Kursimet që individët dhe bizneset kanë në sistemin bankar kanë shënuar një ecuri pozitive gjatë muajit tetor, në të dyja monedhat, si në lekë ashtu dhe në euro.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit tetor, stoku i depozitave në Lekë arriti në 547.5 miliardë lekë, me një rritje prej 0.75% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 4 miliardë lekë më shumë.
Kjo është rritja e dytë më e fortë e këtij viti, pas qershorit. Gjatë 9 muajve të këtij viti, kursimet në Lekë kanë shfaqur një ecuri të dobët, duke u rritur vetëm në tre muaj. Në krahasim me një vit më parë kursimet në lekë janë zgjeruar vetëm me vetëm 0.47%, ose 2.5 miliardë lekë më shumë.
Në tetor, rritja e kursimeve në lekë është ndikuar nga korporatat jo financiare ashtu dhe nga individët, kryesisht në llogari kursimi pa afat.
Ndryshe nga kursimet në Lekë, ato në valutë kanë shënuar rritje të qëndrueshme vitet e fundit. (Monitor po i raporton depozitat në valutë nga statistikat e veçanta për euron, që mbizotëron, pasi të dhënat totale të depozitave të Bankës së Shqipërisë jepen në lekë, çka ul vlerën e kursimeve në Euro për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të monedhës së përbashkët).
Në fund të tetorit, stoku i kursimeve në euro arriti në 7.26 miliardë euro, me një rritje prej 1% në krahasim me muajin e mëparshëm, ose 75 milionë euro më shumë, e ndikuar si nga bizneset ashtu dhe nga individët.
Ndonëse me ritme të ngadalësuara, rritja ka vijuar edhe në shtator e tetor, teksa në gusht kursimet në valutë panë zgjerimin më të madh historic prej 286 milionë euro, të ndikuara nga efektet sezonale, por dhe prurjet pozitive nëturizëm.
Zgjerimi i sezonit turistik përtej muajve tradicionale të verës, duket se po ndikon në ecurinë e mirë të depozitave dhe në shtator e tetor.
Turizmi po sjell më shumë valutë në vend si përmes konsumit, hotelerisë, ashtu dhe individëve që japin shtëpitë me qira ditore, një tendencë që sa vjen e po bëhet gjithnjë e më e fortë, sidomos në muajt e verës.
Me bazë vjetore (tetor 2023/tetor 2022), depozitat në euro janë rritur me 17%, ose 1.05 miliardë euro më shumë.