BallinaOP EDKërkohet politikë!

Kërkohet politikë!

spot_img
spot_img

Nga Ardi Stefa
Nëse ndonjëri do të donte të përshkruante gjendjen e sistemit politik në Shqipëri me dy fjalë, do të thoshte se po kërkohet opozitë.
Ndërsa me më shumë fjalë, situata do të përshkruhej si e një vendi që kërkon opozitë, por në thelb nuk ka as pozitë, as dialog politik dhe as sistem demokratik.
Në vitin 2023 në Shqipëri qeveria duket e plotfuqishme, jo sepse bazohet në një shumicë demokratike dërrmuese, por sepse ka një distancë të madhe nga një opozitë që, ashtu e përçarë siç është, me urrejtjen e brendshme dhe interesat personale të prevalojnë mbi të mirën e përgjithshme, vështirë se merret me çështjet thelbësisht politike e jopartiake.

Rezultati është që projektligjet paraqiten në parlament, nuk bëhet asnjë diskutim thelbësor për to dhe votimi i tyre nga pozita bëhet në këmbë, mes flakadanëve, tymueseve, fishekzjarreve, dritave të fikura, karrigeve të përmbysura dhe revolucionit live fejsbukian.

Dhe pastaj mburren me trimërinë e tyre në sallën e parlamentit, teksa u marrin kartonat kolegëve, përmbysin karriget, shajnë me zërin e hollë, por burrëror dhe kënaqen teksa, në vend të bëjnë gjë tjetër kundër vendimeve e veprimeve të qeverisë, i vënë zjarrin vendit ku ulet Lulzim Basha, duke treguar, se me cilin e kanë realisht.

Pastaj kur përjashtohen thonë se fishekzjarret ua fusin në sallë deputetët socialistë…

Situata është e jonormale, sepse të dyja palët në parlament e dinë situatën, në të cilën e kanë futur demokracinë, e dinë ngërçin institucional, por nuk bëjnë asgjë tjetër veçse të investojnë në trazirat e përjavshme, duke u tallur me popullin, të cilit i kanë premtuar stabilitet, demokraci e mirëqenie.

Ndërkohë qeveria përgatit reforma që çojnë në trazira të mëdha institucionale dhe, megjithatë, opozita vështirë se është e angazhuar me to. Kujtoni se për sa minuta u votua nga pozita dhe pa asnjë diskutim buxheti i shtetit për vitin 2024.

Kujtohuni nëse opozita është përpjekur në ndonjë mënyrë ta hapë këtë debat dhe ta nxjerrë në pah këtë çështje dhe pasojat e saj. Për buxhetin kanë bërë statuse e kanë folur publikisht vetëm deputetët e PD zyrtare. Rithemelimi pas çdo revolucioni në sallën e parlamentit flet për “aksionin opozitar” dhe moslejimin e funksionimit normal të parlamentit, ndërsa pozita, megjithë skandalet, në të cilat është zhytur, me të gjithë zyrtarët e saj të lartë që po thirren nga SPAK ose janë në arrati, merret me ndeshje futbolli, perëndime të bukura mbi Seman dhe dokrra të tjera aspak politike e aspak aktuale.

Në Shqipëri politika ka një problem të madh me të vërtetën. Duke qenë mashtruesa me patentë, politikanët tanë mohojnë në mbrëmje atë që kanë thënë në mëngjes dhe mohojnë në drekë atë që kanë thënë në mëngjes.
Për t’ja rinisur të njëjtit cikël gënjeshtrash e mashtrimesh ngs e para ditën tjetër.

Nuk e kanë nga skleroza, jo, por mënyra se si janë mbrujtur politikisht e formuar njerëzisht!

E gjithë kjo e shkrin debatin politik. Dhe në fakt, ajo dekonspiron plotësisht sferën e dialogut politik publik që është thelbi i demokracisë.

Megjithatë, nuk mjafton të thuhet se arsyeja që në Shqipëri nuk ka më debat të vërtetë është kriza e opozitës. Në fakt, jo vetëm që është e pamjaftueshme, por mbart edhe rrezikun e të qenit një pikënisje mashtruese e të gabuar.

Në fakt po ndodh e kundërta. Kriza e opozitës, apo edhe mungesa e saj, është pasojë e ndryshimeve në politikë këto kohë. Kriza e politikës tradicionale dhe dalja në skenë e postpolitikës; thënë ndryshe e një politike të re, me të cilën Shqipëria nuk ishte përballur këto 33 vite pluralizëm.

Në Shqipëri perceptimet e politikës aktuale të të dyja palëve thjesht anullojnë konfrontimin politik. Dhe kjo, sepse ata e urrejnë çdo koncept kolektiviteti. Ata besojnë se politika është vetëm çështje individuale dhe personale, ushtrim pushteti të pakufizuar, mosprekje e mosndëshkim i përjetshëm, tallje e gënjeshtra pa fund.
Dhe në fund fare tradhti!

Nuk po flas për ideale, por për shokët e bashkëpunëtorët më të ngushtë.

Sepse, nëse politika është çështje kolektiviteti, atëherë mund të heqim vija ndarëse në bazë të kriterit nëse janë të përfaqësuara interesat e shumicës.
Dhe sigurisht, kur politika nuk kërkon vija të qarta ndarëse, por thjesht individë- klientë dhe jo qytetarë, atëherë dekonspirohet edhe qëllimi.
Sfida më e madhe për Shqipërinë është rikthimi i politikës. Për të rivendosur vijat ndarëse që e djathta dhe e majta të ekzistojnë sërish. Që të kemi një politikë që mendon për popullin dhe i drejtohet popullit.
Dhe vetëm atëherë do të kemi sërish një popull – që është baza e demokracisë– pjesëmarrës në politikë e vendimmarrje dhe jo thjesht “vëzhgues të pafuqishëm”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular