i Policisë Kriminale në qarqe të ndryshme; drejtori i Hetimit Tatimor; inspektor i kontrollit të pasurive të zyrtarëve të lartë, etj. Sot është Komisioner pranë Avokatit të Popullit.
Shpirti poetik i të dyve nuk i pengoi të kryejnë me devotshmëri dhe seriozitet detyrat ndaj atdheut, madje edhe të dorehiqeshin nga detyrat kur kanë parë se (për arsye që nuk vareshin nga vullneti i tyre) nuk mund ti realizonin ashtu si ata dëshironin.
Sjell në vëmendjen e lexuesit se Ahmet Preçi ka dhëne dorëheqjen si drejtori i Hetimit Tatimor, madje është tërhequr nga gara për Avokatin e Popullit si kandidat, megjithëse e kishte marrë mbështetjen e 42 deputetëve për këtë post.
Shtetari Ahmet Preçi në krye të Policisë së Shtetit drejtoj reforma që kontribuan për anëtarësimin tonë në NATO dhe liberalizimin e vizave.
Ngjashmëria mes Hil Mosit dhe Ahmet Prençit nuk është vetëm në detyrat e larta shtetërore që kanë kryer, por vazhdon edhe në krijimtarinë letrare. Të dy kanë shkruar poezi dhe prozë, madje poezinë e parë i’a kanë kushtuar Atdheut:
Hil Mosi vëllimin e parë më poezi 1913 e titullon “Zan’i Atdheut” (Thon’ për ty që ke mbarumun/E gjallsi ti ma nuk ke;/Thon’ për ty që je poshtnumun/O atdhe!/Jan kah thon’ se t’vdiq trimnia,/Qysh se t’ra ajo rrufe;/Thon’ se ty t’u prish djelmnia,/O atdhe!/Thon’ se je nji komb i lanun,/Ma i poshtri ti sot je;/E çka s’jan’ për ty tuj thanun,/O atdhe!/Cdo që bota do të flasin,/Mbushu plot shpres’ të re!/Ty asgja nuk do t’humbasin,/O atdhe!/Shkundi t’rrebtat arm’ mizore/E për luft’ thirrna ne!/Botës diftoj’ që s’je me kore,/O atdhe!/Kshtu ndër kombe tjera/njehu,/Tunde botën mbar’ në dhe!/N’luft’ me djelmt’ e tu ti ngrehu,/O atdhe!)
Ahmet Prençi poezinë e parë të librit “Udhë në pasqyrë” e titullon Atdheu (Atdheu u ngjitet shkallëve deri në qiell/ E poshtë zbret deri në zemër të tokës;/Atdheu është pranverë që fryn si fyell/Dhe një kokërr mollë në prehrin e Lokes./Atdheu ngjitet kapilarëve, aortës sime/ E zbret poshtë si drithërimë e zemrës;/Atdheu është bekimi i çdo fryme/Vështrimi im, ëndrra jonë e shpresës./Atdheu ngjitet në mal, zbret në fushë, lahet në det/Dhe flokët i kreh në zjarr si Prometeu;/Atdheu s’ka mort, s’ka parajsë e ferr,/Te të gjallët e të vdekurit, është ATDHEU!).
Duke e njohur Ahmetin si funksionar shtetëror, ashtu edhe si krijues, kam vëne re se ka pasur një konflikt dhe autocensurë të gjatë dhe psikologjikish të mistershme. Kryepolici kërkonte ta mbante të burgosur dhe të lidhur me pranga poetin. Ky i fundit i pakënaqur me dënimin e padrejtë të dhënë, që e bashkëshoqëronte ngado ku shkonte e mposhti Ahmetin shtetar dhe për të kapur “kohën e humbur” dhe shpërtheu me 3 botime.
Libri i parë “Udhë në pasqyrë”, duket si pasqyrë e udhës të ndjekur nga autori. Ai e ka gjetur frymëzimin nga e gjithë Shqipëria, jo vetëm me poezinë e parë Atdheu, por në të gjithë ciklinm ku ndiet aroma e viseve tona. Padyshim kryefrymëzimi është Dibra dhe Reçi, Korabi dhe Drini i Zi. Kjo nuk është rastësi, pasi kudo ku ka punuar e jetuar autori: në Krujë, Tiranë, Gjirokastër, Shkodër, Mat etj, jo vetëm ka qenë një nga më të mirët në luftën kundër krimit, por është bërë më tirons se tironsit, më gjirokstrit se gjirokrastitët, më shkodran se shkodranët e kështu me radhë. Në këtë cikël gjen dashurinë universale për Atdheun, i kujtdo qoftë ai, gjen Shqipërinë tonë të vogël gjeografikisht në Galaktikën tonë dhe shumë të madhe në ëndrra dhe pasione, gjen Migjenin dhe Lulin e vocërr, Argjironë e Kadaresë, varret e pafundme të Jasharëve në Kosovë, gjen arbëreshët dhe Kosovën, gjen malet dhe fushat, natyrën me bukuritë e saj, shokët dhe miqtë, gjen dhimbjen e dashurinë, ëndrrat dhe dështimet, pasionet dhe makthet: “Me vdekjen ecim çdo ditë e natë,/Trup e hije, gjithmonë bashkë,/ Sa harrojmë se jemi kaq pranë, Kaq pranë miq, armiq kaq larg…. Ecim. E urrejmë njëri tjetrin,/ Siç urrente Pilati një Krisht… ”

Në librin e dytë “Anja”, gjen shqiptarin e ditëve tona, që lufton të mbetet vetvetja në Dashuri pa martesë apo martesë pa dashuri dhe këtë e bënë nëpërmjet personazhit kryesor të romanit Antonit, i cili na përgjigjet se është më mirë të kesh një vetmi për hir të dashurisë, sesa të shkelësh mbi dashurinë për hir të martesës. Me këtë libër autori jep një mesazh të madh mbi kuptimin e jetës dhe të dashurisë: “Njeri duaje fatin që shpesh përdridhet në duart e tjetrit… Njeri duaje jetën…”. Me të drejtë ky libër është vlerësuar me çmimin At Gjergj Fishta.
Për librin e tretë “Brenga e Prokurorit”, që sapo u promovua mesazhi kryesor që është përpjekur të përcjell autori është: “…të nxjerr në pah figurën e një prokurorim, sepse para se të jetë i tillë është një njeri si gjithë të tjerët ka pengjet, mëdyshjet, brengat e dilemat e veta dhe jetën e tij të vështirë”.
Me këtë libër Ahmeti duke ndërtuar me shumë dashuri personazhin kryesor është besimplotë se “…në mesin e prokurorisë shqiptare ka njerëz të tillë … që do të ketë edhe më shumë dhe misioni i tyre do të jetë respektimi i ligjit”.
Në ceremoninë promovuese folën shumë personalitete, të cilët dhanë vlerësimet e tyre për librin, ku po përmënd disa:
Shkrimtari Rudolf Marku: “Mendoj se një meritë e padiskutueshme është se Ahmet Prençi ka ditur të lozë në këtë roman me suspension-in, truket e të cilit ai i ka përdorur me mjeshtëri në këtë roman. Ndaj dhe lexuesi duhet të presë që të japë gjykimin derisa ta mbarojë romanin deri në fund, që të bindet se libri që sapo ka lexuar është ndër ato libra që nuk të zhgënjen”.
Diplomati Arben Çejku: “Romani “Brenga e prokurorit” vjen në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, kur kemi nevojë më shumë se kurrë për prokurorë si Martin Guri, i gdhendur me mjeshtëri artistike. Personazhe të tillë janë sot në provën e shekullit si heronj të heshtur. Jam i sigurt që ky roman do të ketë ndikimin e tij të madh tek shoqëria jonë e sidomos tek njerëzit e drejtësisë”.
Presidente e PEN – Qendra Shqipëri Entela Kasi: “Romani …., është një dëshmi e epokës sonë në mjedisin tonë social politik, i sjellë me mjeshtërinë e stilit, gjuhës, kompozicionit, e çka është e veçanta, shkrimtari ka krijuar personazhin.”
Doktoresha e Shkencave Filologjike, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë Erenestina Halili: “Romani, me një gjuhë përshkruese, ndjek udhëtimin kompleks të Martin Gurit, një prokuror me një reputacion të shkëlqyer, që heton një çështje penale, e cila rezulton të jetë thellësisht personale… “Brenga e prokurorit” eksploron temën qendrore të drejtësisë në një kontekst bashkëkohor e modern…Identiteti është një tjetër temë e rëndësishme në roman… Romani përdor tropikën moderne të identitetit të fragmentuar për të pasqyruar ndjenjën e thyer të vetes së prokurorit, përmes rrjedhave subjektore.”
Miku im studiuesi dhe profesori Behar Gjoka, i cili është edhe redaktor i librit, pasi shprehu konsideratat për romanin, apeloj: “E djeshmja mban peng të sotmen, e sotmja mban peng të nesërmen….”.
Në përfundim të këtij shkrimi dua të evidentoj një fakt shumë pozitiv, se konflikti brenda shpirtit të Ahmet Prencit ka përfunduar në paqe. Sot Ahmeti si funksionar i lartë shtetëror dhe Ahmeti si poet dhe romancier kanë vendosur paqe dhe plotësojnë njëri tjetrin, kryepolici drekon dhe pi një gotë raki me poetin dhe janë të lumtur për çfarë kanë bërë dhe bëjnë plane për të ardhmen.
Shumë urime Ahmet, ky libër u bëftë shpejt i vjetër dhe të na sjellësh sa më shpejt një krijim të ri.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular