BEHAR GJOKA/ Romani “Një emër në katër rrugë”, pavarësisht sfondit historik të jetës së shqiptarëve, në pjesën e parë të shekullit të kaluar, nën monarki, në vështrim parësor, gjithnjë varësisht tekstit, e sidomos pikës së referencës, ku ngjarjet nisin dhe mbyllen në Dhërmi, ka vendlindjen e tij, bregun shkëmbor ku përplasen dallgët e detit.
Pra, para së gjithash, teksti i romanit Një emër në katër rrugë, ka vënë në qendër vendlindjen, duke endur një përmendore letrare, për Dhërmiun. Dashuria dhe krenaria, për historinë dhe bukurinë e bregut, të detit dhe malit, nuk e pengon për ta lartësuar dhe madhështuar, gjer në elementët më të imtë, me shumë gjasa, duke e projektuar si një tokë e bekuar. Megjithatë, plazmimi i adhurimit, madje gjer te sendërgjimi i një vepre monumentale për vendlindjen, me gjasë të një “makondo” unike, në plazmimin e dashurisë për vendlindjen, nuk e ka penguar për të sjellë pranë lexuesit, të dyja anët e medaljes:
a- Krenaria për ta lartësuar si bukuri natyrore, si vend me bëma historike, gati një vend i shenjtë si detar;
b- Hedhja e dritës mbi të gjitha skutat e shpirtit njerëzor, theksimi i mençurisë dhe marrëzisë, qëndresës dhe tjetërsimit.
Dhërmiu, djepi që e përkundi në gjallje autorin, e në amshim e mban në gjirin e vetë, është shkasi për ta fokusuar në gjithë dimensionet e veta, e po kaq është mënyra e gjetur letrare për ta bërë pjesë të rëndësishme të historisë shqiptare, tashmë të historisë së shpirtit të shqiptarëve, nëpër mugullimat e kohës. Nga Dhërmiu, marrin udhët e jetës, jo krejt rastësisht katër Gjikë, që përfaqësojnë katër udhët e shtegtimit të njeriut të këtij fshati, si një përgjithësim i shtegtimit të qenies shqiptare në kohët moderne.
Në ligjëratën narrative autoriale, qysh në fillim shfaqet dhe rimerret në disa raste, një formë portretizimi e fshatit, e adhurimit që ka autori për të, duke u shtrirë përshkrimi i këtillë në gjithë tekstin e romanit. Situata zë fill me: “Fshati po aty ishte. Dhe njerëzit vazhdonin luftën e zakonshme për të jetuar”[1], si një pohim që thekson tiparin më qenësor, luftën për të jetuar të këtyre banorëve. Kjo mënyrë shprehje, përsëritet: “Fshati aty ishte. Agonte dhe perëndonte dhe njerëzit luftonin me hallet, borxhet, sëmundjet”[2], ku sërish përmendet veprimi, ata luftonin, një tregues i karakterit të fortë, të banorëve të atij fshati, të përmenduar në histori, e mbi të gjitha të gdhendur në zemrën e shkrimtarit. Rimerret po në këtë formë: Fshati aty ishte. Portokallet ishin zverdhur dhe ullinjtë e krimbur që i rrëzonte era, mblidheshin që pa gdhirë nga duart e shpejta të vashave dhe të grave…”[3], ku tashmë plotësohet kuadri, me elementë të tjerë, të një peizazhi magjik, që hapin fletët e pamjeve të larmishme të Dhërmiut. Përsëri kemi situatën e rimarrë: “Fshati aty ishte. Ra qeveria, ra ministri i Brendshëm, po fshati aty ishte”[4], ku qartësisht lihet të kuptohet se Dhërmiu, ka jetën e vetë, gati – gati të shkëputur nga bota, në kuptimin që nga përvoja ka endur gjithçka që i duhet. Në një moment ndërrohen termat: “Gurët aty ishin! Deti ndërronte fizionominë e tij sipas erërave dhe sipas etapave të ditës”[5], ku prezantohet peizazhi natyror, plot larmi dhe përthyerje, i Dhërmiut. Pastaj ngjet kthimi në shprehjen e parë: “Fshati aty ishte. Siç ndodh në fshat, madje dhe kudo dhe kurdoherë në jetë njerëzit nuk duan të marrin pjesë si aktorë në shfaqjet politike, por qëndrojnë si spektatorë, duartrokasin…”[6], që dukshëm bart vlera të gjithkohshme për karakterin e shqiptarit, pra jo vetëm të banorëve të Dhërmiut, në marrëdhënien me politikën dhe me shtetin. Përsëri kemi: “Fshati aty ishte. Binte shi. Dhe njerëzit grindeshin, se detyroheshin të rrinin brenda. Bubullimat në Dhrimadhe janë aq të fuqishme dhe aq të dendura”[7], ku pothuajse plotësohet pamja për motin e thyerë, duke shfrytëzuar momentin për të zbuluar tiparet karakteriale të banorëve të fshatit. Në gjashtë raste përkujtesa e vendlindjes vjen në këtë formë: “Fshati aty ishte dhe vetëm njëherë kemi frazën Gurët aty ishin”, si tregues se gurët janë element i rëndësishëm, përfaqësimi për Dhërmiun, por edhe si një pikë reference e atdheut.
Në vijim kemi një ndryshim të vogël, që mbetet brenda thelbit të konturimit të pamjes së Dhërmiut dhe të adhurimit të autorit për vendlindjen, si një portretizim me penelime të holla dhe po kaq të ashpra. Diçka ndryshon: “Dhe fshati aty ishte. Po ja që dhe gurët lëvizin”[8], një domethënie nëntekstuale, për ndryshimet që po ndodhin, në ato kohëra të vështira, dhe më gjerë, për të vijuar: “Dhe fshati aty ishte. Kujtoheshin ditët e tërmetit”[9], e cila vazhdon me situatën: “Dhe fshati aty ishte. Fshatarët e kishin zakon që ndonjëherë t’ia zinin derën ndonjërit për të kaluar darkën me shaka…”[10], si nevojë e prishjes së rregullave, ndonjë herë, për ta thyer monotoninë. Përsëri rimerret situata: “Dhe fshati aty ishte. Kaloi atë çast nga Ulliri i Muços Amalia, e vetmja grua që shkonte si qiraxhi me mushkën”[11], si përplotësimi i shenjave të përveçme të Dhërmiut, për të zbuluar dhe theksuar të gjithë cilësitë e tij, të marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe me mjedisin, që në sytë e shkrimtarit, është parajsë. Për të vijuar me plotësimin e kontureve të banorëve hokatarë dhe dashnor të jetës: “Dhe fshati aty ishte. Atë mbrëmje në kafenenë e Domo Dabos. Xha Foti nuk kishte nevojë të tregonte”[12], e cila në kapitullin tjetër, rimerret në këtë formësim: “Dhe fshati aty ishte. Si zakonisht në fshat për politikë flasin ata që s’punojnë, ata që kalojnë kohën tek ‘Ulliri i Muços’, te kafeneja e Domo Dabos”[13], një pohim befasues, që përgjithëson natyrën e shqiptarit, jetë e mot, me një rezonim edhe për aktualitetin ku jemi kredhur prej kaq vitesh. Forma e tillë, shfaqet në përshkrimin e stinës së dimrit: “Dhe fshati aty ishte. Dimri nuk qe i fortë, po qe e fortë kriza për bukë”[14], që përplotëson kohën, krizën e bukës, të atyre viteve, duke fituar një status më të gjerë kumtesh. Përsëri thekson: “Dhe fshati aty ishte. Furtunat e mëdha tregoheshin si ngjarje shumë të lashta”[15], si një rrethanë e theksimit të karakteristikave të Dhërmiut, për të ardhur gjer te situata e befasishme: “Dhe fshati aty ishte. Dielli kishte rënë në ishuj, deti i gjerë çelte një horizont kujtimesh dhe mbresash të çuditshme”[16], për ta ulur siparin me një penelim përgjithësues të bukurive përrallore të tij: “Dhe fshati aty ishte. Malet. Deti. Përrenjtë dhe bregoret me ullinjtë e shqyer prej tramundanës së luftës dhe me portokallet e rralluara”[17]. Pra, situata e dytë, e formës “Dhe fshati aty ishte”, përsëritet dhjetë herë. Shtrirja në të gjithë hapësirën e romanit, si dhe theksimi i cilësive më të rëndësishme të Dhërmiut, vendlindjes së autorit, tregon se më së pari kemi të bëjmë me një roman për vendlindjen, madje në hapësirën e tekstit të romanit Një emër në katër rrugë, endet një përmendore e pazakontë, një përmendore letrare për Dhërmiun, djepin që e përkundi dhe e mban në gjirin e vetë.
HISTORIA E KOHËS SË PROJEKTUAR
Një “Histori”, gjithnjë dhe vetëm letrare, si një fond që është i pranishëm në materien takstologjike, e shtrirë në të gjithë hapësirën, e kohës letrare të projektuar në këtë roman, si shtysë parake për ta projektuar në gjithë dimensioned, jetën e kohës, ndonëse është derdhur në përthyerejet imagjinare autoriale. Shoqëria e shqiptare e asaj kohe, ishte futur në sistemin e monarkisë, megjithëse kishin ndodhur disa përparime në fushën e ligjeve, e cila në fakt pati adhuruesit dhe mohuesit e vetë. Pikërisht në motet e monarkisë, që pati për mbret Ahmet Zogun, sado me nivel latent të shfaqur, kishte nisur edhe përhapja e ideve komuniste, sikur në një pjesë të madhe të lindjes, e cila atëbotë përhapej me shpejtësi, si një flamë e pandalshme. Në një kuptim real dhe metaforik, bota e re, pra bota e ideve të komunizmit, që atëherë shiheshin si përparimtare, ishin ngritur me forcë kundër botës së vjetër, të asaj kohe, botës së mbytur në prapambetje dhe shthurje morale, por e shtjelluar në faqet e romanit Një emër në katër rrugë, pra gjithnjë siç përçohet në hapësirën tekstologjike, në një dyluftim ekzistencial të jashtëzakonshëm. Për të hyrë në marrëdhënie me tekstin e romanit, vlen ideja e Zh. P. Sartri se: “…letërsia afirmon menjëherë pavarësinë e saj; ajo nuk do të reflektojë më shabllonet e mendimit të kolektivitetit, identifikohet me shpirtin, d.m.th me pushtetin e përhershëm për të formuluar dhe krijuar ide”.[18] Megjithatë, kontributi më i vyer i tekstit të këtij romani, është sinoptika e realizuar, analiza e detajuar, që i bën shoqërisë së kohës, e cila plazmohet në dinamikën dhe tipizimin e karaktereve të pranishëm, të cilët realisht janë pasqyra më e mirë dhe më e plotë e asaj shoqërie, pikërisht të asaj kohe, e sendërtuar me dritëhijet e pashmangshme. Gjikë Nina, varësisht hapësirës tekstologjike, paraqitet në nivel të gjerë, në një moshë të madhe, mbetet përjetësisht i lidhur me fshatin, gjithnjë brenda rrethakut të vetë, përbën një shenjë të pranishme, por me rol specifik që të ruaj lidhjet me tokën dhe me rrënjët e kombit. Nga ana tjetër, të tre Gjikët e tjerë, ndonëse ecin në rrugë të ndryshme, ia kanë mbathur nga fshati, kush të iki sa më parë, sikur kanë marrë arratinë. Gjikë Argjiri ka zgjedhur me shumë dëshirë që të përqafoj monarkinë, të jetë puthadorë dhe pushtetar i saj, ku madje bie në sy vizatimi tipik anadollak i këtij personazhi, ashtu siç autori sheh dhe trajton vetë monarkinë. Një figurë interesante, e ngjizur si e tillë në leksik, që arrin deri aty sa të flas simbas të folmes së Matit, për t’u bërë sa më i pëlqyeshëm të Lala dhe te mbreti, ku veprimeve qesharake të tij, që buron nga vetëdeklarimi i personazhit, i cili ecën pa u ndalur në rrugën e marrëzisë, e bëjnë një figurë reale dhe tipike të kohës. Gjikë Mërtiri, nga ana tjetër, është një figurë e ndërlikuar, nga më komplekset e letërsisë bashkëkohore shqipe, dhe mjaft interesant në konturimin e tij karakterial, që është shkolluar për drejtësi në Francë, si një mundësi jo e zakonshme. Niveli i ngritur kulturor, e bën që të urrejë politikën dhe të jetë i distancuar nga monarkia, po aq është indiferent ndaj ideve të reja të komunizmit, gjë që e shpie atë deri në fatalitet, në ditët e para të pushtimit fashist të atdheut. Sjellja në vëmendje e një parashtresë për këtë zhanër: “Vetëm në roman dhe në disa forma të tjera epike të afërta me të ndodh kujtimi krijues, i cili e qëllon dhe transformon lëndën…”[19], ka vlerë të pazakontë për të hetuar shenjat e pranishme në materien e romanit. Në anën tjetër, Gjikë Bua, një personazh ide, si një zëdhënës dhe alterego e autorit, përfaqëson intelektualin e ri, që ka lënë fshatin dhe është vendosur në Tiranë, i cili me vetëdije ka përqafuar idetë e komunizmit, paraqitet si njeri i fjalës, njeri i veprimit. Figurimi i këtyre personazheve, në portretizimin fizik dhe moral, nëpërmjet narrativës, përshkrimit dhe replikave dialoguese të personazheve, ku më tepër i bëhet autopsia politike dhe shoqërore kohës, në prag të luftës botërore, si dhe të pushtimit fashist të Shqipërisë, është pasqyra e qenies shqiptare të asaj periudhe.
PSE U NDALUA ROMANI?
Fati i mbrapshtë i ndalimit të romanit “Një emër në katër rrugë”, duke e kthyer në karton në vitin 1973, me gjasë ishte paralajmërimi i fundit për autorin, e cila vijon me ndalimin e dramës Niku i Martin Gjinit, po në vitin 1973, që pasohet mandej me ndalimin kolanës, Poezi shqipe, P. Marko, si dhe me heqjen e të drejtës së botimit, në vitin 1974. Me interes mbi fatin e romanit, është një intervistë e autorit, dhënë në gazetën “Drita” në vitin 1973: Kam dhënë për shtyp një roman me titull “Një emër në katër rrugë”. Ngjarjet zhvillohen në kohën e regjimit të Zogut. Aksionin e kam vendosur në fshat dhe në Tiranë. Përmes fatit të katër personazheve që kanë një emër dhe që janë nga një fshat (një fshatar me traditat e vendit, një me kulturëidealist, tjetri revolucionar dhe tjetri arivist, karrierist), jam munduar të jap armosferën e regjimit feudo-borgjez të Zogut. Romani ka shumë personazhe si mbreti Zog, Lalë Krosi, Musa Juka, Xheraldina, personazhe të tjerë si Xhiro, agjent i Italisë. Romani paraqet lëvizjen revolucionare në vendin tonë ashtu siç ishte në atë kohë. Skenat e fundit janë në dyqanin “Flora” ku lexuesi njihet me heronjtë e parë të Partisë.[20], që në një kuptim zbërthen, lidhur ngushtësisht me atmosferën e kohës, vetëm aspektin përmbajtësor të romanit Një emër në katër rrugë. Nisur nga akti i rileximit të tekstit, romani Një emër në katër rrugë, është njëra ndër veprat cilësore të autorit, për të gjithë elementët thadrues të zhanrit. Para së gjithash, ky libër, është nga të paktat tekste letrare, që e ka portretizuar Shqipërinë e para luftës, me nivel të ngritur estetik. Sa për për të prekur rrethanat e shkrimit, të romanit për vendlindjen, po sjellim në vëmendje klimën e kohës së botimit, që realisht përkon me konsolidimin e realizmit socialist, me të gjithë parimet që e kthyen letërsinë shqipe, në parullë të sistemit monist dhe të modelit të realizmit socialist. Petro Marko, me disa romane të botuara, si “Hasta la vista”, 1958, “Qyteti i fundit”, 1960, nuk e kishte marrë shumë në konsideratë, e vetëm pjesërisht në faqet e romanit “Ara në mal” 1967, modelin zyrtar të realizmit socialist, që në vitet ’70, të shekullit të kaluar, ishte tepër i fuqizuar, dhe madje kishte filluar gjuetinë e shtrigave mbi shkrimtarët bashkëkohanik. Në sugjerimin: “Entuziazmi ideologjik nuk prodhon as shkrimtarë e as lexues të mirëpërkundrazi, shkakton keqformimin e tyre…”[21], që davarit jo pak nga mjegulla e endur, kinse letrare në motet e monizmit, në Shqipëri. Megjithatë, shkaqet e ndalimit të romanit “Një emër në katër rrugë”, dramës “Niku i Martin Gjinit”, në vitin 1973 dhe i kolanës “Poezia shqipe”, Petro Marko, në vitin 1974, së pari duhen parë në dy rrafshe:
A – Jashtëletrare, sepse jeta e njeriut të lirë, prej rebeli të përjetshëm, duke qenë dëshmi e gjallë e Luftës së Spanjës, internacionalist idealist, kurrësesi një komunist dogmatik, që nuk e pati fatin dhe mundësinë që të bëhej anëtar i PKSH apo i PPSH, asnjë ditë, ishin rrethana për ta “lehtësuar” rrugën për ta goditur autorin dhe veprën e gjerë letrare. Petro Marko, në varësi të rrethanave të konsolidimit të realizmit socialist, kryesisht prej leximit biografik të teksteve letrare, gjithnjë në sytë e fitimtarëve të kuq, i kishte “disa kleçka”, pra disa njolla të errëta, që herë pas herë, ia zinin shtegun shkrimit letrar. Pohimi i M. Kunderës: “Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës…”[22], si një mesazh gjithkohor i ekzistencës së letërsisë si art me vlera estetike. Dalja e romanit të autorit, me titullin Një emër në katër rrugë, u prit me kundërvënie totale, të gjithë institucioneve, u prit sikur në skenën letrare të kishte rënë një bombë shkatërrimtare, në jetën shpirëtërore dhe letrare, të Shqipërisë së kredhur në betejën me liberalizmin, në fakt e vështruar në distancë kohore, me mullijntë e erës. Vitet 1973-1974, janë vitet ku PPSH, i kishte shpallur luftë liberalizmit, për dallim me vitet ’60 kur luftonte konservatorizimin, pra duke “shpikur” armiqër, në secilën dekadë. Atmosfera në art, muzikë, pikturë dhe në letërsi, në këto mote ishte tepër e nderë, ishte e rrezikshme të bëhesh pjesë e kësaj beteje asgjesuese për lirinë e artit, për lirinë e fjalës, me gjasë për ekzistencën e artit dhe të artistëve. Klima e ndezur ideologjike, e furtunës së ngritur, në kulturë, art dhe letërsi, do të kishte “kurbanët” e vetë, që do të aviteshin në tryezën e partisë-shtet si “koka turku”, për të goditur liberalizmin, prirjet ndikues nga letërsia “dekadente”. Arkivat dhe dokumentat e kohës, ofrojnë atmosferën e zymtë, betejën asgjesuese, ku shumë artistë dhe shkrimtarë u burgosën, u internuan, por më tepër u linçuan publikisht, si bartës të shfaqjeve të huaja, si përhapës të liberalizmit, duke nënkuptuar dekadentizmin e perëndimit.
Vështruar në distancë kohore, beteja asgjesuese kundër liberalizmit, e ku rrinte diktatura pa shpalluar armiq të përvitshëm, është një betejë kundër artit dhe letërsisë, kundër lirisë së fjalës, sidomos kundër lirisë së artit dhe letërsisë. Arkitektët, e luftës së pambarimtë, nga njëra betejë në tjetrën, për Petro Markon, njeriun e lirë, shkrimtarin e spikatur, rezervuan “një zgjidhje përvëluese”, me shpejtësi rrufe i ndaluan disa nga librat e tij në vitin 1973 dhe në vitin 1974, i hoqën të drejtën e botimit. Për një shkrimtar, aq më tepër për Petro Markon, që njihej botërisht si vullnetar i Luftës së Spanjës, për një poet dhe prozator të afirmuar, me gjurmë të rrokshme në lëvrimin e romanit, nuk kishte dënim më të hidhur. Kemi të bëjmë me varrosje për së gjalli, ashtu si vargjet e tij, të murosura në varrin e dëshmorit Ramiz Varvarica. Sapo doli romani Një emër në katër rrugë, nga maja e olimpit të partisë-shtet, nisi furtuna shkatërrimtare e Petro Markos, si dhe emrit të tij në marrëdhënie me letërsinë bashkëkohore. E gjithë partia ishte ngritur në këmbë për të fshirë nga faqja e dheut, përhapësin e liberalizmit, moszabtuesin e metodës së realizmit socialist, në këtë roman dhe në disa libra të tjerë. Mjafton të lexosh letrat e Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos, dy njerëzve më afër diktatorit Hoxha, për të kuptuar stuhinë që ra mbi romanin Një emër në katër rrugë, e sidomos mbi shkrimtarin, për t’i dhënë një mësim rebelit të përjetshëm, njeriut të lirë, por më shumë për ta bërë model të shkatërrimit të njeriut, të intelektualit, të shkrimtarit, që lirinë e kishte mbi gjithçka. Letërkëmbimi në të njëjtën datë, në dhjetorin e vitit 1973, i dy sekretarëve të KQPPSH, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia, syve dhe veshëve të Enver Hoxhës, tregon për lartësinë nga po binin rrufetë mbi romanin dhe shkrimtarin Petro Marko.
Romani i Petro Markos, zbardhet letra e Hysni Kapos për Ramiz Alinë
Në letrën e Hysni Kapos për Ramiz Alinë jepen detajet e asgjesimit të romanit “Një emër në katër rrugë”, dhe duke e bërë shembull, të goditej dhe shkatërrohej përfundimisht shkrimtari, me kontribute të vyera në letërsinë e viteve ’30 dhe në letërsinë bashkëkohore.
Pas këtyre letrave, nisi fushata e Lidhjes së Shkrimtarëve, të autorëve dhe studiuesve, që lëshuan rrufetë e tmerrshme, mbi përhapësin e liberalizmit në letërsinë shqipe, të udhëhequr nga mendimi i partisë, i ideologëve të saj, i përçuesve të porosive të diktatorit Hoxha, është e mjaftueshme për të kuptuar se letërsia e realizmit socialist udhëhiqej nga partia dhe ishte shërbestar i ideologjisë së saj. Petro Marko, jo vetëm me këtë libër, po me personalitetin e formuar si njeri i lirë, si poet, prozator, romancier, publicist, qysh në vitet ’30, me “dokoratën” e “Vullnetarit të lirisë” në Luftën e Spanjës, e mbi të gjitha me lëvrimin e romaneve, në shtjellat moderne, “Hasta La vista”, 1958 dhe “Qyteti i fundit”, 1960, i bënte hije sistemit monist, por edhe shkrimtarëve të tipit të ri, që pasi “shkatërruan” konservatorizmin në vitet ’60, ia kanë mësy “përqafimit” të liberalizmit ideologjik, të mësimeve të partisë, në vitet ’70, që më në fund i pati konsoliduar tiparet e realizmit socialist.
B – Letrare, sepse nuk kemi ndarje klasike, bardhë e zi, të personazheve, por më shumë jemi në shumëngjyrësi alternativash, të përshkrimit dhe portretizimit të tyre, me gjurmë individuale karakterizimi. Katër rrugët, krejt të dallueshme të katër Gjikëve, tregojnë për rrokjen e larmisë letrare, që pothuajse nuk ka të bëjë në asnjë pikë, me modelin zyrtar të realizmit socialist. Katër rrugët e tyre, që shpesh duken si katër udhëkryqe, nuk kanë lidhje me ngushticën ideologjike, të një rruge të vetme, të socrealizmit. Figura më e plotë e romanit Një emër në katër rrugë, Gjikë Mërtiri, është figurë realiste, madje tepër komplekse, me jo pak prani të gjurmëve deheroizuese. Pra, nuk ka asnjë lidhje me tiparet e heroit pozitiv, por edhe të atij negativ, të realizmit socialist. Gjithnjë në logjikën e rileximit, sidomos fundi tragjik i Gjikë Mërtirit, Xha Fotit, Gjikë Ninës, Norës, e largon përfundimisht nga poetika optimiste e socrealizmit. Në praninë e linjave, në shumëngjyrësinë e mjediseve, në gdhendjen e personazheve, Një emër në katër rrugë, është një roman realist, ndonëse i shtjelluar me ngjyrat e satirës dhe groteskut, që gati – gati afrohet me tonet e realizmit magjik, si narrativë, strukturë dhe shprehësi.
Pra, jemi në një qerthullim, brenda dhe jashtëletrar, në kuptimin që materia e tekstit, figurimi i personazheve, diçka prej rrethanave të shkrimit, të sendërgjimit të realitetit letrar, e bartur në hapësirën tekstologjike, njëherit, diçka fsheh dhe zbulon nga misteri i kalimit në karton të këtij romani. Në mesin e figurave historike dhe letrare, të portretizuara nga shkrimtari, është edhe Demiri, që përkon me personazhin historik, Demir Godelli, një pjesëtar i rëndësishëm i grupeve komuniste, që në historinë zyrtare, i ka mbetur vetëm emri, sepse pothujase e kanë shmangur, ia kanë fshirë emrin. Për këtë figurë, sjellë disa të dhëna Kastriot Dervishi: “Në vitin 1931 Demir Godelli, (ka një fusnotë me numër 167, të cilën po e japim të plotë, shënim imi) dhe Ali Kelmendi vijnë nga Moska në Berlin… Demir Godelli (1896-1969). Nga Peqini, arsimtar, përkthyes dhe aktivist politik. Një ndër pionierët e lëvizjes së majtë. Në vitet 1924-1932 emigron kryesisht në Bashkimin Sovjetik. Pas kthimit në atdhe është ndër personat kryesorë për formimin e PKSH-së. Ushtron funksione shtetërore në komuna si dhe punon në arsim. Anëtarësohet më PKSH-në e Andrea Zisit gjatë luftës. Në vitet 1944-1947, është kryetar i këshillit të qytetit të Peqinit. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet për arsye politike me 7 vjet burg. i japin punë të rëndomta. Vdes në Peqin”.[25]. Këto të dhëna mbi figurën e Demir Godellit, janë të maftueshme për të kuptuar shkakun e vërtetë të ndalimit të këtij romani, si dhe goditjen përfundimtare mbi shkrimtarin, madje duke i hequr të drejtën e botimit në vitin 1974. Akti i figurimit si protagonist i lëvizjes së grupeve komuniste, me siguri nga censura e kohës është marrë si kundërvënie, sepse e nënkuptuan si rehablitim të kësaj figure. Në morinë e personazheve të shumtë, të pranishëm në hapësirën e tekstit të romanit, Demiri nuk është figurë qëndrore, por as episodike, pra është një personazh me peshë sa i përket përfaqësimit të grupeve komuniste. Po ashtu, mbase kjo është arsyeja kryesore, në faqet e romanit del edhe punishtja “Flora”, historikisht kur lidhej me figurën e Enverit, njihej si kafe “Flora”. Kuptohet shkërbimi i emrit, i natyrës së punëve që realizohen aty, është e drejta e autorit. Figura e profesorit, është periferike dhe jo pak e zbehtë, varësisht pikësynimit të autorit, porse kjo “mungesë” simbas hetimit të kupolës së monizmit, ishte arsyeja kreysore e ndalimit të romanit Një emër në katër rrugë. Figura e tij, në marrëdhënie me protagonistët, aq më tepër me përfaqësuesit e grupeve komuniste, është e zbehtë, madje krejt episodike.
LETRA E HYSNI KAPOS PËR RAMIZ ALINË
Shoku Ramiz
Dalan Shapllo dhe Dilaver Dilaveri janë recensentë të librit që i ka ngarkuar “Ndërmarrja e Botimeve”. Recensionin e kanë bërë në nëndor 1972. Pra, kjo dëshmon se sa koncepte të gabuara kanë recensentët dhe akoma më keq është për Ali Abdihoxhën, Xoxen etj., që kur kanë parë recencën ashtu si janë bërë, në to thuhet se romani duhesh ndrequr, kurse këta e shtypin. Unë mendoj se përveç masave shtetërore dhe materiale që duhet marrë ndaj tyre, të japin llogari edhe para organizatave bazë të partisë ku bëjnë pjesë. Gjithë këto materiale unë mendoj që t’i shohë edhe shoku Manush, mbasi të gjithë këto kuadro janë nën varësinë dhe si efektiv i Komitetit të Partisë së Tiranës dhe Partia në rreth duhet të ketë dijeni të plotë dhe të ndjekë çështjet.
11. XII. 1973 Hysni Kapo[23],
Kjo letër nisi suferinën e përgaditur për të përzënë nga letërsia shqipe bashkëkohore Petro Markon, duke marrë shkas nga fushata e luftës kundër liberalizmit.
SHËNIMET E RAMIZ ALISË PËR NDËSHKIMIN E ATYRE QË LEJUAN BOTIMIN E ROMANIT TË PETRO MARKOS
Shoku Pipi
1. Lidhur me romanin e Petro Markos, siç del nga propozimet tuaja e të Ministrisë, të veprohet menjëherë: Të thirret Petro Marko nga shoku Mantho Bala, ku të jetë edhe shoku Dritëro Agolli dhe Thanas Leci e Ali Abdihoxha dhe t’i thuhet që libri i tij nuk lejohet të qarkullojë. Të kritikohet me argumente ky libër si ideologjikisht i shtrembër dhe që dëmton edukimin e masave. Por, Manthua të përgatitet mirë dhe të bisedojë që edhe Dritëroi të kritikojë librin.
2. Të shtrohet në organizatën bazë të Ndërmarrjes dhe të diskutohet përgjegjësia e Ali Abdihoxhës, që lejoi botimin e librit. Përgjegjësia e tyre është akuza më e madhe, sepse recensentët, siç që shprehen pozitivisht, kanë bërë vërejtje që romani duhesh ndrequr. Dalani ka vërejtje të rëndësishme. Pse s’u mor parasysh? Duhet të nxirren një nga një këto vërejtje.
3. Po kështu, në organizatën bazë duhet të kritikohet Llazar Siliqi e Dalan Shapllo. Llazari si redaktor kish edhe vërejtjet e recensentëve. Pse nuk nguli këmbë të paktën t’i ndreqte, pa lëre që edhe ky pranoi romanin. Dalani megjithëqë bëri vërejtje, disa herë parimore, pse shfaq mendimin se romani është vepër pozitive e me vlerë, pra, të botohet? Askush nuk tërheq vëmendjen që ky libër është autobiografik. Pse kështu?
4. Duhet të merren të gjitha masat shtetërore përkatëse. Edhe pushimi i Ali Abdihoxhës, por edhe dëmshpërblimi. Të gjithë kanë marrë para: Që nga Petrua te Llazari, recensentët e redaktorët. Sipas rregullave duhet të caktohet si do veprohet.
5. Libri të kalojë në karton, të prishet dhe asnjë kopje të mos lihet në qarkullim.
6. E kam thënë edhe një herë tjetër, në mbledhjen që kishim me gjithë përgjegjësit e shtypit, që në Kosovë në asnjë mënyrë nuk duhet që të dërgojmë dorëshkrime, por mund të dërgojmë kopje të librave, pasi dalin tek ne në qarkullim. Të merren masa për të tërhequr librin e Petro Markos nga Kosova. Sidoqoftë në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që libri të botohet atje.
7. Këto materiale që keni në këtë dosje, t’i lexojë edhe shoku Manush, sepse Komiteti i Partisë së Tiranës duhet të jetë në dijeni dhe të ndjekë ç’bëhet në institucionet e Tiranës.[24].