BallinaTe tjera45 vite në internim, mbesa e ish-ministrit rrëfen njohjen me djalin e...

45 vite në internim, mbesa e ish-ministrit rrëfen njohjen me djalin e ish-kryeministrit: Nga martesa në kamp, lindja e vajzës dhe kërcënimi i Mehmet Shehut

spot_img
spot_img

E kanë quajtur simbol të mbijetesës, pasi ka shëtitur thuajse në të gjitha kampet e internimit të Shqipërisë. Klara Merlika, nusja e djalit të ish-kryeministrit Mustafa Merlika, hyri me grykësen e uniformës shkollore në internim, për të dalë prej andej, si nënë dhe gjyshe e nipërve dhe mbesave…! Vitet e fëmijërisë mbetën për të kujtimet më të dëlira dhe më të bukura…!

Jo vetëm për faktin se ishte bijë e një familjeje të pasur pukjane, i ati Pashuk Bibë Mirakaj, tregtar i njohur i zonës që zhvillonte tregti me Kosovën, por edhe sepse deri në moshën 10-vjeçare jeta i kishte ofruar gjithçka kishte ëndërruar.

Për Klara Mirakajn, reja e zezë do të vinte pikërisht pas pozitës së xhaxhait të saj, Kol Bibë Mirakaj, i cili u emërua ministër i Brendshëm gjatë regjimit fashist, e me ardhjen e komunizmit, e gjitha familja e fisi Mirakaj, do të kalonte “në vrimën e gjilpërës”!

******

Të pushkatuar, të zhdukur që ende nuk u gjendet as varri, si dhe shumë të internuar ndër vite. Arratisja e të atit dhe dy xhaxhallarëve jashtë shtetit, vetëm për të mos rënë në dorë të komunistëve, do t’i kushtonte Klarës, plot 45 vite internim. Hyri me përparësen e shkollës dhe doli nga dyert e kampeve si nënë dhe gjyshe e nipërve dhe mbesave…! Ndaj, nuk është e rastësishme që e quajnë “simbol i mbijetesës” së vuajtjeve në kampet e internimit. Me të atin u nda në moshën 10-vjeçare, për të mos e parë më kurrë, ndërsa e ëma i vdiq ndër duar, ndërsa jetonin në Savër të Lushnjës, ku edhe e varrosën.

Po, në internim, Klara përjetoi edhe momentin më solemn në jetën e njeriut, atë që praktikisht duhet të ishte çasti më i paharruar: fustani i bardhë dhe nusërimi, deri edhe lindja e nipërve dhe mbesave. Martesa me Fatosin, të birin e ish-kryeministrit Mustafa Merlika, do t’ia rëndonte dënimin, sidomos edhe pas kërcënimit që vetë Mehmet Shehu, i kish bërë në burg të shoqit. Janë 45 vite internim, dhe sot 90-vjeçarja Klara Merlika (Mirakaj) ka shumë për të rrëfyer…

Klara, pse është goditur kaq shumë familja Mirakaj gjatë sistemit komunist? Cila është historia juaj familjare?

Pasojat më të mëdha për familjen tonë erdhën pas arratisjes së dy xhaxhallarëve dhe babait tim. Duke qenë familje kulakësh, që merrej me tregti, e cila zhvillohej kryesisht në Prizren të Kosovës, im atë dhe fisi Mirakaj gjithashtu, nuk e qasnin dot sistemin komunist. Xhaxhai im, Kol Bibë Mirakaj, gjatë regjimit fashist që u vendos në Shqipëri, mori një post të rëndësishëm shtetëror, pasi u emërua ministër i Brendshëm.

Por, me ardhjen e komunizmit, pasojat diheshin, dhe kjo i detyroi që dy xhaxhallarët, bashkë me tim atë, Pashukun, në vitin 1944, të arratiseshin nga Shqipëria. E gjithë familja dhe fisi ynë ishim kundër këtij regjimi totalitar, sepse dihej që pas komunizmit, do të pllakoste varfëria në vend, linja e spiunazhit, prandaj ne gjykonim që ishte një dogmë politike “demode”.

Natyrisht, këto nocione politike i mësuat më vonë, sepse kur ju arrestuan bashkë me nënën ishit vetëm 10 vjeçe, apo jo?

Babai u arratis për të mos rënë në dorë të komunistëve, gjithashtu edhe xhaxhallarët, por për ne familjarët e tyre, do të vinte gjëma e madhe. Shumë kushërinj na i pushkatuan, aq sa sot nuk u gjendet as varri, të tjerë u burgosën deri sa vdiqën nëpër birucat e ftohta…! Familja ime, nëna bashkë me motrën dhe vëllanë, vuajtëm në internim për një kohë të gjatë. Unë isha 10 vjeçe kur u ndava me tim atë, për të mos e parë më gjithë jetën time.

E kam të fiksuar në mendje ditën kur sapo u ndava nga shoqet e klasës, e veshur me përparësen e shkollës fillore, isha në klasë të tretë, dhe teksa afrohem pranë shtëpisë, pashë disa burra trupmëdhenj, që kishin mbushur oborrin dhe një makinë priste jashtë. Por, gjesti më i ulët ishte pikërisht momenti kur ata, pasi plaçkitën rrobat, nisën t’i ndanin para syve tanë sipas preferencave. Ishte një burrë me emrin Gjon, të cilit i drejtoheshin të gjithë njerëzit e Sigurimit të pranishëm aty.

Siç ishim me rrobat e trupit, na hipën në kamion. Ndërsa nusja e xhaxhait, kërkoi një mbulesë për t’ia hedhur fëmijës 10-ditësh në krah, që të mos ia rrihte dielli fytyrën, njerëzit e Sigurimit nuk e lanë…! Ajo më pas hoqi përparësen që kishte të lidhur në brez, teksa bënte punët e shtëpisë dhe ia hodhi fëmijës sipër…!

Pasi iu hoqën nga shtëpia, ku ju çuan?

Fillimisht na çuan në një shtëpi të kthyer në burg në Shkodër, e cila ndodhej përballë shtëpisë së Gjon Marka Gjonit. Aty ishin edhe disa familje të tjera, ajo e Gjon Destanishës (ish-oficer i njohur i Zogut), Luçie Mala e familjes së Marka Gjonit, si edhe disa familje të tjera të njohura, të Veriut të Shqipërisë, si Ndreajt, Kaloshët, Kolajt e Matit, etj.

Pasi qëndruam për gati gjashtë muaj në këtë vend, na nisën për në kampin e internimit të Beratit. Fillimisht ishte një shtëpi afër kalasë, por ne nuk kishim asnjë mundësi për të jetuar mirë…! Përveç rrobave të trupit, kishim vetëm një tas, i cili në darkë mbushej me gjellën që gatuhej në kazermat e Ushtrisë, dhe aty në lëngun e gjellës, ne ngjyenim nga pak copat e bukës, sepse as lugë nuk kishim.

Ju ishit ende një vajzë e vogël, jo më shumë se 11 vjeçe. Si i kalonit ditët në kamp?

Duke qenë pjesë e familjeve të mëdha, në fillim dhe në fund të kampit ishin banjot, dhe ne të Mirakajve (gruaja e xhaxhait, ishte grua ministri) bashkë me Bardha Markagjonin, na vendosën në fund, në një hapësirë jashtë çdo kushti normal…! As mbijetesë nuk e quaje dot. U desh shumë mund nga nëna ime e, nuset e xhaxhallarëve, për ta pastruar vendin rrotull, deri sa mori një pamje të pranueshme.

Në Berat ne qëndruam nga viti 1944, deri 1949-ën, gati pesë vjet. Shumë herë aty në kamp, ra sëmundja e malaries, tifoja, dhe fëmijët e vegjël vdisnin njëri pas tjetrit. Brenda një nate kanë vdekur mbi 20 fëmijë, dhe unë nuk kam për ta harruar kurrë një grua shtatlartë shkodrane, Cuklina e quanin, së cilës i vdiqën të dy foshnjat binjake nga tifoja. Buzët e thara të atyre fëmijëve, i kam përpara syve (qan).

Unë gjithë kohës rrija pranë nënës e familjarëve të mi, ndërsa mamaja bëri të pamundurën, që të më regjistronte në klasë të katërt, në një shkollë pranë kampit, sa për të kaluar disa orë të ditës. Mbaj mend që disa herë rresht, e kam shoqëruar time më në Burgun e Kuçovës, sepse aty pranë po ndërtohej nga të burgosurit, kanali Kozarë-Kosovë, ndërkohë që ata merrnin edhe njerëz nga kampe të tjera internimi.

Më pas shkuat në kampin famëkeq të Tepelenës, cilat ishin familjet e tjera të njohura bashkëvuajtëse atje?

Pas Beratit, në vitin 1949, na hipën në kamion për të na zhvendosur në kampin e Tepelenës. Fillimisht, pjesa dërrmuese e të dënuarve aty, ishin nga Veriu i Shqipërisë. Mbaj mend që përveç Bardha Markagjonit, ishte edhe e bija e Abaz Kupit, Hyrija, si edhe disa të afërm të persekutuar, të Jozefina Topallit. Kampi i Tepelenës, ishte torturë më vete.

Kam qenë prezente gjatë periudhës së dimrit, ku ndodhte të vdiste dikush, dhe për shkak të ftohtësisë, kufoma mund të qëndronte edhe më shumë se tri ditë në shtëpi, dhe ata nuk tregonin, vetëm e vetëm që të merrnin racionin e bukës së të vdekurit. Ne hanim gjellë kazani, ndërsa racionin e bukës e merrnim te furra. Buka kishte shpesh edhe miza të vogla të kuqe, nga ato që zakonisht zë mielli.

Kur nuk kishte fasule, na jepnin bollgur me krimba, të cilët dilnin sipër kazanit ku ziente gjella, për të gjithë kampin. Jemi ushqyer në kushte skandaloze, aq sa sot habitem, se si jam ende gjallë…! Në Tepelenë qëndruam deri në vitin 1954. Pasditeve shkoja bashkë me bashkë me moshataret e mia për të mbledhur dru për kazanët ku ziente gjella.

Ngarkoheshim me dru, aq shumë sa nuk e ndienim më shpinën, ndërsa me urdhër të drejtuesve të kampit, ndodhte të shoqëroja edhe mamanë në punët ku e caktonin ato, në bujqësi, duke punuar tokën, apo edhe herë të tjera kur na çonin te Katër rrugët e Shijakut në Fabrikën e Tullave, për të punuar me normë. Na dërgonin edhe në Peqin, gjatë kohës që ndërtohej traseja e hekurudhës, me kontributet e të burgosurve dhe të persekutuarve politik.

Ngjarjet më të rëndësishme të jetës së një njeriu ju i keni kaluar në kampe internimi. Si u njohët me Fatosin, të birin e ish-kryeministrit, gjatë pushtimit fashist, Mustafa Merlika?

Pas kampit të Tepelenës, erdhi shkresa me shkrim nga një operativ i Sigurimit, që familja Mirakaj, do të zhvendosej në Savër të Lushnjës. Aty situatat nisën të ndryshonin pak, për faktin se punonim në bujqësi, por edhe merrnim një pagesë të vogël. Punonim tokat bujqësore, merreshim me bagëtitë, mblidhnim pambuk, të cilin e transportonim me thasët në shpinë, nga një vend në tjetrin.

Në Lushnjë, unë u njoha edhe me Fatosin, atëherë ai ishte një djalë i ri, student, i burgosur pikërisht për shkak të të atit, Mustafajt, figurë e sulmuar goxha, sidomos gjatë regjimit komunist. Aq sa pas martesës, Fatosi më rrëfente kujtimet e tij dhe kërcënimin që i kish bërë në burg Mehmet Shehu, gjatë një vizite rutinë. Mehmeti i kishte thënë se; kur të vdisnin një nga një të gjithë shqiptarët dhe kur të shkonte gjaku deri në gju, atëherë do të kthehej Mustafa Merlika në Shqipëri.

U martuat në internim, por lidhja e kurorës me Fatosin a jua rëndoi disi situatat?

Nuk ishte dasmë ajo imja! Unë u vesha me fustan të bardhë dhe bëra një xhiro rrotull kampit, nëpër dyert e familjeve bashkëvuajtëse aty. Të nesërmen direkt u kthyem në punë, dhe vetëm një ditë pas martesës Fatosin e detyruan që të shkonte për të punuar në kënetën e Gradishtit. Gjatë ditës troket një oficer i Sigurimit dhe i kënaqur nga vendimi për të degdisur tim shoq, më pyet nëse do e lija apo do e ndiqja kudo ku shteti do ta transferonte.

Unë isha martuar me Fatosin, dhe kisha vendosur që ta ndiqja në çdo vend ku atë do ta caktonin. Në kampet e internimit kam kaluar momentet më të bukura dhe më të trishta të jetës. Martesa është vetëm një kapitull… Në kamp më vdiq ime më, e varrosëm aty. Në kamp më lindi vajza dhe vendosëm me Fatosin që të kishim vetëm një fëmijë, për të mos i hyrë në hak jetës, vuajtjeve… Nuk mund të torturoje veten dhe fëmijën në ato kushte në të cilat jetonim.

Pse ju kanë quajtur simbol i mbijetesës së kampeve të internimit?

Sepse rezistova 45 vite në ato kushte të jashtëzakonshme! Jo vetëm nevojat jetike, që nuk mund të plotësoheshin, me bukë me miza e bollgur të krimbur, me krevate ushtarësh të vendosur në vende që kishin shërbyer si nevojtore, për vite të tëra…! Puna e lodhshme e krahut, aq sa ndonjëherë duart na kullonin gjak dhe nuk mund të bënim asgjë, sepse edhe infermierët e mjekët nuk na i sillnin, për faktin se ishim familje e internuar, na e mundonin jetën shumë.

Kam shëtitur në të gjitha kampet e internimit të Shqipërisë, e po në këto vende, kam përjetuar momentet më të bukura dhe të vështira të jetës, nga lindja e sime bije, te vdekja e varrosja në kamp e nënës sime…! Ndërsa me babanë u ndava që në moshën 10-vjeçare, për të mos e parë më kurrë./Panorama.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular