BallinaTe tjera“Zojë”, rrëfimi për fatin e dhimbshëm të gruas në diktaturë! Historia e...

“Zojë”, rrëfimi për fatin e dhimbshëm të gruas në diktaturë! Historia e nënës së skenaristes Luljeta Progni

spot_img
spot_img

“Zojë” titullohet dokumentari i shfaqur këto ditë në Tiranë, me autore Luljeta Prognin, dedikuar nënës së saj, Zojë Progni, gruas fisnike, që jetoi afër një shekull e i rezistoi me heroizëm e dinjitet solemn diktaturës komuniste.

Premiera e filmit dokumentar “Zojë”, një rrëfim për fatin e dhimbshëm të gruas në diktaturë, përcjell emocione dhe mesazhe të forta mbi përballjen tonë me të shkuarën komuniste. Një histori sa personale për skenaristen Progni, pasi ishte historia e nënës së saj, Zojë Progni, e rrëfyer në vetë të parë, po aq edhe universale mbi fatin e shumë grave, nënave dhe vajzave, që janë përballur me dinjitet dhe i kanë sfiduar me forcë e vetëmohim, regjimet totalitare, në të gjitha kohërat. Zojës, pa i mbushur 20 vjeç i arrestuan të shoqin, Gjelosh Progni, ndër intelektualët e parë në zonën e Nikaj-Mërturit, i arsimuar në Itali.

Kur Gjeloshi u arrestua, Zoja kishte djalin e vogël, Nikën, ndërsa ishte shtatzënë dhe jetoi me nënën e të shoqit, Sofinë. Zoja lindi një vajzë, e cila jetoi 3 muaj, për t’u larguar prej kësaj bote për shkak të pamundësisë së nënës së saj për ta ushqyer. Zoja, bashkë me vjehrrën e saj përjetuan një kalvar vuajtjesh, që në perceptimin e Luljetës dhe shkëmbinjtë e Nikaj-Merturit i kishin gërrye, po ajo prapë s’u mposht. Asaj i vdiq vajza urie, iu desh të ndahej për së gjalli me djalin e vogël, Nikën, të cilin ia lëshoi në duar një të panjohuri, që i tha se i njihte të shoqin e që nuk duhej ta merrte me vete të birin foshnje, pasi atje ku do ta çonin, ai nuk do mund të mbijetonte. I premtoi se do t’ia çonte së ëmës në Lekbibaj, një zonë e thellë malore në Tropojë.

Ajo i besoi, edhe pse e tmerruar nga frika se mund të humbiste edhe djalin si vajzën nga uria e sëmundjet dhe pak çaste para se ta hipnin mbi një makinë për ta degdisur drejt Tepelenës, ia lëshoi dorën Nikës. E prapë u qëndroi. Të gjitha format e persekutimit që ranë mi të, jo vetëm s’e thyen, s’e përulën, por e bënë edhe më të fortë bijën e maleve të Nikaj-Mërturit, që u betua të mos e linte kurrë me u fik zjarrin në votër, e mos me i mbyll derën e kullës burrit të saj. Për 16 vite me radhë, çdo tre muaj, Zoja shfaqej para derës së burgut të Gjeloshit me strajcat e mbushura me ato pak ushqime që i përgatiste e ëma. Pak miell i përzier me t’lyen, i tharë.

Zoja e ruajti forcën brenda vetes, për t’ia nis edhe një herë nga fillimi, kur i shoqi u lirua. Skenaristja e këtij filmi dokumentar, Luljeta Progni tha se nuk ishte e lehtë për të të trajtonte këtë temë gati autobiografike dhe realizonte këtë vepër, ku personazhi kyç ishte nëna e saj. “Zoja fliste rrallë për vuajtjet e saj. Gjatë viteve të fundit u përpoqa disa herë ta intervistoja, por nuk munda të kem një intervistë shteruese. Shpesh ajo përlotej që pas pyetjes së parë dhe nuk fliste më. Dhe ndonjëherë kur fillonte të tregonte, mikrofoni nuk ishte aty. Por ashtu siç i di unë ato vuajtje, disa prej të cilave edhe i kam përjetuar, mendoj se duhet t’i dinë edhe të tjerët. Kam mësuar prej shumë historive të tjera, se Zoja nuk ishte e vetme.

Shumë gra të tjera kanë vuajtur dhe janë përballur me persekutimin e diktaturës komuniste, kanë vajtuar fëmijët e tyre, kanë mbajtur gjallë shpirtin e bashkëshortëve dhe djemve nëpër burgje dhe e kanë mbrojtur familjen me shumë sakrifica”, – rrëfen studiuesja dhe gazetarja Luljeta Progni në dokumentarin “Zojë”, ku rrëfehet drama e persekutimit të familjes së saj nga regjimi komunist. Zoja nuk kërkoi kurrë mëshirë, as vëmendje, se jeta, e gjithçka e rrethoi prej kur u lind, e mësuan të qëndronte kryelartë, me pas nderin për ushqim, forcën për mbijetesë, e Zotin për shpëtim. Thonë, që prej lindjes, emri që na e japin, na shoqëron deri në vdekje, …e Zoja, lindi, jetoi, e shkoi te Zoti, Zojë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular