“Një shans trefish të humbur për qeverinë, opozitën dhe shqiptarët” e ka konsideruar analisti Lorenc Vangjeli debatin për buxhetin 2024. Në studion e Debatit në A2 CNN, analisti tha se palët duhet të bënin ‘armëpushim’ për të filluar betejën sesi do të shpenzohen paratë e shqiptarëve.
Në këto kushte, sikurse ka deklaruar edhe opozita, Vangjeli paralajmëron skena më të rënda të hënën dhe të martën kur do të diskutohet buxheti në Kuvend. Sipas tij salla e Kuvendit mund të jetë ngrehina e fundit e grevës së urisë e deputetëve të opozitës.
“Egoizmi politik këtu është mbizotërues dhe druaj se do t’ju jap lajm të keq se javë tjetër e hëna dhe e marta që do jenë ditët e debatit, salla e parlamentit mund të shndërrohet në skena edhe më të rënda se këto që pamë dhe mund të jetë ngrehina e fundit e grevës së urisë. Nuk kanë arritur të bëjnë atë që duhet dhe nuk kanë arritur të bëjnë detyrën e tyre. Qeverisja me heshtje dhe opozita me veprime nuk e kanë me njëri-tjetrin por e kanë gjetkë”, shtoi Vangjeli.