Naim Murseli, bashkëshorti i Liridona Murselit e cila u vra dy ditë më parë (29 nëntor) brenda në makinë nga grabitësit, është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Media Kosovare “Indeksonline” bën me dije se Naim Murseli dyshohet si i implikuar në vrasjen e bashkëshortes së tij.
Kujtojmë se e ndjera është vrarë pasditen e së mërkurës në makinë në afërsi të shtëpisë së saj në dalje të Prishtinës.
“Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me makinë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion” thuhet në raportin e Policisë.
Naim Murseli, i cili është këshilltar i Behgjet Pacollit, dhe Liridona Murseli kanë jetuar në Suedi dhe ishin kthyer në Prishtinë pak muaj më parë.
Përvec bashkëshortit të viktimës, policia ka arrestuar edhe një shtetas tjetër që dyshohet se është vrasësi.
“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e përditësuar nga Policia e Kosovës.
Pretendimi i Naim Murselit pas ngjarjes:
Bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli ka pretenduar se ai dhe familje e tij ka rënë pre e një grabitjeje.
Sipas tij një person i panjohur i ka ndaluar dhe i ka kërkuar sendet me vlerë.
Në këtë moment këshilltari i Pacollit së bashku me dy fëmijët ka arritur të largohet nga makina, ndërsa bashkëshortja e tij është qëlluar për vdekje.
Çfarë deklaroi vjehrri i viktimës?
“Liridona me burrin e fëmijët kanë jetuar në Suedi. Është këshilltar i Behgjet Pacollit, ka hapur firmë në Kosovë dhe ka blerë shtëpi në Prishtinë. Më pas ka marrë nusen dhe fëmijët. Djali është kthyer në qershor, nusja në tetor.
Kishin dalë për darkë, 400 metra pa shkuar në shtëpinë e vet i kanë dalë me armë përpara makinës, Kanë marrë të gjitha gjëra. Mesa duket ajo nuk i ka dhënë çantën”, tha babai Naim Murselit.