Diskutimet mbi botën e modës po zënë një hapësirë të konsiderueshme në vendin tonë, sepse siç e theksojnë edhe ekspertët e fushës, shqiptarët kanë filluar që të vishen mirë dhe të kurojnë imazhin e tyre.
Por, a guxojnë me veshjet e tyre, si në rastin e xhinseve moshat më të mëdha?
Pikërisht për të diskutuar mbi xhinsin dhe përdorimin e tij si një një material që nuk del kurrë nga moda, ishin të ftuara në “Shtëpinë tonë” në Top Channel, kryeredaktorja e revistës “Living”, njëkohësisht dhe redaktore mode, Santana Çomora dhe gazetarja Xhuljana Lakuta.
E pyetur nëse në vendin tonë guxohet që xhinsi të vishet në moshat e mesme, mbi 50 vjeç, Santana u shpreh se: “Po të shohësh amerikanet mosha më e madhe e tyre 50 apo 60 vjeç, veshin xhins. Ndërsa te gratë shqiptare nuk e shikon këtë gjë në masë, nuk është një veshje që përqafohet shumë kollaj nga to. Ndonjëherë mendojnë se xhinsi është i vështirë për t’ u veshur, sepse duhet të kesh përmasa të mira trupore, por ka një pafundësi zgjedhjesh. Së fundmi, kemi parë që janë rikthyer xhinset e stilit të viteve ’60- ’70, xhinset e ngushta gjithashtu, xhinset me bel të lartë që u shkojnë deri diku të gjitha masave trupore. Por, ka një trik mendoj, se duhet të dish mirë se çfarë lloj xhinsi përshtatet me fizikun tuaj”.
E pyetur se sa mund t’ i rezistojë kohës, Çomora u shpreh se jo vetëm që nuk del nga moda, por mund ta shohim vazhdimisht në forma të ndryshme.
“Është veshje që nuk del jashtë mode duke u rikthyer në forma të ndryshme. E kemi parë edhe si orendi shtëpiake. Mund të kesh dhe një kolltuk xhins. Kemi parë vazhdimisht ndryshime, kemi parë materialin xhins në çanta, pra xhinsi gjen formën e vet për të qenë gjithandej”.