Man.City nuk di të ndalet, nuk bën asnjë kompromis, por vijon me hap kampioni. Ndaj Leipzig, “qytetarët” e Pep Guardiola-s siguruan fitoren e 5 në 5 ndeshje në fazën e grupeve, 15 pikë të plota. Edhe pse Grupi G nuk kishte asnjë histori, në lidhje me dy ekipet që kalojnë më tej, pasi City dhe Leipzig e kishin arritur më herët këtë objektiv, dy ekipet dhuruan një spektakël ofensivë. Openda befasoi kampionët në fuqi duke realizuar një dygolësh brenda pjesës së parë, dy aksione personale, dy kundërsulme thuajse fotokopje.
Për të rikthyer Man.City në lojë mendoi i përhershmi Erling Haaland. Në minutën e 54-ët, biondi norvegjez ngushtoi shifrat në 1-2. Ky ishte goli i tij i 40-të në Champions League duke u shndërruar në lojtarin më të ri në histori që arrin këtë kuotë, për më tepër me 35 ndeshje në dispozicion, më pak se kushdo tjetër më parë.
Në minutën e 70-të, Foden barazoi shifrat në 2-2, ndërsa Alverez në të 87-tën përmbysi shifrat duke i dhuruar City një tjetër trepikësh. Në sfidën tjetër të këtij grupi, Young Boys mposhti Crvena zvezda-n me rezultatin e pastër 2-0 duke siguruar një biletë për në play-off e Europa League.