Lajmin e konfirmoi nënkryetarja socialiste e Kuvendit, Ermonela Felaj gjatë një interviste në “Milori Live” në Klan News.

Felaj foli edhe lidhur me aksionin e SPAK në politikë dhe botën e krimit ku tha se secili duhet të mos bëjë gabime gjatë punës së tij që e çojnë para prokurorisë dhe gjykatës.

Ju keni një kongres në fillim të Dhjetorit. Si është situata në Partinë Socialiste? Ilir Beqaj është në SPAK, ka detyrim paraqitje çdo të premte. SPAK po operon mes goditjeve të forta në krim, por edhe në politikë ku nuk po lihet mbrapa edhe Partia Socialiste. Ka pasur emra të përfshirë në afera të caktuara. Si po e pret kongresin Partia Socialiste dhe mendon se do të ketë lëvizje të forta në këtë kongres?

Ermonela Felaj: Kongresi do të mbahet me 8 Dhjetor në sallën e Pallatit të Kongreseve. Nuk di pse duhet të ndryshojë diçka në Partinë Socialiste për shkak që anëtarë të Partisë Socialiste, apo simpatizantë, apo kushdo qoftë ka të bëjë në një moment të caktuar me prokurorinë dhe gjykatën. Unë dua të përsëris që ne kemi qenë të qartë për të gjitha komplikimet që mund të sillte reforma e drejtësisë sepse duke qenë se jemi ne në pushtet që në vitin 2013 është e qartë që kompetenca e prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme që u krijua për shkak të reformës në drejtësi është një kompetencë që shtrihet tek funksionarë dhe zyrtarë të partisë në pushtet. Nga momenti që ne pranuam që për interesat e vendit ishte e rëndësishme reforma në drejtësi ishim të vetëdijshëm për çfarë na priste dhe besoj që ajo i paraprinë çdokujt është frika nga ligji në punën e vet. Nëse ke frikë nga ligji në punë është e qartë që ke pak gjasa të biesh në gabime të tilla që të çojnë para prokurorisë dhe gjykatës. Besoj që kjo është ajo lloj sjellje që ne duhet të implimentojmë në atë që quhet strukturë qeverisëse e shtetit qoftë kjo qendrore apo lokale.

Ka njerëz që kanë frikë se nuk janë frikësuar kur duhet ndaj ligjit në Partinë Socialiste dhe tani kanë frikë se mos kapen?

Provat e dhëna dhe gjërat e ndodhura nuk mendoj që tregojnë këtë. Tregojnë pikërisht që tani duhet të kenë frikë sepse në të kaluarën dihej se si zgjidheshin prokurorët dhe gjyqtarët, dihej sesi politika intervenonte në punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sot nuk është më e njëjta pikturë dhe besoj që kushdo do duhet që veprimtarinë e vetë ta orientojë sipas ligjeve dhe rregullave. Unë nuk shoh që ka një ndryshim të situatës dhe nuk ka arsye të ketë mes asaj që planifikon Partia Socialiste qoftë në kongresin e saj apo edhe në evente të tjera politike me çfarë i ndodh individit. Ne planifikojmë që partinë ta sjellim në një stad tjetër pune, në një stad tjetër organizimi sepse koha e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshmë sa vjen dhe po ngushtohet dhe ne duhet të na gjejë të përgatitur.

Ndër të tjera Felaj tha se sa i përket çështjes se buxhetit vetëm miratimi është bërë pa qenë i mundur diskutimi i deputetëve, por theksoi se në komisionet parlamentare janë bërë të gjitha diskutimet.

Felaj njoftoi se duke filluar nga dita e nesërme dhe deri para datës 7 Dhjetor përgjatë dy javëve do diskutohet buxheti nen për nen në komisionet parlamentare dhe pastaj në datë 7 Dhjetor do të bëhet diskutimi nen për nen në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë./tvklan.al