Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë tre të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, përfshirë edhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin, i cili dyshohet se e ka porositur vrasjen e saj. Pas arrestimeve, ka reaguar familja Ademaj. Vëllai i Liridonës, Liridon Ademaj ka thënë se do të zhvarrosin trupin e familjares së tyre, e cila dje u varros në varrezat e familjes Murseli. “S’ka pas problem, asnjëherë. Motra jonë ishte e ndershme. Po është e vërtetë do zhvarrosim trupin e saj nga atje me dashje ose pa dashje”, ka deklaruar Ademaj për Insajderin.
Ai tha se i kanë dhënë dy ditë ditë besë familjes Murseli. “I kemi dhënë dy ditë kohë, edhe shumë e kanë”, ka deklaruar ai. Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që janë përdorur në krimin e rëndë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti është kualifikuar si “Vrasje e rëndë”.
Dyshohet se e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. Raportohet se 15 mijë ia kishte dhënë para krimit të rëndë dhe pjesa tjetër pas vrasjes. Zyrtarisht ende nuk është konfirmuar, mirëpo raportimet në media janë se Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur vrasjen, ndërkohë që ky i fundit ka pranuar fajësinë.
Pas arrestimit të tyre, Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, ku u tha se ata janë arrestuar në Gjakovë dhe se është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer krimi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me atë rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.
Lidhur me vrasjen e Liridonës, është arrestuar edhe Kushtrim Kokalla, që raportohet të jetë nipi i Naim Murselit. Kokalla është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.