NGA ALBAN AVDULLA
Pak ditë më parë, Kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa, lideri i mazhorancës socialiste dha dorëheqjen nga posti i tij. Z. Costa kishte ardhur në pushtet në vitin 2015 dhe në vitin 2022 fitoi shumicën parlamentare si parti e vetme, duke siguruar një mandat tjetër qeverisës. Mediat ndërkombëtare raportojnë përfshirjen e qeverisë së tij në disa skandale korruptive. Prokuroria bëri me dije se kishte iniciuar një hetim kundër kreut të socialistëve dhe drejtuesve të tjerë të qeverisë. Ky hetim lidhej me koncesionet e dhëna për nxjerrjen e resurseve natyrore (litium).
Pasi u pajisën me autorizimet përkatëse, forcat policore realizuan kërkime në banesën e z. Costa si dhe në disa godina qeveritare. Ish-kryeministri deklaroi se kishte besim te sistemi i drejtësisë dhe se ka bindjen që nuk ka kryer asnjë veprim të kundraligjshëm, por nuk mund të qëndroi në pozicionin e kryeministrit, pasi dyshimet dhe akuzat e ngritura kundër tij nuk përputhen me këtë detyrë. Rasti portugez është sjell në vëmendje për shkak të ngjashmërive që ka me situatën politike Shqiptare.
Të dyja shtetet janë në drejtimin e një mazhorancë socialiste. Të dyja qeveritë kanë ardhur në pushtet gati në të njëjtën kohë, konkretisht në vitin 2013 dhe 2015. Të dyja mazhorancat socialiste kanë qeverisur si parti e vetme. Të dyja qeveritë duken të jenë përfshirë në afera të ndryshme korruptive. Por pavarësisht kësaj, reagimi i qeverisë shqiptare është plotësisht i kundërt nga ai i shembullit portugez.
Drejtuesit e lartë të qeverisë shqiptare, përfshirë këtu zv.kryministrin, ministra, kryetar bashkish, funksionarë të tjerë publikë rezultojnë dhe dyshohen të jenë përfshirë në afera korruptive. Pavarësisht kësaj dhe thirrjeve të opozitës për dorëheqje, kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se hetimet apo edhe dënimet penale të marra deri tani nuk janë gjë tjetër veçse “meritë” e punës së kësaj qeverie.
Pra, ndëshkimi i drejtuesve të qeverisë për pjesëmarrje në skema korruptive është duke u trajtuar si arritje e qeverisë, por jo përgjegjësi e saj. Këtu jemi përpara një paradoksi. Si mund të jetë arritje, përfshirja e funksionarëve publikë në veprime të dënueshme? Pse në njërin rast mjafton akuza e korrupsionit për të dhënë dorëheqjen, ndërkohë që në rastin e qeverisë shqiptare as dënimet dhe akuzat kundër përfaqësuesve më të lartë të saj nuk mjaftojnë për të pranuar përgjegjësinë politike?
A mundet drejtësia të sjellë ndryshimin politik? Partia Demokratike ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme se qeveria shqiptare ka dhënë rreth 1 miliard euro koncesione dhe tendera nga buxheti i shtetit. Ndërkohë rreth 500 milionë euro nga këto janë nën hetimin e SPAK. Mjafton të përmendim vetëm dy nga këto raste për të kuptuar vërtetësinë e këtyre shifrave.
Së pari, mund të përmendim aferën korruptive të inceneratorëve me vlerë mbi 400 milionë euro. Për këtë çështje SPAK rezulton të ketë kërkuar mbi 84 vite burg. Një pjesë e personave nën akuzë janë dënuar, ndërkohë që një pjesë janë ende nën hetim. Në këtë çështje ka rezultuar dhe dyshohen të jenë përfshirë ish-zv.kryeministra, ish- ministra, ish-deputetë dhe funksionarë të lartë të qeverisë. Nga këta, zv.kryeministri është larguar nga territori i Shqipërisë, në përpjekje për t’iu shmangur drejtësisë.
Së dyti, mund të sjellim në vëmendje aferën e tenderit të sterilizimit, e cila arrin vlerën e 100 milionë eurove. Për këtë çështje SPAK ka iniciuar procedim penal kundër ish- zv.ministrit i Shëndetësisë. Së fundi, organet e drejtësisë rezultojnë të kenë bllokuar pasaportën e ish-ministrit të Shëndetësisë duke kufizuar daljen e tij nga territori shqiptar, pasi dyshohet të ketë konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës. Këto janë vetëm dy nga dosjet që SPAK po heton.
Legjislacioni shqiptar i jep kompetencat SPAK që të hetojë pikërisht zyrtarë të lartë të përfshirë në afera korruptive si dhe të luftojë krimin e organizuar. Së fundi, është bërë me dije nga hapësirat mediatike se gjatë periudhës janar-shtator 2023, SPAK ka regjistruar një numër të lartë procedimesh penale, konkretisht 151 procedime, për të cilat janë marrë nën hetim 133 persona. Si rrjedhojë e këtyre procedimeve penale, janë nën hetim ish-ministra, ish-zv.ministra, 6 kryetarë bashkish dhe 4 ish-funksionarë të drejtësisë, ndërkohë që është rritur edhe numri i hetimeve kundër zyrtarëve lartë të policisë.
Pavarësisht kësaj, a mundet SPAK së bashku me drejtësinë e re që të sjellë ndryshimin politik në vend? Shpeshherë diskutohet nëse është detyra e SPAK të nxisë ndryshimin politik ose spastrimin e politikës. Duket sikur puna e SPAK i ka shkundur themelet e politikës shqiptare. Por në fakt spastrimi i politikës është vetëm një benefit i tërthortë “side benefit” i asaj që sistemi i drejtësisë duhet të kishte bërë prej kohësh. Detyra që ligji i ka dhënë SPAK-ut është procedimi penal i zyrtarëve të lartë, të cilët rezultojnë të përfshirë në afera korruptive, që mund të kenë shpërdoruar detyrën dhe funksionin e tyre publik, si dhe të godasë krimin e organizuar.
Gjatë hetimit të zyrtarëve të lartë, SPAK-u nuk është duke synuar drejtpërdrejtë spastrimin politik, madje në fakt është duke kryer posaçërisht detyrën që ligji i ka njohur. Politikanët apo funksionarët e lartë publikë nuk e duhet të shqetësohen nga puna e SPAK, madje duhet të shqetësohen vetëm për realizimin e detyrës së tyre në përputhje me ligjin. Duket sikur SPAK po shqetëson ata që ndoshta nuk do mund të kenë më një vend në politikën shqiptare, ose ata të cilët nuk mund t’i përdorin më pozicionet e tyre për benefite personale.
Edhe pse midis shembullit portugez, të trajtuar më sipër dhe rastit shqiptar ka ngjashmëri, duket sikur në rastin tonë katalizatori i ndryshimit dhe i ndërgjegjësimit do të jetë pikërisht drejtësia, e cila edhe pse si benefit i tërthortë, përsëri shumë i mirëpritur. Drejtësia është pushteti i tretë, në krahë të ekzekutivit dhe legjislativit. Aty ku dy pushtetet e tjera rezultojnë të kontaminuar, drejtësia është vetmja që mund të vendosë balancën në realitetin e një vendi dhe të mbrojë interesat e individit të thjeshtë.
*Autori jurist