Seanca për buxhetin, mes kaosit dhe tensioneve! Skenarët, ja çfarë pritet të ndodhë nëse opozita bllokon Kuvendin. Për herë parë mund të…

0
184

Opozita është e vendosur që të bllokojë sërish sot punimet e Kuvendit. Teksa pritet të nisë seanca maratonë për të diskutuar dhe miratuar buxhetin e vitit 2024, opozita nuk ka bërë asnjë hap pas sa i përket aksionit për bllokimin e parlamentit. Nga ana tjetër, as socialistët nuk parashikojnë të ndryshojnë skenar.

Zbatimi i tyre do të varet nga qëndrimi i opozitës. Socialistët kanë konfirmuar se buxheti mund të kalojë edhe pa debat parlamentar. Në rast se opozita vendos të ngujohet në sallën e Parlamentit, ekziston mundësia që seanca të zhvendoset në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. PD nga ana e saj këmbëngul për ngritjen e komisioneve hetimore. Ndaj demokratët do të vazhdojnë bllokadën edhe në seancën e sotme plenare.

Vendimi u mor nga grupi parlamentar demokrat që u mblodh ditën e premte, por lideri i PD-së, Sali Berisha, nuk zbuloi detaje mbi metodat që do të ndërmarrin për të mos lënë shumicën që të vazhdojë rrjedhën normale të parlamentit. Ndërkohë vazhdojnë të këmbëngulin se kërkesat e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore, ndryshe nga çfarë thotë shumica, janë të drejta.

Oerd Bylykbashi në daljen e tij lexoi 8 vendime të kësaj gjykatë që legjitimojnë të drejtën e pakicës për të nisur hetim parlamentare për çështjet që mendojnë se ka shkelje nga ana e institucioneve dhe funksionareve shtetëror.

“Kushtetuta e përcakton fare qartë, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij është i detyruar të caktojë komision hetimor”, – deklaroi Oerd Bylykbashi.

Deputeti demokrat përsëriti se do të vazhdojnë strategjinë e bllokimit të Parlamentit derisa të përmbushen kërkesat e tyre për komisionet hetimore por dhe për t’u përfaqësuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ditën e shtunë Gazment Bardhi publikoi një foto, ku sipas tij është dhënë urdhër që Garda të bllokojë sallën e seancave parlamentare, duke mos lejuar demokratët që të zbatojnë skenarin e përmbysjes së karrigeve. Nëse kjo që deklaroi Bardhi do të ndodhë, atëherë nuk dihet se çfarë skenari do të vërë në zbatim opozita.

“Sot jemi njohur me urdhrin e paligjshëm të Lindita Nikollës për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës, duke shpallur kështu zyrtarisht shtetin personal autokrat të Edi Ramës. Siç shihet edhe në foton bashkëlidhur Garda e Republikës është urdhëruar të bëjë “provat” gjatë ditës së sotme sesi do të rrethojnë deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të së hënës!”, – deklaroi kreu I deputetëve demokratë.

Sipas Bardhit, ky parlament është një turp duke u shprehur se nuk ka gardist dhe polic që pengon apo intimidon opozitën.

“Duke dënuar me forcë këtë degradim të regjimit të Edi Ramës, duam të sigurojmë se nuk ka gardist e polic që mund të pengojë dhe intimidojë opozitën në misionin për të kthyer parlamentarizmin dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të opozitës. Një Parlament, ku deputetët rrethohen nga forcat e sigurisë gjatë vendimmarrjes së tyre, nuk mund të jetë kurrë Parlamenti i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE. Është akt i paprecedent në 32 vite demokraci, shndërrimi i sallës së Kuvendit nga salla e përfaqësuesve të qytetarëve, në sallën e gardistëve qeveritar. Ky Parlament është turpi i Shqipërisë, njëlloj si qeverisja e korruptuar e Edi Ramës”, – thuhet ne reagimin e Bardhit.

Ndërkohë pretendimet e Gazment Bardhi i hodhi poshtë Kuvendi, i cili në një reagim tha se kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nuk ka urdhëruar asnjë plan të veçante. Bardhi reagoi sërish duke thënë se lajmi i shpërndarë nga Kuvendi është i rremë duke i qëndruar sërish versionit të tij.

“Kuvendi ka shpërndarë një lajm të rremë për mungesën e masave të posaçme autoritare për seancën e të hënës. Foto e publikuar është bërë sot, ku forcat speciale të Gardës po ushtronin planin për rrethimin e deputetëve të opozitës, në një akt të paprecedent në këto 32 vjet. Ka një keqkuptim me reagimin tim dhe për këtë “burimi anonim” i medias ka të drejtë: Lindita nuk jep urdhëra, ajo vetëm zbaton atë që urdhëron Edi Rama! E vetmja detyrë e saj është të hap dhe mbyll derën e zyrës!”, – shkruan Bardhi.

Kujtojmë që gjatë javëve që kemi lënë pas opozita nuk ka lejuar as zhvillimin e komisioneve parlamentare, çka ka detyruar mazhorancën që të vërë në zbatim planin B, atë të mbledhjeve ‘online’. Por në rastin e seancës maratonë për buxhetin nuk dihet se si do të veprojë qeveria në rast bllokimi.