Nga Florenca Meço
Kryetare e PD Berat
Që prej disa kohësh Këshilli Bashkiak i qytetit tonë ka filluar dëgjesat publike lidhur me buxhetin e ri për vitin e ardhshëm. Hartimi i buxhetit të këtij viti dhe dëgjesat që ndjekin më pas, në tërësi të krijojnë pamjen e një mësimi të mësuar përmendësh, me veprime mekanike që përsëriten të njëjta vit pas viti. Kjo sepse as buxheti nuk ka një objektiv social për të arritur në një afat të shkurtër, po ashtu edhe për afat më të gjatë, edhe dëgjesat nuk janë realisht publike. Këto të fundit përbëhen vetëm nga nivelet e ulëta e të mesme të pushtetit vendor. Subjekti për të cilin hartohet një buxhet, pra publiku i gjerë, mungon. Oponenca e vërtetë e një buxheti mund dhe duhet bërë mbi bazë grupesh të gjera sipas zërave të parashikimit buxhetor. Më konkretisht duhen organizma me profil profesional që duhet të thirren sipas këtyre zërave. Kjo do të thotë se për çështjet mësimore dëgjesa të kryhet me një numër të madh mësuesish, për çështje urbanistike me inxhinierë e kështu me radhë sipas profesioneve apo grup profesioneve. Në këtë mënyrë buxheti do të ballafaqohet me ekspertë të të gjitha fushave. Kurse nisur konkretisht nga kërkesat e bëra gjatë dëgjesave të deritanishme për rrugë, ujsjellsa, ndriçim rrugësh, kanalizime apo edhe për rregullime varrezash kuptohet se në hartimin e buxhetit mungon një vizion me natyrë politike. Qëllim i tij i afërt dhe i largët duhet të mbetet zvogëlimi në mënyrë të rregullt, buxhet pas buxheti i dallimeve të nivelit të jetësës që kanë zonat njëra nga tjetra. Disa prej tyre kanë standard më të ulët e disa më të lartë dhe të tëra shumë më të ulët se vetë qyteti. Një vizion i tillë me fokus ndërtimin e një politike urbane për të shkuar drejt investimeve publike që barazojnë nivelin e jetësës të zonave deri tani të pafavorizuara, krijojnë një zhvillim më të ekuilibruar të popullsisë dhe vendosin më qartë drejtësi sociale. E kundërta ngjall zhgënjime dhe krijon ndjesinë e braktisjes
Buxheti i Bashkisë Berat dhe politika urbane
RELATED ARTICLES