Komisioneri kundër torturës te institucioni i Avokatit të Popullit, Ahmet Prençi, është shprehur se sipas raportit të mjekësisë ligjore, në trupin e Lear Kurtit, i cili mbeti viktimë gjatë shoqërimit në Komisariat, janë konstatuar dëmtime me mjete prerëse.
Përmes një lidhjeje me emisionin “Review” në Euronews Albania, Prençi është shprehur se gjatë shoqërimit të Kurtit në Komisariat, ka pasur një sërë shkeljesh ligjore.
Ai shtoi gjithashtu se ngjarja nuk duhet të ishte zvarritur kaq shumë nga Prokuroria, e cila vendosi pak ditë më parë pushimin e çështjes.
“Punonjësit e Policisë duke parë gjendjen e atij që do shoqërohej në Komisariat, pasi ata e panë që në Laprakë se në çfarë gjendje ishte ai, gjatë shoqërimit Policia ka përgjegjësi për jetën e personit që shoqëron.
Policia mund të kishte shoqëruar në spital, jo në komisariat. Gjatë shoqërimit ne kemi mësuar se personit nuk i janë kërkuar të dhënat që parashikohet nga aktet normative. Ne i kemi raportuet të gjitha veprimet dhe mosv eprimet e Policisë.
Nuk mund ta them që u ushtrua dhunë ndaj Kurtit sepse ne bëjmë një hetim administrative dhe jo penal. Kërkova nga Prokuroria që të bëhej një hetim i shpejtë sepse çështja ishte shumë sensitive. Unë kur të shikoj vendimin e Prokurorisë për pushimin e çështjes, do të shikoj edhe arsyet e zvarritjes së çështjes.
Në raportin mjeko-ligjor konstatohen edhe dëmtime. Sipas raportit, nga kqyrja e jashtme janë shkaktuar dëmtime me mjete mprehtëse thuhet atje. Por se nga kush janë shkaktuar, si janë shkaktuar, etj se dimë. Por për dëmtimet në trupin e viktimës Prokuroria ka hetuar dhe nuk di se në çfarë konkluzioni ka arritur”, është shprehur Prençi.