Deputeti i PD dhe bashkëkryetari në komisionin e reformës zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, ka depozituar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke propozuar ndryshimin e sistemit elektoral nga proporcional-rajonal në proporcional-kombëtar me lista të hapura si dhe garantimin e votës së diasporës.
Ndryshimi i përllogaritjes së mandateve në listat emërore të deputetëve të bëhet në bazë të votave të përgjithshme dhe jo sipas zonave zgjedhore, sugjeron ai në projektligj.
“Zonë zgjedhore është tërësia e territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvend dhe bashkia për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore,” thuhet në propozimin e Enkelejd Alibeajt, që nënkupton sistem proporcional kombëtar.
Sipas propozimit të bërë nga deputeti i PD, sistemi aktual i fragmetizuar ka defekte dhe sistemi me një zonë zgjedhore garanton barazinë e votës së çdo qytetari.
“Nga ky lloj sisitemi përfitojnë më shumë partitë e vogla që futen në zgjedhje, votat e të cilave nuk arrinin të nxirrnin një mandat deputeti në përballje me formulën aktuale ku partitë e mëdha favorizohen në formulën e përllogaritjes së votave sipas qarqeve.”
Alibeaj po ashtu kërkon ndryshimin e formulës së llogaritjes së votave për kandidatët fitues brenda listave shumëemërore të partive politike duke propozuar lista të hapura; cili kandidat ka marrë më shumë vota shpallet fitues dhe nuk favorizohet rrjeshtimi i tyre sipas listës që sjell kryetari i partisë.
“Shpërndarja e mandateve fillon me rend zbritës, në bazë të numrit të votës parapëlqyese të secilit kandidat të listës shumë emërore.”- shkruhet në propozim.
Në projektligjin e propozuar të deputetit demokrat parashikohen dhe rregulla dhe detyrime të KQZ-së për të siguruar votën e diasporës shqiptare, për të cilën ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e cilëson antikushtetuese mohimin e të drejtës së votës të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufinjve.
Sipas BIRN, propozimet e Alibeajt prekin dhe pjesën e sjelljes së mediave në fushatën zgjedhore, duke ashpërsuar gjobat për gazetarët dhe operatorët televizivë në rastet e shkeljes së Kodit Zgjedhor dhe duke ritheksuar rregullat për transmetimet e reklamave politike. Ai kërkon ashpërsim të gjobave të parashikuara në këto raste duke filluar me gjoba ekzekutive nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në masën nga 100,000 lekë për reporterin që ka përgatitur kronikën, me 300,000 lekë redaktorin përgjegjës, me 500,000 lekë drejtorin e informacionit dhe me 800,000 lekë drejtorin e përgjithshëm.
Këto gjoba aktualisht janë 20,000 lekë për reporterin, 30,000 lekë për redaktorin përgjegjës, 35,000 lekë për drejtorin e informacionit dhe 60,000 lekë për drejtorin e përgjithshëm